17 gusht
«…unë nderoj ata që më nderojnë…» (1 Sam. 2:30).Një nga mënyrat e shumta ku ne mund ta nderojmë Zotin është duke i qëndruar besnik parimeve hyjnore dhe duke refuzuar me vendosmëri për të mos komprometuar.
Adam Klarku (Adam Clarke), gjatë viteve të hershme të jetës, punonte për një tregtar mëndafshi. Një ditë shefi i tregoi se si duhet ta zgjeronte mëndafshin kur e maste për një klient. Adami i tha: «Zotëri, mëndafshi yt mund të zgjerohet, por jo ndërgjegjja ime”. Vite më vonë Perëndia e nderoi atë nëpunës të ndershëm duke e aftësuar që të shkruante komentarin e Biblës që mban emrin e tij.
Erik Lidëlli (Eric Liddell) ishte caktuar që të vraponte në garën e 100 metrave në Lojërat Olimpike. Por kur ai mësoi që garat kualifikuese për këtë ngjarje ishin planifikuar të dielën, ai i tha administratorit që nuk do të vraponte. Ai e ndiente se duke mos e nderuar Ditën e Zotit, ai do të ishte duke mos e nderuar Vetë Zotin. Shpërtheu një stuhi e madhe kritikash. Ai u akuzua si një prishës i gëzimit, që po e poshtëronte vendin e tij, që po tregohej një fanatik fetar i tepruar. Por ai nuk donte ta shkelte vendimin e tij.
Kur vuri re që që garat kualifikuese për 220 metra ishin planifikuar për një nga ditët e javës, ai i kërkoi leje administratorit që të vraponte, edhe pse kjo nuk ishte distanca e tij. Ai e fitoi garën e parë kualifikuese, garën e dytë, pastaj gjysmëfinalet. Në ditën e finaleve, ndërsa ecte me hapa të mëdhenj drejt vijës së nisjes, dikush i dha në dorë një copë të vogël letre. Ai i hodhi një sy dhe pa fjalët: «… unë nderoj ata që më nderojnë”. Atë ditë ai jo vetëm që e fitoi garën, por edhe vendosi një rekord të ri botëror.
Zoti i dha atij nderim akoma më të madh që të shërbente si një nga ambasadorët e Tij në Lindjen e Largët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u internua nga japonezët dhe vdiq në një kamp përqendrimi, duke fituar kështu kurorën e dëshmorit.
Adam Klarku dhe Erik Lidëlli ecën në vijën e shquar të njerëzve si Jozefi që e nderoi Perëndinë me karakterin e tij të pastër dhe u nderua nga Perëndia duke u bërë shpëtimtari i popullit të tij gjatë një kohe zie. Njerëz si Moisiu, besnikëria e të cilit ndaj Perëndisë u nderua duke e drejtuar kombin e Izraelit jashtë skllavërisë egjiptiane. Njerëz si Danieli, refuzimi i të cilit për të mos komprometuar e vendosi atë në një vend të nderuar në mbretërinë persiane. Dhe – më i madhi nga të gjithë – Zoti Jezus që e nderoi Atin e Tij si askush tjetër dhe iu dha Emri që është përmbi çdo emër.