17 janar

[no_toc]

17 janar | çdo ditë me radhë

«Duke shërbyer me dashuri si për Krishtin dhe jo si për njerëzit» (Efesianeve 6:7).

Udhëzimet e Palit për skllevërit (Efesianeve 6:5-8) janë kuptimplota për të gjithë ata që pohojnë se janë shërbëtorë të Jezus Krishtit.

Ato tregojnë para së gjithash që çdo punë e ndershme, pavarësisht se sa vartëse është, mund të bëhet për lavdinë e Perëndisë. Skllevërve që Pali u shkroi mund të kishin fshirë dyshemetë, të kishin gatuar, të kishin larë enët, të ishin kujdesur për bagëtinë apo mund të ishin marrë me kultivimin e të korrave. Megjithëkëtë, apostulli tha se këto punë të rëndomta mund të bëhen «si për Krishtin» (v. 5); pra, duke i kryer ato, skllevërit ishin «shërbëtorë të Krishtit, duke bërë vullnetin e Perëndisë» (v. 6); që ata ishin «duke shërbyer […] si për Krishtin» (v.7); dhe që ata do të shpërbleheshin nga Zoti «po të bënin të mirën» (v.8).

Është e lehtë për të menduarit tonë që të bëjmë një ndarje midis laikes dhe të shenjtës. Ne e mendojmë punën gjatë javës si laike, ndërsa predikimin, ungjillëzimin dhe mësimin e Biblës si të shenjta. Por kjo pjesë mëson se për të krishterin nuk duhet të ketë një dallim të tillë. Duke kuptuar këtë, gruaja e një predikuesi të njohur vendosi një moto mbi lavamanin e kuzhinës: «Këtu zhvillohen shërbesa hyjnore tri herë në ditë».

Një shërbëtor me këtë thënie
e bën angarinë hyjnore;
që e fshin një dhomë si për ligjet e Tua
e bën atë dhe veprimin të shkëlqyer.

(George Herbert)

Këtu kemi edhe një mësim tjetër të zgjedhur, domethënë, pavarësisht se sa poshtë mund të jetë dikush në shkallën shoqërore, ai nuk është i përjashtuar nga shpërblimet dhe bekimet më të zgjedhura të krishterimit. Rrobat e tij mund të mos ndërrohen kurrë me një kostum biznesi, por nëse puna e tij është e një cilësie aq të mirë që i jep lavdi Krishtit, ai do ta marrë shpërblimin të plotë. «Duke ditur se gjithsecili, qoftë skllav apo i lirë, po të bëjë të mirën, do të marrë shpërblimin nga Zoti» (v. 8).

Duke e besuar këtë, ne duhet të lutemi, siç thonë edhe rreshtat e Xhorxh Herbertit:

Më mëso, o Zot dhe Mbreti im,
që në çdo gjë të të shoh Ty,
dhe atë që bëj në çdo gjë
ta bëj atë si për Ty.