17 maj

[no_toc]

17 maj | çdo ditë me radhë

«…me shtirje o sinqerisht, Krishti shpallet; dhe për këtë unë gëzohem, dhe do të gëzohem» (Filipianeve 1:18).

Është një dështim i zakontë midis njerëzve që të mos njohin asnjë të mirë përtej rrethit të tyre privat. Është sikur ata të kenë monopolin mbi përsosmërinë dhe refuzojnë që të pranojnë se dikush tjetër mund të jetë ose mund të bëjë diçka të krahasueshme. Ata na kujtojnë për sloganin gazmor: «Unë jam O.K. Ti ashtu-ashtu». Edhe ky do të ishte një pranim qejfprishur për disa prej tyre.

Kisha e tyre është e vetmja kishë e duhur. Shërbesa e tyre për Zotin është ajo që ka vërtet rëndësi. Pikëpamjet e tyre mbi të gjitha çështjet janë të vetmet që kanë autoritet. Njerëzit janë ata dhe urtësia do të vdes bashkë me ta.

Pali nuk i përkiste kësaj shkolle. Ai pranoi se edhe të tjerë po e shpallnin [predikonin] Ungjillin. Vërtet, disa po e bënin këtë me xhelozi, duke shpresuar që ta mërzitnin atë. Por, prapëseprapë, ai mund t’i lavdëronte ata për shpalljen e Ungjillit dhe, prapëseprapë, mund të gëzohej që Krishti po shpallej.

Në komentarin e tij mbi letrat baritore, Donald Gathri (Donald Guthrie) shkroi: «Nevojitet hir i madh për mendimtarët e pavarur që të pranojnë se e vërteta mund të rrjedh në kanale të tjera, veç në ato të tyret».

Një nga karakteristikat dalluese të kulteve është se udhëheqësit e tyre pohojnë [pretendojnë] se thonë fjalën e fundit mbi të gjitha çështjet e besimit dhe moralit. Ata kërkojnë bindje të padyshimtë [të plotë] ndaj deklaratave të tyre dhe synojnë që t’i izolojnë ndjekësit e tyre nga çdo kontakt që ka pikëpamje të kundërta.

Në parathënien e lexuar rrallë të Biblës së versionit të mbretit Xhejms, përkthyesit shkruan për «vëllezër mendjemëdhenj, të cilët ecin sipas rrugëve të tyre dhe nuk u pëlqen asnjë gjë, veçse ajo që është përpiluar nga ata vetë dhe që është goditur në kudhrën e tyre». Mësimi për ne është që të jemi me një shpirt të madh, që të jemi të gatshëm ta pranojmë të mirën kudo që e gjejmë dhe të kuptojmë se asnjë besimtar ose përbashkësi [kishë lokale] e krishterë nuk mund t’ia lejojë vetes që të pohojë se ata janë të vetmit që kanë të drejtë ose që ata kanë një qoshe [monopol] për të vërtetën.