17 prill | çdo ditë me radhë
«…ju nuk duhet të quheni rabbi, sepse ju keni një mësues dhe të gjithë jeni vëllezër. Dhe mbi tokë mos thirrni askënd atë juaj, sepse ju keni një Atë, që është në qiell. As mos u quani padronë, sepse ju keni një padron, Krishtin» (Mt. 28:8-10, RSV)
Zoti Jezus i paralajmëroi dishepujt e Tij kundër titujve të fryrë që e përkëdhelin egon dhe e vendosin veten në vend të Trinisë. Perëndia është Ati ynë, Krishti është Udhëheqësi ynë, Fryma e Shenjtë është Mësuesi ynë. Ne nuk duhet t’ia atribuojmë këta tituj vetes në asamble. Në botë, sigurisht, ne kemi një atë tokësor, në punën tonë kemi një padron ose punëdhënës dhe në shkollë kemi mësues. Por në sferën frymërore, ata që i përmbushin këta role janë anëtarët e Hyjnisë dhe vetëm ata duhet të nderohen si të tillë.
Perëndia është Ati ynë në kuptimin që Ai është Dhënësi i jetës. Krishti është Padroni ynë, sepse ne i përkasim Atij dhe i nënshtrohemi udhëheqjes së Tij. Fryma e Shenjtë është Mësuesi ynë, sepse Ai është Autori dhe Interpretuesi i Shkrimit; i gjithë mësimi tonë duhet të drejtohet nga Ai.
Sa e çuditshme, atëherë, që kishat përjetësojnë tituj nderimi sikur Krishti të mos ketë paralajmëruar kundër tyre. Priftërinjtë dhe meshtarët (shërbyesit) vazhdojnë të quhen Atë (dhe Padre) dhe ndonjëherë gjejmë referimin «dominie», që do të thotë Zot. Klerikët përdorin rregullisht titullin «Reverend», një fjalë që është përdorur në Bibël vetëm për Perëndinë (shih Psa. 111:9, «i shenjtë dhe i tmerrshëm [ang. reverend] është emri i tij»). Titulli «Doktor» vjen nga [fjala] latinisht docere, të mësosh. Pra, doktor do të thotë mësues. Grada, qoftë e fituar ose titull nderi, mund të vijë nga një institut që është një spital infektiv i pabesisë më tepër se një mburojë e besimit të krishterë. Mirëpo kur dikush paraqitet si «Doktor» në asamble, nënkuptimi është se fjalët e tij kanë autoritet suplementar për shkak të gradës së tij. Kjo, sigurisht, është krejtësisht e pathemeltë. Një mbledhës i kërrusur plehrash, i mbushur me Frymën e Shenjtë, mund të flasë më besnikërisht si një orakull i Perëndisë.
Ka një vend për tituj në të ashtuquajturën botë shekullare. Parimi që zbatohet në atë sferë është «I jepni, pra, secilit atë që i takon: …nderimin atij që është për nderim» (Rom. 13:7). Por parimi që zbatohet në asamble është deklaruar nga Zoti me fjalët: «…të gjithë jeni vëllezër» (Mt. 23:8, RSV).