17 shtator

[no_toc]

17 shtator

«Veç kësaj bëri që të gjithëve, të vegjël e të mëdhenj, dhe të pasur dhe të varfër, dhe të lirë dhe skllevër, t’u vihet një damkë mbi dorën e tyre të djathtë ose mbi ballin e tyre, dhe që askush të mos mund të blinte ose të shiste, po të mos kishte damkën ose emrin e bishës ose numrin e emrit të saj» (Zbulesa 13:16, 17).

Damka e bishës! Gjatë periudhës së Mundimit do të ngrihet një udhëheqës i fuqishëm e i djallëzuar, i cili do të detyrojë të gjithë njerëzit të marrin një shenjë mbi ballin ose mbi dorën e tyre të djathtë. Ata që e refuzojnë do të vuajnë zemërimin e bishës. Ndërsa ata që i nënshtrohen bishës do të vuajnë zemërimin e Perëndisë. Ata që e refuzojnë do të mbretërojnë me Krishtin në lavdinë e Tij për njëmijë vjet. Ata që i nënshtrohen do të mundohen me zjarr e squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit.

Ndërsa lexojmë këtë ne mund të ndjehemi krejt të shkëputur prej gjithë kësaj, duke ditur që kjo i përket së ardhmes dhe duke besuar që Kisha do të jetë rrëmbyer për në shtëpinë qiellore ndërkohë, megjithatë në njëfarë kuptimi damka e bishës është me ne tani. Kemi momente në jetë kur detyrohemi të zgjedhim midis besnikërisë ndaj Perëndisë dhe përkuljes para një sistemi që është në kundërshtim me Perëndinë.

Ekzistojnë momente kur, për shembull, për të patur një punë, na kërkohet të pranojmë kushte që në mënyrë të qartë janë në kundërshtim me parimet hyjnore. Është e lehtë për t’i përligjur gjërat në momente të këtilla. Për shembull, nëse nuk punojmë, s’mund të blejmë ushqime. Dhe nëse nuk sigurojmë për të ngrënë, ne nuk mund të mbijetojmë. Dhe ne duhet të jetojmë, apo jo? Nën këto justifikime të rreme, ne i pranojmë kërkesat dhe, në fakt, marrim damkën e bishës.

Çfarëdo gjëje që kërcënon sigurimin e ushqimeve ose ekzistencën tonë të vazhdueshme na çon në panik dhe ne tundohemi për të sakrifikuar pothuaj gjithçka për të shmangur këtë kërcënim. Po ato argumente që njerëzit do të përdorin për të justifikuar adhurimin e figurës gjatë periudhës së Mundimit janë argumentet që përdorim edhe ne sot kur na duhet për të zgjedhur midis së vërtetës së Perëndisë dhe jetëve tona.

Ideja që ne duhet të jetojmë është e gabuar. Ajo që ne duhet të bëjmë është t’i bindemi Perëndisë dhe të mos i duam jetët tona deri në vdekje.

F. W. Granti shkroi: «Mbi monedhën me të cilën ne shesim të vërtetën gjendet në çdo kohë, sado e zbehtë, figura e Antikrishtit». Prandaj pyetja nuk është: «A do ta refuzoja marrjen e damkës së bishës nëse do të jetoja gjatë Mundimit?», por duhet të jetë: «A po e refuzoj shitjen e së vërtetës sot?»

[previous][next]