18 korrik

[no_toc]

18 korrik

«Prandaj, Mikal, bija e Saulit, nuk pati fëmijë deri ditën e vdekjes së saj» (2 Sam. 6:23).

Davidi ishte tej mase i ngazëllyer kur solli arkën në Jerusalem dhe kur ajo u vendos në çadrën e ngritur posaçërisht për të. Duke ndier që kjo ishte një nga arritjet më të mëdha dhe një nga çastet më të lavdishme të karrierës së tij, mbreti kërceu para Zotit me tërë forcën e tij. Mikali, gruaja e tij, u tall me të duke e menduar sjelljen e tij si të turpshme. Si një pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimit të saj kritik, ajo nuk pati fëmijë deri në ditën e vdekjes së saj.

Nga kjo ne mësojmë se një frymë kritike prodhon shterpësi. Sigurisht, kur e themi këtë, nuk jemi duke folur për kritikën konstruktive. Nëse kritika është e vërtetë, ne duhet ta pranojmë dhe të përfitojmë prej saj. Të paktë janë ata miq në jetë që na duan aq sa të na japin një kritikë të dobishme.

Por kritika shkatërruese mund të jetë rrënuese. Ajo mund të shkatërrojë veprën e Perëndisë në jetën e dikujt dhe të zhbëj progresin e viteve brenda pak minutash.

Në incidentin që përfshinte Davidin, arka përfaqësonte Krishtin dhe që arkës iu bë vendi i saj në Jerusalem flet për Krishtin e kurorëzuar në zemrën e njeriut. Kur kjo ndodh, besimtari i mbushur me Frymën nuk mund të rrijë pa shprehur gjallërinë dhe entuziazmin e tij. Kjo nxit armiqësinë e jobesimtarëve dhe ndonjëherë përçmimin e të krishterëve të tjerë. Por kjo frymë kritike çon pashmangshmërisht në shterpësi.

Kjo mund të çojë në shterpësi jo vetëm në jetën individuale, por edhe në një asamble lokale. Le të marrim, për shembull, një përbashkësi ku të rinjtë i nënshtrohen një rrebeshi të vazhdueshëm të kritikës. Ata qortohen për mënyrën se si vishen, për stilin e flokëve, për lutjet e tyre publike, për muzikën. Në vend që të mësohen me durim, grupi drejtues pret nga ata që të rriten në çast. Shpejt të rinjtë largohen drejt përbashkësive më të pëlqyeshme dhe asambleja lihet të vdes në hardhi.

Le të paralajmërohemi nga shembulli i Mikalit që censurimi jo vetëm i lëndon viktimat e tij, por edhe hakmerret ndaj atyre që e praktikojnë atë. Kjo hakmarrje është shterpësi frymërore.