18 nëntor

[no_toc]

18 nëntor

«Jini, pra, të mençur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat» (Mt. 10:16).

Një element i rëndësishëm i urtësisë praktike është takti. I krishteri duhet të mësojë si të sillet me takt. Kjo do të thotë se ai duhet të zhvillojë një ndjeshmëri delikate se çfarë duhet të bëjë ose të thotë për të shmangur ofendimin dhe për të forcuar miqësitë e mira. Njeriu me takt e fut veten në këpucët e tjetrit dhe i bën vetes këtë pyetje: «Si do të doja që kjo të më thuhej ose të më bëhej mua?» Ai kërkon të jetë diplomatik, i kujdesshëm, shpirtmirë dhe mendjehollë.

Fatkeqësisht, besimi i krishterë ka patur pjesën e tij të ithtarëve të patakt. Një shembull klasik ishte një berber i krishterë në një qytet të vogël perëndimor. Kur një klient i pafat hyri në rrojtore një ditë dhe kërkoi të rruhej, berberi e uli, i lidhi copën e bardhë të zakonshme rreth qafës dhe uli ndenjësen. Në tavan klienti pa fjalët: «Ku do ta kaloni përjetësinë?» Berberi i sapunisi lirshëm fytyrën; më pas, ndërsa filloi të mprehte briskun në rrip, filloi dëshminë e tij ungjillëzuese me pyetjen: «A je gati të takohesh me Perëndinë?» Klienti u ngrit furishëm nga ndenjësja – peshqir, shkumë e gjithçka – dhe nuk është parë më që atëherë.

Më pas kemi studentin e zellshëm që doli një natë për të bërë pak ungjillëzim personal. Duke ecur në një rrugë të errët, ai pa një zonjë të re duke ecur para tij në hije. Ndërsa u përpoq ta arrinte, ajo filloi të vraponte. I shqetësuar, ai vrapoi pas saj. Kur ajo e dyfishoi shpejtësinë, edhe ai bëri të njëjtën gjë. Përfundimisht ajo hyri në oborrin e një shtëpie, shumë e tronditur dhe filloi të kërkonte kuturu çelësat në çantën e saj. Ndërsa ai hyri në oborr, ajo ishte tepër e paralizuar nga frika për të bërtitur. Pas kësaj, me buzëqeshje, ai i dha asaj një trakt dhe u largua, i gëzuar që kishte arritur një mëkatar tjetër me Ungjillin.

Nevojitet shumë takt kur i vizitojmë të sëmurët. Nuk është ndihmë të themi: «Ti vërtet dukesh i sëmurë» ose «Kam njohur dikë me të njëjtin problem – dhe ai vdiq». Kujt i duhet ky lloj ngushëllimi?

Dhe duhet të jemi me takt kur i vizitojmë ata që mbajnë zi. Nuk duhet të jemi si ai banori nga Teksasi që i tha vejushës së një politikani të vrarë: «Dhe të mendosh që kjo duhet të ndodhte në Teksas!»

Perëndia i bekoftë ata shenjtorë të zgjedhur që gjithnjë duket se e dinë si të thonë fjalën e hirshme dhe të duhur. Dhe Perëndia na mësoftë ne të tjerëve si të jemi diplomatë me takt, në vend të që të jemi kërpaçë të patakt.

[previous][next]