18 qershor

[no_toc]

18 qershor | çdo ditë me radhë

«Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota» (Jakobit 1:27).

Kur Jakobi i shkroi këto fjalë, ai nuk donte të sugjeronte se nëse një besimtar i bënte këto gjëra, ai kishte bërë gjithçka që kërkohej prej tij. Më tepër ai ishte duke thënë se dy shembuj të shquar të fesë ideale janë që të vizitosh jetimët dhe të vejat dhe ta ruash veten të pastër.

Ne mund të mendonim se ai do të fliste për predikimin shpjegues ose veprën misionare ose fitimin personal të shpirtrave. Por jo! Ai mendon në fillim për të vizituar ata që janë në nevojë.

Apostulli Pal i kujtoi pleqtë efesianë se si ai kishte bërë vizita «nga shtëpia në shtëpi» (Veprat e Apostujve 20:20). J. N. Darbi i konsideroi vizitat «pjesën më të rëndësishme të punës». Ai shkroi: «Akrepat shënojnë orët dhe kalimtarët e dëgjojnë, por veprat brenda e bëjnë orën që të shkojë dhe bëjnë që shënimi dhe akrepat të jenë në rregull. Unë mendoj se vizitimi duhet të jetë puna juaj thelbësore dhe që gjithçka tjetër ta pranojnë ashtu si vjen. I druhem dëshmisë së tepër publike: dhe aq më shumë, nëse nuk bëhet punë private» (nga një letër drejtuar G. V. Wigram, 2 gusht, 1839).

Një vejushë e moshuar, që jetonte vetëm, arriti fazën kur varej nga ndihma e komshinjve dhe miqve. Me orën në dorë, ajo mbante një ditar të gjithçkaje dhe çdo gjëje që i kishte ndodhur gjatë ditës – sidomos kontaktet me botën jashtë. Një ditë komshinjtë kuptuan që nuk kishin parë asnjë shenjë jete përreth shtëpisë së saj për disa ditë. U thirr policia për të hyrë në shtëpi dhe ata gjetën që ajo kishte qenë e vdekur për disa ditë. Për tri ditë para vdekjes së saj, i vetmi shënim në ditarin e saj ishte: «Nuk erdhi asnjë», «Nuk erdhi asnjë», «Nuk erdhi asnjë».

Në angazhimin e madh të jetës së përditshme, është tepër e lehtë që të harrojmë të vetmuarit, nevojtarët, të dobëtit. Ne u japim prioritet çështjeve të tjera dhe shpesh atyre formave të shërbimit që janë më publike dhe tërheqëse. Por nëse duam që feja jonë të jetë e pastër dhe pa njollë, ne nuk do t’i lëmë pas dore jetimët dhe të vejat, pleqtë dhe të mbyllurit [për shkak të problemeve fizike]. Zoti ka një shqetësim të veçantë për ata që kanë nevojë për ndihmë dhe një shpërblim të veçantë për ata që bëjnë një hap përpara që të plotësojnë nevojën.

[previous][next]