19 korrik
«…sikurse është ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë» (1 Gjonit 4:17b).Këtu kemi një nga ato të vërteta të Dhiatës së Re që na tronditin nga guximi i plotë i tyre. Ne nuk do të guxonim t’i shqiptonim këto fjalë nëse nuk do t’i shihnim në Bibël. Por ato janë të vërteta të lavdishme dhe ne mund të gëzohemi dhe të ngazëllohemi prej tyre.
Në çfarë kuptimi ne jemi si Krishti në këtë botë? Mendjet tona mendojnë pothuaj automatikisht së pari për mënyrat që nuk jemi si Ai. Ne nuk ndajmë me Të atributet e hyjnisë, si plotfuqia, gjithëdijenia dhe gjithëprania. Ne jemi plot mëkat dhe dështim, ndërsa Ai është absolutisht i përsosur. Ne nuk duam ashtu si Ai do ose të falim ashtu si Ai fal.
Si, atëherë, jemi sikurse është Ai? Vargu e shpjegon. «Në këtë dashuria është përsosur me ne, që të kemi guxim në ditën e gjykimit, që sikurse është ai, po kështu jemi ne në këtë botë» (Darby). Dashuria e Perëndisë është futur aq shumë në jetët tona, që ne nuk do të tmerrohemi kur të qëndrojmë përpara Gjyqit të Krishtit. Arsyeja për sigurinë tonë është se këtë ne e kemi të përbashkët me Shpëtimtarin – gjykimin e kemi lënë mbrapa. Ne jemi sikurse Ai në lidhje me gjykimin. Ai mbarti gjykimin për mëkatet tona në kryqin e Kalvarit dhe e zgjidhi çështjen e mëkatit një herë e përgjithmonë. Duke qenë se Ai e mori ndëshkimin për mëkatet tona, ne nuk kemi për ta marrë atë kurrë. Ne mund të këndojmë me siguri: «Vdekja dhe gjykimi janë mbrapa meje,/ hiri dhe lavdia shtrihen përpara,/ të gjitha dallgët u derdhën mbi Jezusin, / atje ato e mbaruan tërë forcën më të madhe». Ashtu sikurse gjykimi është përherë në të kaluarën për Atë, po kështu ai është në të kaluarën edhe për ne dhe ne mund të themi: «Nuk ka më ndëshkim,/ nuk ka më ferr për mua,/ mundimin dhe zjarrin,/ sytë e mi nuk do t’i shohin kurrë./ Për mua nuk ka më dënim,/ për mua vdekja nuk ka asnjë gjemb:/ sepse Zoti që më do/ do të më mbrojë me krahët e Tij».
Ne jemi si Ai jo vetëm për sa i përket gjykimit, por edhe për sa i përket pranimit para Perëndisë. Ne qëndrojmë para Perëndisë me të njëjtin favor që ka Zoti Jezus, pasi ne jemi në Të. «Afër, kaq afër Perëndisë / nuk mund të jem më afër,/ sepse në Personin e Birit të Tij, / unë jam aq afër sa Ai».
Dhe, së fundi, ne jemi si Krishti, sepse duhemi nga Ati Perëndi, ashtu sikurse edhe Krishti. Në lutjen e Tij kryepriftërore, Zoti Jezus tha: «…ti […] i ke dashur, ashtu si më ke dashur mua» (Gjoni 17:23b). Kështu, nuk është e tepërt që ne të themi: «I dashur, aq shumë i dashur për Perëndinë,/ nuk mund të jem më shumë i dashur./ Dashuria me të cilën Ai do Birin e Tij,/ kjo është dashuria e Tij për mua».
Pra, është një bekim i vërtetë që ashtu sikurse është Krishti, po kështu jemi edhe në në këtë botë.