Paranjohja dhe paracaktimi/zgjedhja

ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

 NË BIBËL, domethënia bazë e termave paracaktim dhe zgjedhje është e njëjtë: për të caktuar që më parë për një qëllim dhe bekim të caktuar. Mbi çfarë bazë? Arsyeja e vetme që jepet gjithmonë është paranjohja. Kështu shpallin si Pjetri ashtu edhe Pali: “Sepse ata që ai i ka njohur që më parë [greqisht: proginosko], edhe i ka paracaktuar [proorizo] që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij” (Romakëve 8:29); “Të zgjedhurve sipas [kata] paranjohjes [prognosis] së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për t’u bindur…” (1 Pjetrit 1:2).

Duket se Perëndia paracaktoi disa bekime për ata që Ai paranjohu se do të besonin ungjillin dhe do të shpëtoheshin. Ati qiellor planifikoi që nga përjetësia e largët një trashëgimi për ata që do të bëheshin bijtë e Tij nëpërmjet besimit në Krishtin Jezus: “Për të treguar në epokat që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus” (Efesianëve 2:7).

Zgjedhja apo paracaktimi nuk i referohet kurrë shpëtimit, por gjithmonë dhe vetëm përfitimeve të veçanta. “Ajo që duhet të kemi në mendje është fakti se paracaktimi nuk është caktimi para kohe i Perëndisë nga përjetësia se cilët do të shpëtoheshin e cilët jo” [1]. Ajrënsajdi pohon: “…Nuk ka ndonjë referim në këto katër vargje [të vetmet që i referohen paracaktimit] qoftë për qiellin a për ferrin, por për ngjashmërinë ndaj Krishtit përfundimisht. Në asnjë pjesë të Shkrimit nuk na thuhet se Perëndia e paracaktoi një njeri të shpëtohet dhe një tjetër të humbasë” [2].

Shtrembërimi i paracaktimit

Eduard Hulme (Edward Hulme) thotë për Kalvinin: “Paracaktimi ishte dogma e tij kryesore…. ‘Çdo gjë’, thotë Kalvini, ‘varet nga vullneti i Perëndisë; disa janë dënuar dhe të tjerët shpëtuar për shkak se Perëndia ka krijuar disa për vdekje dhe të tjerët për jetë’” [3]. Kalvini pohon: “Bashkohem me Agustinin për të thënë se Zoti ka krijuar ata të cilët, sigurisht siç i paranjohu, duhet të shkonin në shkatërrim dhe këtë  e bëri sepse kështu i pëlqeu. Se përse i pëlqeu, nuk na takon neve të pyesim…” [4].

Përsëri, Palmeri na informon: “Fjala e parë që u sugjeron kalvinizmi pjesës më të madhe të njerëzve është paracaktimi; dhe […] më pas rrjedhin katër pikat e tjera [të TULIP-it]” [5]. Xhon H. Lejthi (John H. Leith) shkruan: “Paracaktimi mund të merret si një shenjë e veçantë e teologjisë së reformuar” [6]. Pinku shton: “Perëndia jo vetëm ka të drejtën që të bëjë si të dojë me krijesat e duarve të Tij, por Ai e ushtron këtë të drejtë dhe në asnjë vend nuk shihet më qartë se në hirin e Tij paracaktues” [7]. Hiri i paracakton turmat për dënim të përjetshëm?

Paracaktimi (sipas kalvinizmit) është “dekreti i përjetshëm i Perëndisë, me anë të të cilit […] disa janë caktuar para kohe për jetë të përjetshme, të tjerët për dënim të përjetshëm…” [8]. Kalvini përsërit: “Prandaj, ata të cilët Perëndia i shpërfill, i mallkon dhe kjo për asnjë shkak tjetër, por ngaqë atij i pëlqen t’i përjashtojë nga trashëgimia të cilën e ka paracaktuar për bijtë e tij…” [9]. Është shpifje kundër karakterit të Perëndisë të thuash se Atij i pëlqen dënimi i miliarda njerëzve! Megjithatë kjo doktrinë e papëlqyeshme është rezultati i pashmangshëm i pikëpamjes së skajshme të kalvinizmit.

Kalvinisti “i rras doktrinat e tij të zgjedhjes dhe paracaktimit në çdo tekst të përfytyrueshëm të Shkrimit” [10]. Vansi vazhdon të thotë:

Klarku pohon se “Isaia paraqet rreth njëzet e katër vargje që përcjellin në mënyrë të drejtpërdrejtë doktrinën e paracaktimit”11. [Mirëpo] kjo fjalë as nuk haset tek Isaia as në ndonjë pjesë tjetër të Dhiatës së Vjetër. Kustansi është edhe më i guximshëm: “Duke u kthyer në mënyrë më specifike te çështja e zgjedhjes për shpëtim, konsidero këtë në vijim”12. Pastaj vijon një listë me dymbëdhjetë pjesë nga Dhiata e Vjetër në të cilën nuk përmendet zgjedhja dhe shpëtimi as që duket fare13. Duke u kthyer tani te Dhiata e Re shohim të njëjtën gjë. Boetneri pohon me guxim: “Vështirë se gjen ndonjë kapitull te Gjoni i cili të mos përmendë apo nënkuptojë zgjedhjen apo mallkimin14. Por edhe pas një pohimi të tillë ai nuk jep asnjë varg. Duke iu përgjigjur pyetjes: “Do të doja të më rendisje pjesë të Shkrimit që mësojnë se Perëndia zgjodhi individë për shpëtim para se të fillonte bota”, një baptist i hirit sovran rendit gjashtë pjesë të Shkrimit ku zgjedhja as nuk përmendet fare [15].

Roli i paracaktimit në kalvinizëm

Kalvini e kufizon gjithmonë mëshirën dhe dashurinë e Perëndisë për të zgjedhurit. Një ekspert islamik thotë për atë sistem fetar [islamin]: “Vullneti hyjnor është i papërballueshëm dhe ka dekretuar me çdo hollësi tërë rrjedhën e gjithësisë të cilën Ai e drejton dhe fatin e çdo momenti të çdo krijese në të…. Dogma e tij e paracaktimit dhe e fatit […] nuk lë vend për vullnetin e lirë njerëzor…” [16]. Kështu është edhe me kalvinizmin.

Horshi (Horsch) komenton: “Sipas mësimit të Agustinit, historia e njerëzimit, nga një pikëpamje fetare dhe frymërore, do të ishte më e vogël se një shfaqje kukullash…” [17]. R. C. Sprouli shkruan: “Perëndia vendos për të gjitha gjërat që ndodhin […] Perëndia dëshiroi që njeriu të binte në mëkat […] Perëndia e krijoi mëkatin” [18]. Sheldoni pranon: “Skema agustiniane […] e paraqet Atë [Perëndinë] si paracaktues që rënia duhej të përfshinte, përtej çdo mundësi shpëtimi, rrënimin e përjetshëm dhe dënimin e pjesës më të madhe të racës njerëzore…” [19]. Palmeri, pa ndonjë siklet apo keqardhje të dukshme, shpjegon se me anë të mësimit të paracaktimit në veprën Parimet” të Kalvinit dhe përsëritur nga pjesa më e madhe e kalvinistëve të kësaj dite, Perëndia është autori i çdo gjëje dhe si rrjedhim edhe i çdo mëkati:

Paracaktim do të thotë plan sovran i Perëndisë, përmes të cilit Ai vendos gjithçka që do të ndodhë në tërë gjithësinë. Asgjë në këtë botë nuk ndodh rastësisht. Perëndia ka gjithçka nën kontroll. Ai vendos dhe i shkakton të gjitha gjërat që ndodhin për të ndodhur…. Ai ka paracaktuar gjithçka “sipas këshillës së vullnetit të tij” (Efesianëve 1:11): lëvizjen e një gishti, rrahjen e një zemre, qeshjen e një vajze, gabimin e një shkruesi – madje mëkatin [20].

Nuk është për t’u çuditur që Suzana Uesli (Susanna Wesley) i shkruan birit të saj, Xhonit: “Doktrina e paracaktimit, siç mbështetet nga kalvinistët e fortë, është shumë tronditëse dhe duhet të urrehet krejtësisht, sepse e padit shumë të shenjtin Perëndi si autor të mëkatit” [21]. Kjo doktrinë e neveritshme nuk është biblike, por shpikje njerëzore. Pesë pikat e kalvinizmit kërkojnë një sovranitet që nuk i lejon njeriut lirinë e vullnetit, duke e bërë kështu të domosdoshme që Perëndia të jetë paracaktuesi dhe shkaku i efektshëm i gjithçkaje.

Si rrjedhim, njerëzimi mund të fajësojë Perëndinë për çdo gjë dhe kalvinistët duhet ta pranojnë këtë fakt. Në një kryeartikull të [revistës] “Krishterimi sot”, si pjesë e “serive të rastit rreth përtëritjes doktrinore, mundësuar nga [organizata] ‘Lilly Endowment Inc.’”, dy studentë me [doktoratën] “Master për teologji” nga “Seminari Teologjik Princtaun” treguan me hollësi gëzimin e kthimit të tyre në kalvinizëm: “Fajësimi i Perëndisë për çdo gjë ishte një gëzim aq i madh, që vendosëm se më e pakta që mund të bënim […] ishte t’i tregonim botës se si arritëm këtu” [22].

Përsëri, në përvijim të Kalvinit është hija e gjatë e Agustinit. Pal K. Xhueti (Paul K. Jewett) e quan Agustinin “ithtarin e parë të vërtetë të paracaktimit” [23]. Lorein Boetneri pohon për doktrinën qendrore të kalvinizmit rreth shpëtimit përmes hirit të papërballueshëm dhe zgjedhjes së pakushtëzuar: “Kjo e vërtetë thelbësore e krishterimit u pa qartë në fillim nga Agustini” [24]. Xhon Horshi, për atë “shenjtor” (një gabim tjetër: në Bibël të gjithë besimtarët janë shenjtorë) të madh katolik, komenton:

Agustini […] me anë të spekulimit teologjik u shty të besonte në paracaktimin […] [që] Perëndia në mëshirën e tij përzgjedh dhe paracakton një numër [të caktuar] […] për jetë të përjetshme…. Pjesës tjetër të njerëzimit […] Perëndia ia refuzon hirin e tij dhe këta do t’i dënojë edhe sikur të vdesin në foshnjëri.. [25].

Kjo doktrinë e pështirë e ndëshkimit të fëmijëve të pafajshëm i përqesh fjalët e Krishtit: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë” (Marku 10:14).

Ku është dashuria e Perëndisë?

Do të kërkohet më kot në çdo pjesë biblike që përmend paracaktimin/zgjedhjen për ndonjë referim të ndokujt të paracaktuar për dënim. Atëherë, si e mbështet kalvinisti një doktrinë të tillë? Vetëm me nënkuptim. Ata të cilët Perëndia nuk i ka zgjedhur janë dënuar me siguri nga dekreti i Tij i përjetshëm. Kalvini tha se është “fëmijërore” ta mohosh këtë, “ngaqë nuk mund të ketë zgjedhje pa dënimin e saj të kundërt” [26]. Boetneri pohon:

Doktrina e paracaktimit absolut mbështet me siguri në mënyrë logjike se disa janë paracaktuar për vdekje në të njëjtën mënyrë siç janë paracaktuar të tjerë për jetë. Vetë termat “të zgjedhur” dhe “zgjedhje” nënkuptojnë termat “të pazgjedhur” dhe “të dënuar”…. Ne besojmë se që nga tërë përjetësia Perëndia ka patur si qëllim të lërë disa nga pasardhja e Adamit në mëkatet e tyre dhe se faktori vendimtar […] duhet të gjendet vetëm në vullnetin e Perëndisë [27].

Çfarë shtrembërimi i Perëndisë! Kërkojmë në shkrimet e kalvinistëve më kot të gjejmë ndonjë grimë keqardhje apo simpati për ata që janë dënuar në mënyrë të pashpresë nga dekreti i Perëndisë. Si mund të pohojë Perëndia dashurinë e Tij për ata të cilët i dënon – apo t’i vijë keq për dekretet e Tij sovrane? Dashuri dhe dhembshuri – ku mund t’i gjejmë këto virtyte më të mëdha në kalvinizëm?

Kalvinistët propozojnë teori të ndryshme për të bërë të duket se Perëndia i do me të vërtetë ata që i ka paracaktuar për mundim të përjetshëm. Një ndër teoritë më të pashpirt vjen nga Mikael Hortoni në një libër me parathënie të J. I. Pakerit. Ai argumenton: “Kjo pikëpamje e rrit dashurinë e Perëndisë, duke e kufizuar atë vetëm ndaj atyre që besojnë. Pa dyshim që kjo e godet dashamirësinë e përgjithshme dhe që nuk bën dallim, për të cilën dëgjojmë së tepërmi në kohën e sotme” [28].

Që Perëndia të dojë tërë njerëzimin do të thotë një “dashamirësi [e përçmuar] e përgjithshme dhe që nuk bën dallim”? Kufizimi i dashurisë së Perëndisë vetëm për një grup të përzgjedhur e rrit dashurinë e Perëndisë? Çfarë marrëzi!

Siç e vumë re, Xhon Pajpëri dhe stafi i tij baritor botuan një libërth të titulluar: “TULIP-i: Çfarë besojmë rreth pesë pikave të kalvinizmit”. Ashtu si Parimet” e Kalvinit, lavdërohet sovraniteti i Perëndisë (siç tashmë e kemi parë), por në asnjë faqe të tij nuk përmendet dashuria e Perëndisë për mëkatarët. Xhon Kalvini paraqitet si “teologu i famshëm dhe pastor i Gjenevës” [29], pa përmendur ndonjë fjalë për rrahjet me kamxhik, burgimet, torturat, dëbimet dhe djegiet në turrën e druve që nxiti atje. Pajpëri lavdëron edhe Agustinin [30], por pa përmendur fare se ai ishte ati i katolicizmit modern të Romës dhe që përkrahte shumë doktrina që për ungjillorët janë të neveritshme. A është e ndershme të fshehësh fakte jetësore për të reklamuar kalvinizmin?

Krishti na urdhëron pesë herë në Dhiatën e Re: “Duaje të afërmin tënd si veten tënde” (Mateu 19:19 etj.). Pali dy herë dhe Jakobi një herë, përsëritin këtë urdhër që duhet të duam të afërmin tonë si vetveten (Romakëve 13:9; Galatasve 5:14; Jakobi 2:8). Krishti e bën të qartë se gjithkush që është në nevojë është i afërmi ynë (Luka 10:29-37). Sigurisht, asnjë nuk është në nevojë më të madhe se të humburit. Megjithatë kalvinizmi na thotë se Perëndia i cili “është dashuri” dhe që “aq shumë e deshi botën” dhe dërgoi Birin e Tij “që bota të shpëtohet prej tij” (Gjoni 3:17) – edhe pse Ai mund t’i shpëtonte të gjithë – dënon miliarda njerëz për “pëlqimin e Tij të mirë” dhe për të vërtetuar drejtësinë e Tij. Të shtangur nga kjo doktrinë mund të përsëritim me habi të madhe: Çfarë dashurie është kjo?

Shtrembërimi i metaforës

Kalvinizmi mohon dashurinë, mëshirën dhe hirin e Perëndisë për këdo, përveç të zgjedhurve. “Të gjithë që do të shpëtohen përfundimisht, ishin zgjedhur për shpëtim nga Perëndia Atë, para themelimit të botës dhe iu dhanë Jezus Krishtit në besëlidhjen e hirit” [31]. Pajpëri shkruan: “Zgjedhja i referohet përzgjedhjes së Perëndisë të disave për shpëtim. Ajo është e pakushtëzuar, sepse nuk ka kushte që njeriu mund t’i plotësojë përpara se Perëndia ta zgjedhë për ta shpëtuar. Njeriu është i vdekur në faje dhe mëkate. Kështu që nuk ka asnjë kusht që të plotësojë…” [32]. Gjithashtu, Xhon MekArturi pohon se jobesimtarët “nuk janë më të aftë se një kufomë që t’i përgjigjen Perëndisë” dhe “janë të paaftë për çdo veprimtari frymërore…” [33]. Vansi tregon gabimin e dukshëm:

Dhe së fundi, nëse bën një paralelizëm të saktë midis një njeriu të vdekur fizikisht dhe një të vdekuri frymërisht […] atëherë në të njëjtën kohë duhet të thuash […] [nëse] ai nuk mund të pranojë Krishtin sepse është i vdekur, atëherë ai as nuk mund ta refuzojë Krishtin. Një njeri i vdekur [fizikisht] nuk mund të besojë në Jezu Krishtin, por një njeri i vdekur [frymërisht] po” [34].

I vdekuri fizik nuk mund të bëjë asgjë, as edhe të kryejë mëkat; kështu që ata zor se paraqesin një analogji të saktë të vdekjes frymërore. “I vdekuri” frymëror është i aftë të bëjë jetë aktive, të edukohet, të sigurojë jetesën, të refuzojë Perëndinë dhe të vazhdojë të mëkatojë – apo t’i nënshtrohet bindjes së Frymës së Shenjtë, të pendohet nga mëkatet e tij dhe të besojë në Zotin Jezus Krisht si Shpëtimtarin e tij. Megjithatë MekArturi përsërit:

Si mundet një person që është i vdekur në mëkat, i verbëruar nga Satani, i paaftë të kuptojë gjërat e Perëndisë dhe i mbushur në mënyrë të vazhdueshme me të keqen, të ushtrojë papritur besim shpëtues? Një kufomë nuk mund të dalë më shpejt jashtë nga varri dhe të ecë [35].

Përkundrazi, Isaia shkruan për të vdekurit frymëror: “O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat…. I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht” (Isaia 55:1, 7). Me siguri të pabesët janë të vdekur në faje dhe mëkate. Megjithatë, atyre u urdhërohet të vinë, të pendohen dhe të pinë nga Krishti.

Ne pajtohemi se asnjë nuk do ta kërkojë Zotin nëse Ai nuk e kërkon më parë. Megjithatë, Shkrimi pohon se Perëndia i kërkon të gjithë. Ai u bën thirrje të gjithëve që kanë etje të shkojnë tek Ai dhe të pinë dhe të gjithë ata që janë të këqij të kthehen tek Ai me besim në mëshirën e Tij. Atëherë duhet të jetë e mundur për ata që janë të vdekur frymërisht që të dëgjojnë zërin e Perëndisë, të kthehen te Zoti, të besojnë ungjillin dhe të pranojnë faljen me anë të hirit të Tij.

Megjithatë mohimi i vazhdueshëm që i parilinduri mund të besojë në Krishtin është një pikë kryesore në kalvinizëm. Stili dhe Tomasi argumentojnë se “mëkatari është i vdekur, i verbër dhe i shurdhët për gjërat e Perëndisë…. Si rrjedhojë […] duhet rilindja me anë të të cilës Fryma e bën mëkatarin të gjallë dhe i jep atij një natyrë të re. Besimi nuk është diçka që njeriu kontribuon për shpëtim […[ por dhurata e Perëndisë ndaj mëkatarit…” [36]. Megjithatë, kur Pali dhe Sila thanë: “Beso në Zotin Jezus Krisht dhe do të shpëtohesh” (Veprat e Apostujve 16:31), a mos po sugjeronin se duke besuar rojtari i burgut do të kontribuonte besim ndaj shpëtimit të Tij? Absolutisht jo.

Dhe si mund t’i drejtohen Pali dhe Sila të vdekurit frymëror dhe ta ftojnë të besojë në Krishtin? Nga ta dinin ata se atyre që po u bënin ftesën do të rilindeshin në mënyrë sovrane dhe do t’i jepej besimi që të besonin? Natyrisht, Pali dhe Sila nuk ishin kalvinistë.

Një shpjegim i thjeshtë

Pjetri thotë se ne jemi “të zgjedhur sipas [kata] paranjohjes së Perëndisë” (1 Pjetrit 1:2). Fjala greke kata nënkupton tiparin homogjen apo harmoninë. Kështu zgjedhja apo paracaktimi i Perëndisë ishte në përputhje apo në harmoni me diçka që Ai paranjohu rreth atyre që Ai i paracaktoi për të marrë pjesë në bekimet e shpallura. Çfarë mund të ketë qenë kjo?

Me siguri mundësia më e madhe do të jetë se Perëndia i paranjohu ata që do të pendohen dhe besojnë ungjillin dhe mbi atë bazë Ai i paracakton “të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij” dhe “për t’u bindur”. Spërxhëni, duke u larguar në pamje të parë nga kalvinizmi i tij i rrëfyer shpesh, pohon:

Shiko, atëherë, me kujdes, se NGJASHMËRIA JONË ME KRISHTIN ËSHTË TEMA E SHENJTË E PARACAKTIMIT…. Zoti në hir të pakufi ka vendosur se një turmë e madhe të cilën asnjë njeri nuk mund ta numërojë […] do të kthehet sipas shëmbëlltyrës së Tij, në formën e veçantë në të cilën e shfaq Biri i Tij i Përjetshëm […] ngjashmërinë e Zotit nga Qielli [shkronjat me të mëdha në origjinal] [37].

Kalvinisti, për t’i bërë bisht paranjohjes si baza e paracaktimit, duhet të vendosë një domethënie tjetër për paranjohjen që i përshtatet teorisë së tij. Përgjithësisht, kjo përpjekje ka marrë dy forma. Pjesa më e madhe përpiqen të ruajnë se paranjohja, në vend që të nënkuptojë të njohësh që më përpara, do të thotë të përcaktosh më përpara apo të paracaktosh. Pajpëri shkruan: “ai [Perëndia] paranjeh – pra, zgjedh – një popull për vete…” [38]. Të tjerë sugjerojnë se do të thotë që të duash që më parë. Megjithatë ka disa arsye se pse nuk funksionon asnjë prej këtyre dredhive.

Disa autorë kalvinistë argumentojnë se “paranjohja” është “e barasvlershmja e këshillës së përcaktuar […] e diturisë dhe qëllimit të gjithëdijshëm të Perëndisë…, e drejta e Perëndisë ‘për të zgjedhur që më përpara’” [39]. MekArturi shkruan:

Prandaj, paranjohja e Perëndisë nuk është një referencë ndaj largpamësisë së gjithëdijshme të Tij, por paracaktimit të Tij. Perëndia shikon që më parë në të vërtetë se kush do të jetë besimtari, por besimi që shikon që më parë është besimi që Ai Vetë krijon. Nuk është se Ai thjesht shikon se çfarë do të ndodhë në të ardhmen; për më tepër Ai e cakton. Bibla mëson në mënyrë të qartë se Perëndia zgjedh në mënyrë sovrane njerëz që të besojnë në Të [40].

Ai nuk na ka treguar nga Shkrimi – ai thjesht pohon se është kështu për të mbështetur kalvinizmin. Por kjo nuk është ajo që thotë Shkrimi! Pajpëri citon Kranfildin (C. E. B. Cranfield), i cili i referohet paranjohjes së Romakëve 8:29 si “ajo njohje e veçantë e marrë nga një person i cili është hiri zgjedhës i Perëndisë”. Më pas Pajpëri komenton se “paranjohja është praktikisht e njëjtë me zgjedhjen…. Ai paranjeh – pra, zgjedh – një popull për Vete…” [41]. Por fjala greke është proginosko, e cila do të thotë të njohësh që më përpara në kuptimin e parashikimit. Kalvinisti po shtrembëron në mënyrë të skajshme Shkrimin për të mbështetur teorinë e tij.

Pjetri dallon në mënyrë shumë të qartë këshillën apo vendosmërinë po ashtu zgjedhjen nga paranjohja: “Ai [Krishti], pra, sipas këshillit [boule] të caktuar [horizo] dhe të paranjohur [proginosko] të Perëndisë…” (Veprat e Apostujve 2:23). Nëse këto janë njësoj, atëherë Pjetri po flet në mënyrë të pakuptim se Krishti u dorëzua “sipas paranjohjes dhe paranjohjes”, ose “sipas këshillit të caktuar dhe këshillit të caktuar” të Perëndisë. Pali në mënyrë të ngjashme bën një dallim të qartë: “Sepse ata që ai [Perëndia] i ka njohur që më parë, edhe [kai] i ka paracaktuar…”. Fjala greke kai tregon një diferencim, duke e bërë kështu të qartë se paranjohja nuk mund të jetë e njëjta gjë me paracaktimin, ose Pali, ashtu siç treguam më parë, po thoshte me fjalë të tepërta: “ata që ai i ka paracaktuar, edhe i ka paracaktuar”.

Funksioni thelbësor i paranjohjes

Kjo pohim i frymëzuar nga Pjetri në Ditën e Rrëshajave zbulon se Perëndia, në parathënien e ndodhive të ardhshme përmes profetëve të Tij dhe duke i përmbushur në histori, merr parasysh atë që Ai njeh me anë të paranjohjes së Tij se do të jenë veprimet dhe reagimet e njerëzve. Ai nuk e shkaktoi Judën që ta tradhtonte Krishtin, as nuk i shkaktoi judenjtë që ta refuzonin apo romakët që ta kryqëzonin – apo t’i ketë përcaktuar që të bënin një gjë të tillë. Ai bëri për këta persona specifikë, për të cilët ai e dinte se do të vepronin në atë mënyrë, që të ishin në skenë në kohën e duhur për të përmbushur vullnetin e Tij, edhe pse ata ishin të pavetëdijshëm se po përmbushnin profecinë. Pali pohon: “…duke mos e njohur këtë Jezus, duke e dënuar, kanë përmbushur fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë” (Veprat e Apostujve 13:27).

Të paranjohësh do të thotë thjesht të njohësh që më përpara. Dhe të njohësh që më përpara nuk është njësoj si të paracaktosh. Nëse Perëndia thjesht zgjodhi apo paracaktoi disa njerëz sepse i zgjodhi apo i paracaktoi ata, nuk do të kishte asnjë arsye të përmendej paranjohja. Në mënyrë të qartë, fakti që Perëndia paranjohu disa persona se do të besonin ungjillin ishte arsyeja për zgjedhjen apo paracaktimin e tyre për bekime të veçanta.

Fakti që paranjohje nuk do të thotë asgjë më tepër apo më pak se të njohësh që më përpara është i qartë jo vetëm në pjesët e veçanta të Shkrimit të treguara më sipër, por gjithashtu në pjesë të tjera ku përdoren të njëjtat fjalë greke në Dhiatën e Re. Pali, duke iu referuar udhëheqësve judenj të të njëjtës shkallë njohure me të, duke thënë “më njohin qysh atëherë” (Veprat e Apostujve 26:4, 5), përdor të njëjtën fjalë, progonisko, përkthyer te Romakëve 8:29 “ata që ai i ka njohur që më pare”. Pjetri përdor të njëjtën fjalë në një kontekst tjetër, por me një domethënie krejt të ngjashme: “Ju pra, shumë të dashur, duke i ditur [progonisko] këto gjëra…” (2 Pjetrit 3:17).

Kalvinistë të tjerë tregojnë mënyrën e shprehjes së marrëdhënieve seksuale në Dhiatën e Vjetër: “Adami njohu [yada] Evën, gruan e tij” (Zanafilla 4:1), “Kaini njohu [yada] të shoqen” (vargu 17) etj. Ata më pas sugjerojnë se “ata që Perëndia i ka njohur që më parë” aktualisht do të thotë “ata që Perëndia i donte që më përpara”. Por kjo nuk ka kuptim.

Ndërsa yada ndonjëherë përdoret për të treguar një marrëdhënie të veçantë – “Unë të njoha në shkretëtirë” (Osea 3:5); “Ju kam njohur midis tërë familjeve të dheut” (Amosi 3:2) – asnjëherë nuk nënkupton të njohësh që më përpara, ndonëse kjo është domethënia kryesore e fjalëve progonisko dhe prognosis. Prandaj, nuk ka lidhje midis këtyre fjalëve që të jetë ndonjë ndihmë për të mbështetur kalvinizmin.

Për më tepër, të “njohësh” një grua në anën seksuale nuk mund të ndodhë para këtij fakti, as Perëndia nuk e “njeh” njeriun në atë mënyrë. Prandaj, përpjekja për të lidhur dashurinë me paranjohjen përmes fjalës yada, për t’i dhënë domethënien “dashur që më përpara”, nuk funksionon. Megjithatë, kjo përpjekje e lodhur zbulon largësinë drejt së cilës kalvinisti detyrohet dhe dëshiron të shkojë për të mbrojtur teorinë e tij.

Pse të mos pranojmë domethënien më të thjeshtë?

Perëndia, në mënyrë të qartë, në gjithëdijen e Tij ka paranjohur nga përjetësia e largët ata të cilët, të bindur për mëkat dhe të tërhequr nga Fryma e Shenjtë, do t’i përgjigjeshin me dashje ungjillit. Në bazë të kësaj paranjohje Ai i paracaktoi apo i zgjodhi ata persona specifikë për bekime të veçanta, “…që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij […] për t’u bindur…”. Pali shton një bekim tjetër: “Sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri” (Efesianëve 1:4). Dejv Brisi shkruan: “Vëmë re gjithashtu se zgjedhja në Shkrimin nuk është për shpëtim, por ‘për t’u bindur’…. [Te] Romakëve kapitulli 8 […] paracaktimi mbështetet në paranjohjen e Perëndisë dhe objekti i tij nuk është shpëtimi, por ngjashmëria me shëmbëlltyrën e Krishtit” [42].

Pali dhe Pjetri po i nxitin të krishterët me atë që Perëndia ruan për ata që besojnë ungjillin. Pali pohon: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”. Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij…” (1 Korintasve 2:9, 10).

Për më tepër, jo vetëm që nuk thuhet se zgjedhja apo paracaktimi nuk janë për shpëtim, por Pali ndan në mënyrë të kujdesshme paracaktimin nga shpëtimi qoftë në thirrjen, shfajësimin apo përlëvdimin e tij: “Dhe ata që ai i paracaktoi edhe [kai] i thirri […] edhe [kai] i shfajësoi […] edhe [kai] i përlëvdoi” (Romakëve 8:30). Fjala greke kai tregon se po bëhet një dallim: paracaktimi nuk është e njëjta gjë me thirrjen, shfajësimin apo përlëvdimin. Hobsi (Hobbs) komenton: “Paracaktimi […] do të thotë thjesht se Perëndia ka paracaktuar që ata që do t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së Tij […] do të shfajësohen […] dhe për më tepër do të përlëvdohen. E tërë kjo është ‘sipas qëllimit të Tij’…” [43]. Domethënia e qartë e tekstit është e qartë.

Tepri fjalësh dhe më tepër gjepura

Ka një problem tjetër me interpretimin kalvinist të “paranjohjes”. Ngaqë e refuzon njohjen e asaj që do të bëjë njeriu (pra, të pendohet dhe besojë ungjill) nuk mund të përfshijë asgjë më tepër se njohjen nga Perëndia se çfarë do të bëjë Ai. Të thuash se Perëndia paranjohu atë që kishte paracaktuar do të ishte pa kuptim.

Për më tepër, do të ishte e pamundur që Perëndia të “paranjihte” atë që kishte si qëllim të bënte, sepse qëllimet e Tij kanë ekzistuar gjithmonë. Jakobi thotë: “Prej kohësh [aion] janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij” (Veprat e Apostujve 15:18). Fjala greke aion mbart kuptimin më tepër “nga tërë përjetësia”.

Është ironik fakti që Rob Zins i padit jokalvinistët duke mësuar se “ishte një kohë kur Perëndia nuk e dinte [atë që do të bënte njeriu]…. Megjithatë, është pretendimi ynë se Perëndia i njeh të gjitha gjërat sepse Ai i dëshiron të gjitha gjërat të ndodhin ashtu” [44]. Përkundrazi, ne pohojmë se që nga përjetësia e largët Perëndia ka njohur gjithçka që do të ndodhte në gjithësi dhe në mendjet dhe çështjet e njerëzve – jo ngaqë Ai “dëshiron të gjitha gjërat të ndodhin ashtu”, por ngaqë Ai i di të gjitha gjërat, pra, është i gjithëdijshëm.

Pajpëri ngul këmbë se “nuk paranjeh vendimet e lira të njerëzve për të besuar në të, sepse nuk ka vendime të tilla të lira për t’i njohur” [45]. Nëse është kështu atëherë njeriu është një kukull dhe Perëndia i mban fijet nga sipër për ta lëvizur si të dojë, duke e bërë paranjohjen të pakuptim. Pa zgjedhjen e lirë njeriu nuk do të ishte moralisht i arsyeshëm, nuk mund të donte Perëndinë, nuk mund të njihte dashurinë e Perëndisë, nuk mund të merrte dhuratën e shpëtimit, nuk mund të kishte përbashkësi domethënëse me Perëndinë apo ta adhuronte Atë. Spërxhëni pyeti: “A nuk do të jemi kurrë të aftë të futim në mendjet e njerëzve të vërtetën se paracaktimi dhe veprimi i lirë janë që të dy fakte?” [46].

Megjithatë Uajti shkruan: “Me fjalë të tjera, paranjohja e Perëndisë mbështetet në dekretin, planin apo qëllimin e Tij, i cili shpreh vullnetin e Tij dhe jo në ndonjë vepër të parashikuar vullneti pozitiv nga ana e njeriut”. Një përfundim i tillë është jo vetëm jobiblik, por sulmon arsyen. Nuk ka kuptim të thuash se Perëndia e paranjohu dekretin e Tij të përjetshëm – kjo nuk është e mundur. Meqë dekretet e Tij kanë qenë gjithmonë dhe prandaj nuk ka patur asnjë të ardhme për Të, nuk ka asnjë mënyrë në të cilën Ai mund të njihte se cilat do të ishin para se t’i dekretonte.

Gjithashtu askush nuk mund të thotë se Perëndia, ngaqë Ai e dinte para kohe që kishte dekretuar të shpëtonte disa persona, i ka shpëtuar ata. Paranjohja është shumë qartë arsyeja e dhënë për zgjedhjen dhe paracaktimin. Njohja e Perëndisë që më përpara se çfarë do të bënte nuk mund të jetë kurrë arsyeja për atë që bën.

Në mënyrë të qartë, duke e ditur që më përpara se kush do ta besonte ungjillin, Perëndia siguroi që ata individë ta dëgjonin ungjillin dhe Ai i paracaktoi ata të merrnin pjesë në shumë bekime që planifikoi t’u jepte të shpenguarve në tërë përjetësinë. Ky është përfundimi i arsyeshëm dhe i logjikshëm i nxjerrë nga gjuha e qartë e shprehur në këto pjesë. Pse të futemi në të thella të mëdha për të gjetur një domethënie tjetër, me qëllimin e vetëm për të mbështetur këtë teori?

Një vështrim më nga afër i zgjedhjes

Fjalët “paracaktoj” dhe “paracaktuar” përdoren vetëm katër herë në Shkrimin. Tri të parat tashmë janë marrë në konsideratë. E katërta do të trajtohet më vonë. Zgjedhja ka një domethënie të ngjashme dhe fjalët “i/e/të zgjedhur”, “zgjedhur”, “zgjedhje” dhe “të të zgjedhurve” përdoren së bashku njëzet e shtatë herë në Bibël.

Objektet e zgjedhjes apo paracaktimit të Perëndisë janë quajtur “të zgjedhurit”. Fjala “i zgjedhur” (bachiyr në hebraisht, eklektos në greqisht) përdoret në një larmi mënyrash. Ajo i referohet Mesias (Isaia 42:1; 1 Pjetrit 2:6), Izraelit apo judenjve (Isaia 45:4; 65:9, 22; Mateu 24:31; Marku 13:27), kishës (Romakëve 8:33; Kolosianëve 3:12; Titi 1:1), si Izraelit ashtu edhe kishës (Mateu 24:24; Marku 13:22; Luka 18:7), engjëjve (1 Timoteut 5:21) dhe një zonje (2 Gjonit 1, 13).

Këto vargje mbulojnë çdo përmendje të fjalës “i/e/të zgjedhur” në tërë Biblën. Asnjëherë kjo fjalë nuk përdoret për të përcaktuar një klasë të veçantë personash të cilët Perëndia i ka ndarë mënjanë për shpëtim dhe do vetëm këta. Një predikues nga “Kishat e Reformuara Protestante” në Amerikë, duke kundërshtuar Shkrimin (por duke u pajtuar me [veprën] Parimet” e Kalvinit), shkruan: “Kështu nuk mund të jetë që Perëndia të dojë gjithkënd. Meqë dashuria e Perëndisë është sovrane dhe gjithmonë një dashuri shpëtuese, vetëm ata që përjetojnë shpëtimin e Zotit mund të jenë objekt i dashurisë së Tij” [47]. Përsëri duhet të pyesim: Çfarë dashurie është kjo? Dhe ku shprehet në Shkrimin kjo ide?

Pesë pjesët përkatëse të Shkrimit

Fjala “i/e/të zgjedhur” haset katër herë në Dhiatën e Vjetër: një herë i referohet Mesias (Isaia 42:1) dhe tri herë i referohet Izraelit (Isaia 45:4; 65:9, 22). Asnjë prej këtyre nuk është me vend për kërkimin tonë. Në Dhiatën e Re fjala “i/e/të zgjedhur” haset shtatëmbëdhjetë herë, fjala “zgjedhje” gjashtë herë, “të të zgjedhurve” tri herë dhe fjala “zgjedhur” një herë.

Duke eliminuar njërin referim ndaj engjëjve, njërin që i referohet vetë Krishtit, tri referencat që mund të jenë si për Izraelin ashtu edhe për kishën, tre ndaj një zonje, katër judenjve që janë ruajtur gjatë Mundimit të Madh dhe që kanë mbijetuar nga Armagedoni dhe gjashtë që janë thjesht një emër për besimtarët në Krishtin, mbetemi me pesë që i takojnë temës së përgjithshme të zgjedhjes:

  1. Propozimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret… (Romakëve 9:11).
  2. Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit (Romakëve 11:5).
  3. Duke ditur, vëllezër të dashur prej Perëndisë, të zgjedhurit tuaj (1 Thesalonikasve 1:4).
  4. Të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për t’u bindur dhe për t’u spërkatur me gjakun e Jezu Krishtit; hiri dhe paqja u shtoftë mbi ju (1 Pjetrit 1:2).
  5. Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë (2 Pjetrit 1:10).

Këto pjesë të Shkrimit paraqesin të vërtetat e mëposhtme: 1) Perëndia vepron një qëllim të përcaktuar përmes zgjedhjes; 2) zgjedhja përfshin jo tërë njerëzimin, por një “mbetje”; 3) zgjedhja është sipas hirit të Perëndisë; 4) zgjedhja është “sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit”; dhe 5) mbeten disa përgjegjësi për të zgjedhurit për të përforcuar “zgjedhjen” e tyre.

Nëse zgjedhja është për shpëtim me anë të hirit të papërballueshëm pa ndonjë zgjedhje inteligjente apo morale nga ana e njeriut, do të ishte e pamundur të ishim të sigurt për zgjedhjen e dikujt. Por nëse zgjedhja është për shërbim dhe bekim, Pjetri po përforcon me fjalë të tjera nxitjen e Palit për të ecur “denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët” (Efesianëve 4:1-6).

Kështu, për ta bërë zgjedhjen e dikujt të sigurt do të thotë të përmbushësh përgjegjësitë që vijnë nga zgjedhja, jo të jesh deri diku i sigurt se dikush është midis të zgjedhurve dhe është kështu i shpëtuar përjetësisht. Marvin R. Vinsenti (Marvin R. Vincent), një autoritet në gjuhët biblike, shpjegon: “Ekloge, zgjedhja [është] përdorur për përzgjedhjen e Perëndisë së njerëzve apo veprime të misioneve apo arritjeve të veçanta…. [Në asnjë vend] në Dhiatën e Re nuk ka ndonjë garanci për doktrinën e neveritshme se Perëndia paracakton një numër të caktuar të njerëzimit për jetë të përjetshme dhe të tjerët për shkatërrim të përjetshëm” [48].

Argumentet e gabuara të Kalvinit

Ashtu siç kemi vënë re deri tani, zgjedhja përcaktohet nga paranjohja e Perëndisë: “të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit”. Kalvini, në përpjekjen për ta bërë paracaktimin dhe zgjedhjen që të kenë lidhje me shpëtimin në mënyrë që t’i vijë përshtat teorisë së tij, u korkoleps në arsyetime të gabuara dhe madje në herezi.

Për Efesianëve 1:4-5: “sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri, duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet”, Kalvini shkruan:

Duke thënë se ata u zgjodhën para se të themelohej bota, ai [Perëndia] i heq të gjitha referimet për meritë…. Në pohimin shtesë që ata u zgjodhën që të ishin të shenjtë, apostulli refuzon hapur gabimin e atyre që nxjerrin zgjedhjen nga paranjohja, meqë ai pohon se çfarëdo lloj virtyti që shfaqet te njeriu është rezultat i zgjedhjes” [49].

Keqkuptimi i tij është i qartë. Që Perëndia të paracaktojë për bekime të sigurta ata që Ai i paranjohu se do të besonin ungjillin nuk ka fare të bëjë me “meritën” e tyre. Është marrëzi të sugjerosh se një pjesë e meritës u atribuohet mëkatarëve nëse, me anë të zgjedhjes së tyre të lirë, e besojnë ungjillin dhe e pranojnë Zotin Jezu Krisht si Shpëtimtar. Në të vërtetë, është për shkak të padenjësisë dhe nevojës së tyre të madhe për shpëtim që mëkatarët kthehen tek Ai.

Dhe si mund të jenë “virtyte” bekimet që janë “rezultat i zgjedhjes” (ashtu siç thotë Kalvini më sipër), të cilat mund t’u atribuohen atyre që i pranojnë? Në fakt, arsyeja e zgjedhjes nuk përmendet fare këtu. Prandaj, kjo pjesë e Shkrimit nuk mund të përdoret për të lënë mënjanë atë që është pohuar qartë te Romakëve 8:29 dhe 1 Pjetrit 1:2 – që paranjohja e Perëndisë është arsyeja përtej zgjedhjes nga ana e Tij të disa personave për bekime të veçanta.

Kalvinisti argumenton se “të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë […] ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar” nuk mund të nënkuptojë atë që duket se nënkupton, përndryshe sovraniteti i Perëndisë do të hidhej në erë. Përkundrazi, nuk ka asgjë të qenësishme në konceptin e sovranitetit që të kërkojë se ata të cilëve Perëndia u jep në mënyrë sovrane një dhuratë nuk mund ta pranojnë apo refuzojë me të vërtetë. Dhe me siguri, Perëndia në paranjohjen e Tij di se cilët do të jenë ata persona dhe mund të planifikojë t’u japë atyre bekime të veçanta.

Që Perëndia, duke qenë jashtë dhe i pavarur nga koha, mund të njohë të ardhmen pa e shkaktuar atë të ndodhë është pranuar për shekuj me radhë nga shumë njerëz të cilët nuk mund të pranonin me ndërgjegje të pastër përkufizimin kalvinist të paranjohjes dhe paracaktimit. Për shembull, rreth vitit 1780, Xhon Uesli pohon në një predikim se:

Kur flasim për paranjohjen e Perëndisë, ne […] flasim […] sipas mënyrës së njerëzve. Sepse […] nuk ka as paranjohje apo mbas njohje për Perëndinë. Gjithçka […] duke qenë e pranishme për të njëkohësisht, ai nuk njeh një gjë para një tjetre, apo një gjë pas një tjetre; por shikon gjithçka […] nga përjetësia në përjetësi. Ashtu sikur tërë koha, me gjithçka që ekziston brenda, është e pranishme me të njëkohësisht, kështu që ai shikon njëkohësisht, çfarëdo që të ketë qenë, është apo do të jetë në fund të kohërave. Por vëzhgo; ne nuk duhet të mendojmë se ato janë, ngaqë ai i njeh ato. Jo; ai i njeh, sepse ato janë [50].

Disa dallime të rëndësishme

Ne mund të na ishte dhënë jeta e përjetshme dhe madje një vend një qiell si engjëjt, pa u bërë bij të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin për tërë trashëgiminë që ka Ai në Atin. Por Perëndia, në dashurinë dhe hirin e Tij të pafund, i paracaktoi besimtarët të jenë pjesë e familjes së Tij – vetë bijtë e Tij, që janë thirrur “në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus” (1 Pjetrit 5:10). Xhon Uesli thotë: “Perëndia dekreton, nga përjetësia në përjetësi, se të gjithë ata që besojnë në Birin e dashurisë së tij, do të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e tij…” [51].

Shpëtimi dallohet në mënyrë të qartë nga bekimet që e shoqërojnë – por Kalvini duhet t’i bënte njësh ose të njëjtën gjë, përndryshe çështja e tij do të humbiste. Endrju Telfordi (Andrew Telford), duke kundërshtuar këtë gabim dhe duke përsëritur shumë studiues të tjerë biblikë, shkruan: “Në asnjë pjesë të Biblës zgjedhja nuk lidhet me shpëtimin apo dënimin e shpirtit njerëzor…. Ajo ka të bëjë me shërbesën. Janë të zgjedhurit e Perëndisë që i shërbejnë Atij” [52]. Fatkeqësisht, Kalvini, duke u përpjekur që Shkrimi t’i përshtatej teorisë së tij, duket se bie thellë në gabim, përsëri duke u mbështetur tek Agustini:

Është vëzhguar me mençuri nga Agustini, që në majën e Kishës kemi një pasqyrë të shndritshme të zgjedhjes së lirë […] domethënë që ai [Krishti] nuk u bë Biri i Perëndisë duke jetuar në mënyrë të drejtë, por u paraqit bujarisht me këtë nder të madh, që ai më pas të bënte të tjerët pjesëmarrës të dhuratave të tij. A duhet të pyesë ndokush këtu se pse të tjerët nuk janë ajo që ishte ai […] nëse ata priren t’i heqin Perëndisë të drejtën e lirë të zgjedhjes [për shpëtim] dhe mallkim [paracaktimin për dënim], le të heqin në të njëjtën kohë atë që i ka dhënë Krishtit [53].

Kalvini duket se po mohon Birërinë e përjetshme të Krishtit dhe barazinë dhe unitetin e Tij të përjetshëm me Atin! Ai thotë se Krishti u bë Biri i Perëndisë, duke “u paraqitur bujarisht me këtë nder të madh…”. Ata që përpiqen të mbështetin Kalvinin citojnë zakonisht nga Psalmi 2:7, po ashtu edhe citimet e tij të Hebrenjve 1:5 dhe 5:5: “Ti je Biri im, sot më je lindur”. Ata pohojnë se kjo i referohet një kohe kur “Krishti u bë Biri i Perëndisë”. Kur mund të ketë qenë kjo? Duhet të ketë qenë në përjetësinë e largët, sepse Krishti ishte në mënyrë të qartë Biri i Perëndisë para se të lindte në botë: “Cili është emri i tij dhe emri i të birit, po qe se ti e di?” (Fjalët e Urta 30:4)?

Por nuk ka asnjë kohë në përjetësi – me siguri asgjë që mund të quhet “sot”. Koha filloi me krijimin e gjithësisë (Zanafilla 1:1). Për më tepër, Krishti, i cili “është i njëjtë dje, sot e përjetë” (Hebrenjve 13:8), duhet të ketë qenë për këtë arsye përjetësisht Biri i Perëndisë. Nuk ka patur asnjë moment në përjetësi kur “Krishti u bë Biri i Perëndisë”, ashtu siç pretendon Kalvini.

A ka ndonjë kontradiktë në Shkrimin? Sigurisht që jo. Psalmi 2:7 nuk i referohet fare bërjes së Krishtit Bir të Perëndisë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Ai është gjithmonë Bir i Perëndisë. Pali na thotë se “sot më je lindur” i referohet ringjalljes së Krishtit: “Duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin, ashtu si dhe është shkruar në psalmin e dytë: ‘Ti je Biri im, sot më linde’” (Veprat e Apostujve 13:33). Kjo përputhet me titullin e Tij “i parëlinduri nga të vdekurit” (Kolosianëve 1:18). Kalvini ishte me siguri në gabim për këtë pikë po ashtu edhe në shumë të tjera.

“Zgjedhja” e pretenduar e Krishtit me këtë nder pavarësisht nga të jetuarit “në mënyrë të drejtë” (pra, pa ndonjë meritë) përdoret më pas nga Kalvini për të vendosur zgjedhjen e pretenduar të njerëzve për shpëtim pa meritën apo veprat e tyre. Krahasimi i afrohet blasfemisë. Krishti është UNË JAM-i nga tërë përjetësia, njësh me Atin; dhe për shkak të asaj që është Ai ishte vetëm Ai që mund të na shpengonte. Në tërë Dhiatën e Vjetër, Jahve, Perëndia i Izraelit dhe i madhi UNË JAM, thotë në mënyrë të përsëritur: “Unë, unë jam Zoti dhe përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër” (Isaia 43:11 dhe shumë të tjerë). Jezusi pohon: “Para se të kishte lindur Abrahami, unë jam” (Gjoni 8:58).

Tallje dhe “mister”

Një prej elementëve të trishtueshëm të veprës Parimet” të Kalvinit është gjuha poshtëruese që përdor në mënyrë të vazhdueshme (në mënyrë të ngjashme me Luterin) për të përgojuar të gjithë ata që nuk pajtohen me të: “Kështu është që në kohën e tashme shumë qen e shqyejnë këtë këtë doktrinë [paracaktimin] me dhëmbë të helmuar […] e sulmojnë me lehjen e tyre…. Meqë i zmbraps njëfarë ndjenje turpi për të mos guxuar të vjellin blasfemitë e tyre kundër qiellit, që ata të mund t’i japin shfrimin e pakontrolluar tërbimit të tyre, ata pretendojnë të zgjedhin një zënkë me ne […] kjo doktrinë, të cilën njerëz të shthurur e sulmojnë pa të drejtë abuzohet ndonjëherë në mënyrë të keqe…. Të paudhët e bëjnë një turfullim të tillë me çilimillëqet e tyre të marra” [54] dhe kështu me radhë, faqe pas faqe.

Brenda vetë turfullimit të Kalvinit ka zakonisht pak thelb në argumentet e tij, të cilat mund t’i mbështetë vetëm duke abuzuar Shkrimin. Keqkuptimi i tij i dukshëm i pikëpamjeve kundërshtuese dhe arsyet e dobëta dhe jobiblike që përmend Kalvini për të refuzuar paranjohjen si bazë të paracaktimit, përforcohen me më shumë tallje:

Ne, me të vërtetë, ia atribuojmë paranjohjen dhe paracaktimin Perëndisë; por themi se është absurde ta bëjmë të dytën të ndërvarur nga e para… [55]. Të tjerë, që nuk janë mësuar me Shkrimin, as me ndonjë titull me peshë, e sulmojnë doktrinën e shëndoshë me një zemërim dhe pandershmëri të tillë që është e pamundur të tolerohet… Ata të paktën duhet të përmbahen nga ndjenjat e ndrojtjes për të mos folur aq me besim për këtë mister kaq sublim [56].

Fakti se paranjohja është arsyeja për paracaktimin, ashtu siç pohon Shkrimi, nuk e bën këtë të fundit të ndërvarur nga e para. Që të dyja janë midis shumë cilësive dhe aftësive të pafundme ekskluzive të Perëndisë, asnjë prej të cilave nuk është e varur apo e ndërvarur nga njëra-tjetra. Tërë cilësitë e Perëndisë ushtrohen në një harmoni të përsosur me njëra-tjetrën. Kështu, argumenti i Kalvinit e humbet plotësisht fillin. Dhe këtu, përsëri, ai përdor “misterin” kur gjithçka e lë në baltë.

 

[[11]] Gordon H. Clark, Predestination (Philipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1987), 181.[[11]] [[12]] Arthur C. Custance, The Sovereignty of Grace (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1979), 7.[[12]] [[13]] Numrat 16:5; 1 Mbretërve 19:18, Psalmet 65:4; 80:18-19; 110:3; Fjalët e Urta 16:1; Isaia 26:12; Jeremia 10:23; 31:18-19; 50:30; Vajtimet 5:21.[[13]] [[14]] Loraine Boettner, The Reformed Doctrine of Predestination (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1932), 346.[[14]]



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Herbert Lockyer, All the Doctrines of the Bible (Grand Rapids, MI: Zondervan, 1964), 153. ↵ Kthehu mbrapa
  2. H. A. Ironside, Full Assurance (Chicago: Moody Press, 1937), 93-94. ↵ Kthehu mbrapa
  3. Edward Maslin Hulme, The Renaissance. the Protestant Reformation, and the Catholic Revolution (New York: The Century Company, 1920), 299. ↵ Kthehu mbrapa
  4. John Calvin, Institutes of the Christian Religion, përkth. Henry Beveridge (Grand Rapids, MI: Wm. Eerdmans Publishing Company, botim i vitit 1998), Ill: xxiii, 5. ↵ Kthehu mbrapa
  5. Edwin H. Palmer, parathënie e the five points of calvinism (Grand Rapids, MI: Baker Books, botim i zgjeruar, 20th prtg. 1980). ↵ Kthehu mbrapa
  6. John H. Leith, Introduction to the Reformed Tradition (Atlanta, GA: John Knox Press, botim i riparë 1981), 103. ↵ Kthehu mbrapa
  7. Arthur W. Pink, The Sovereignty of God (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 2nd prtg. 1986), 52. ↵ Kthehu mbrapa
  8. Calvin, Institutes, III: xxi, 5. ↵ Kthehu mbrapa
  9. Po aty, III: xxiii, 1, 4. ↵ Kthehu mbrapa
  10. Laurence M. Vance, The Other Side of Calvinism (Pensacola, FL: Vance Publications, botim i riparë, 1999), 248. ↵ Kthehu mbrapa
  11. “Five Common Questions on the Doctrine of Election Simply and Clearly Answered”, The Baptist Examiner, 20 nëntor 1993, 5; cituar te Vance, Other Side, 248. ↵ Kthehu mbrapa
  12. Alfred S. Geden, Comparative Religion (London: Society for Promoting Christian Knowledge, 1917), 102-103. ↵ Kthehu mbrapa
  13. John Horsch, History of Christianity (John Horsch, 1903), 104-105. ↵ Kthehu mbrapa
  14. R. C. Sproul, Jr., Almighty Over All (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1999), 54. ↵ Kthehu mbrapa
  15. Henry C. Sheldon, History of Christian Doctrine (New York: Harper and Bros., botimi i dytë, 1895), II: 163. ↵ Kthehu mbrapa
  16. Palmer, five points, 24-25. ↵ Kthehu mbrapa
  17. A. W. Harrison, Arminianism (Londër: Duckworth, 1937), 189. ↵ Kthehu mbrapa
  18. Jennifer L. Bayne dhe Sarah E. Hinlicky, “Free to be Creatures Again: How predestination descended like a dove on two unsuspecting seminarians, and why they are so grateful”, Christianity Today, 23 tetor 2000, 38-44. ↵ Kthehu mbrapa
  19. Paul K. Jewett, Election and Predestination (Grand Rapids, MI: Wm B. Eerdmans Publishing Co., botim i vitit 1985), 5. ↵ Kthehu mbrapa
  20. Boettner, Reformed, 365. ↵ Kthehu mbrapa
  21. Horsch, History of Christianity. ↵ Kthehu mbrapa
  22. Calvin,lnstitutes, III: xxiii,1. ↵ Kthehu mbrapa
  23. Boettner, Reformed, 104. ↵ Kthehu mbrapa
  24. Michael Scott Horton, Putting Amazing Back Into Grace (Nashville, TN: Thomas Nelson Publishers, 1991), 96. ↵ Kthehu mbrapa
  25. Piper and Staff, “TULIP: What We Believe about the Five Points of Calvinism: Position Paper of the Pastoral Staff” (Minnepolis, MN: Desiring God Ministries, 1997), 3. ↵ Kthehu mbrapa
  26. Po aty, 27-28. ↵ Kthehu mbrapa
  27. John L. Dagg, Manual of Theology and Church Order (Harrisburg, VA: Sprinkle Publications, 1982), 309. ↵ Kthehu mbrapa
  28. Piper and Staff, “TULIP”, 19. ↵ Kthehu mbrapa
  29. John F. MacArthur, Jr., Faith Works: The Gospel According to the Apostles (Dallas, TX: Word Publishing, 1993), 64-67. ↵ Kthehu mbrapa
  30. Vance, Other Side, 522. ↵ Kthehu mbrapa
  31. John MacArthur Jr., Saved Without A Doubt – MacArthur Study Series (Colorado Springs: Chariot Victor Books, 1992), 58. ↵ Kthehu mbrapa
  32. David N. Steele dhe Curtis C. Thomas, The Five Points of Calvinism (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co, 1963), 16. ↵ Kthehu mbrapa
  33. Charles Haddon Spurgeon, The Treasury of the New Testament (Grand Rapids, MI: Zondervan, 1950), II: 72. ↵ Kthehu mbrapa
  34. Piper and Staff, “TULIP”. ↵ Kthehu mbrapa
  35. S. Raymond Cox, “What Caused God To Choose His People?” (dokument i botuar vetë, 1980), 3. ↵ Kthehu mbrapa
  36. MacArthur, Saved, 59. ↵ Kthehu mbrapa
  37. Piper and Staff, “TULIP”, 22. ↵ Kthehu mbrapa
  38. Dave Breese, “The Five Points of Calvinism” (dokument i botuar vetë, n. d.). ↵ Kthehu mbrapa
  39. Herschel H. Hobbs, Fundamentals of our Faith (Nashville: Broadman, 1960), 94-99. ↵ Kthehu mbrapa
  40. Robert M. Zins, “A Believer’s Guide to 2nd Peter 3:9” (monogradi e botuar vetë, n. d.), 2-3. ↵ Kthehu mbrapa
  41. Piper dhe stafi, “TULIP”, 22. ↵ Kthehu mbrapa
  42. Charles Haddon Spurgeon, The Best Bread: Sermons Preached in 1887 (New York: Funk and Wagnalls, 1891), 109. ↵ Kthehu mbrapa
  43. Steven R. Houck, “God’s Sovereignity In Salvation” (The Evangelism Commitee, Protestant Reformed Church, Hollandë e Jugut, Illinois, n. d.), 10. ↵ Kthehu mbrapa
  44. Marvin R. Vincent, Word Studies in the New Testament (New York: Charles Scribner’s Sons, 1924), IV: 16. ↵ Kthehu mbrapa
  45. Calvin, Institutes, III: xxii, 2. ↵ Kthehu mbrapa
  46. John Wesley, Sermons on Several Occasions (New York: J. Emory and B. Waugh, për Kishën Metodiste Episkopale në Zyrën e Konferencave, 14 Crosby Street, 1831), II: 39. ↵ Kthehu mbrapa
  47. Po aty, II: 39. ↵ Kthehu mbrapa
  48. Andrew Telford, Subjects of Sovereignty (Harvest Time Ministries, 1980), 55-56. ↵ Kthehu mbrapa
  49. Calvin, Institutes, III: xxii, 1. ↵ Kthehu mbrapa
  50. Po aty, I: xvii, 2, 3. ↵ Kthehu mbrapa
  51. Po aty, III: xxi, 5. ↵ Kthehu mbrapa
  52. Po aty, xxii, 1. ↵ Kthehu mbrapa