2 dhjetor

[no_toc]

2 dhjetor

«…duke i folur njëri-tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj» (Efesianeve 5:19, NASB).

Këtu këndimi është i lidhur me mbushjen e Frymës, sikur këndimi të jetë një nga rezultatet e sigurta të mbushjes. Ndoshta kjo është arsyeja përse pothuaj të gjitha rizgjimet e mëdha në histori janë shoqëruar me këndime. Rizgjimi i Uellsit është një shembull i dukshëm.

Asnjë grup njerëzish nuk ka më shumë arsye për të kënduar se të krishterët dhe asnjë grup njerëzish nuk ka një trashëgimi të tillë të pasur psalmesh, himnesh dhe këngësh frymërore. Himnet tona shprehin me gjuhë madhështore atë që e ndiejmë shpesh, por që nuk mund ta shprehim. Disa himne shprehin mendime që mund të jenë përtej përvojës sonë – himne të përkushtimit total si «Gjithçka dorëzoj». Në raste të tilla ne mund t’i këndojmë ato si aspiratën e zemrës sonë.

Në këndimet frymërore nuk është ritmi apo melodia apo harmonia ajo që ka rëndësi. Gjëja e rëndësishme është se mesazhi del nga zemra dhe ngrihet drejt Perëndisë në fuqinë e Frymës së Shenjtë. Meri Bouli (Mary Bowley) e shprehu këtë të vërtetë bukur në rreshtat:

O Zot, e dimë se nuk ka rëndësi
sa të ëmbël e ka kjo këngë këtë melodi;
asnjë zemër, veç ajo e mësuar nga Fryma
nxjerr melodi për Ty.

Fryma e Perëndisë mund t’i përdorë këndimet siç mund të përdorë predikimin e Fjalës. Nëna e Gratan Ginisit (Grattan Guinness) dëgjoi një fermer duke kënduar ndërsa plugonte tokën dhe ajo vendosi të mos kryente vetëvrasje duke u mbytur në lumë. Dr. Ginisi tha më vonë: «Për gjithçka që jam për Perëndinë, i detyrohem një bujku të krishterë të përulur që këndonte lavdërimet e Zotit ndërsa kryente punën e ulët».

Ata që merren me shërbesën e muzikës së krishterë duhet të ruhen nga dy rreziqe. Njëri është rreziku i vendosjes së vetes në qendër. Sikurse me format e tjera të shërbesës publike, është e lehtë që t’i futemi një udhëtimi të egos gjigante. Ekziston gjithmonë tundimi që të përpiqemi t’u lëmë njerëzve përshtypje me talentet tona, në vend që të këndojmë për lavdinë e Perëndisë dhe për bekimin e popullit të Tij.

Tjetri është rreziku i argëtimit, në vend të ndërtimit. Është shumë e mundshme të këndojmë fjalë me aftësi të mëdha muzikore dhe, prapëseprapë, të mos e përçojmë mesazhin në zemrat e dëgjuesve. Dhe është e mundshme t’i emocionojmë njerëzit me këngë që janë shkumore (emocionuese), të cekëta dhe krejt të padenja për Zotin që duam.

Kultura të ndryshme kanë shije të ndryshme në muzikë, por në të gjitha kulturat këngët duhet të jenë të shëndosha në doktrinë, plot respekt në trajtë dhe ndërtuese frymërisht.

[previous][next]