2 janar

[no_toc]
2 janar – ÇDO DITË ME RADHË

«Me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten» (Filipianeve 2:3b).

Ta çmosh tjetrin më shumë se vetveten është kundër natyrës; natyra njerëzore e rënë [në mëkat] rebelohet para një goditjeje të tillë që i bëhet egos së saj. Është e pamundur nga ana njerëzore; ne nuk e kemi në vetvete fuqinë për të jetuar një jetë të botës tjetër [frymërore]. Por është e mundshme nga ana hyjnore; Fryma e Shenjtë që banon brenda nesh na fuqizon ta fshehim veten që të tjerët të nderohen.

Gedeoni e ilustron tekstin tonë. Pasi treqind burrat e tij i kishin mundur madianitët, ai kërkoi ndihmën e njerëzve të Efraimit për të dhënë goditjen përfundimtare. Ata i dolën gjatë rrugës kur [armiqtë] po arratiseshin dhe kapën dy princa të Madianit. Por ata u ankuan që nuk ishin thirrur më parë. Gedeoni u përgjigj se qëmtimi i Efraimit vlente më shumë se sjellja e Abiezerit (Gjyqtaret 8:2), domethënë, operacioni fshirës i bërë nga burrat e Efraimit ishte më i shquar se e tërë fushata e kryer nga Gedeoni. Kjo frymë altruizmi u pëlqeu burrave të Efraimit.

Joabi shfaqi një altruizëm të madh kur e kapi Rabahun dhe më pas kërkoi të vinte Davidi për të dhënë goditjen vdekjeprurëse (2 i Samuelit 12:26-28). Joabi ishte krejt i kënaqur që lavdinë për fitoren ta merrte Davidi. Ky ishte një nga çastet më fisnike në jetën e Joabit.

Apostulli Pal i çmoi filipianët më shumë se vetveten. Ai tha se ajo çfarë po bënin ata ishte sakrifica domethënëse për Perëndinë, ndërsa ai nuk ishte asgjë më shumë se një ofertë pije, i derdhur mbi flijimin dhe shërbimin e besimit të tyre (Filipianeve 2:17).

Në kohët më të fundit, një shërbëtor i dashur i Krishtit po priste në një paradhomë bashkë me predikues të shquar, gati për të dalë në një platformë. Kur më në fund u shfaq te dera dhe pasoi një brohoritje buçitëse, ai kaloi anash menjëherë me qëllim që brohoritjen ta merrnin ata që po e ndiqnin.

Shembulli suprem i vetësakrifikimit është Zoti Jezus. Ai e përuli Veten që ne të lartësohemi. Ai u bë i varfër që ne të bëhemi të pasur. Ai vdiq që ne të jetojmë.

«Kini në ju po atë mendje që ishte në Jezus Krishtin».