2 mars | çdo ditë me radhë
«Fryti i Frymës është dashuria…» (Gal. 5:22).
Fraza «fryti i Frymës» na mëson që në fillim se virtytet që pasojnë mund të prodhohen vetëm nga Fryma e Shenjtë. Një njeri jo i konvertuar është i paaftë për të shfaqur ndonjë nga këto cilësi të hirshme. Madje edhe një besimtar i vërtetë është i pafuqi për t’i shfaqur këto me forcën e vet. Kështu që kur mendojmë për këto cilësi të hirshme, ne duhet të kujtojmë se ato janë të mbinatyrshme dhe jo të kësaj bote.
Për shembull, dashuria për të cilën flitet këtu nuk është «erosi» i pasionit ose «philia» e miqësisë ose «storge» e dhembshurisë. Ajo është dashuri agape – lloji i dashurisë që ka treguar Perëndia për ne dhe që Ai dëshiron nga ne për t’ua shfaqur të tjerëve.
Më lejoni t’a ilustroj! Dr. T. E. MekKuli (T. E. McCully) ishte babai i Ed MekKulit, një nga pesë të rinjtë misionarë që u martirizuan nga indianët auka në Ekuador. Një natë kur Dr. MekKuli dhe unë ishin në gjunjë së bashku në Parkun e Lisave, Ilinois, mendimet e tij u kthyen mbrapa në Ekuador dhe te Lumi «Curaray» që mban sekretin e vendndodhjes së trupit të Edit. Ai u lut: «Zot, bëj që të jetoj aq gjatë, sa t’i shoh të shpëtohen ata që vranë djemtë tanë, që të hedh krahët e mi rreth tyre dhe t’u them se i dua, sepse ata e duan Krishtin tim». Kur u ngritëm, pashë currila lotësh duke shkuar zigzag në faqet e tij.
Perëndia iu përgjigj asaj lutjeje me dashuri. Disa nga ata indianë auka rrëfyen më vonë besim në Krishtin. Dr. MekKuli shkoi në Ekuador, i takoi ata burra që vranë birin e tij, hodhi krahët rreth tyre dhe u tha se i donte, sepse ata e donin Krishtin e tij.
Kjo është dashuri agape. Ajo është e paanshme, duke kërkuar më të mirën e të gjithëve – për atë që nuk është i pashëm dhe për atë që është i tillë, për armiqtë si edhe për miqtë. Ajo është e pakushtëzuar, duke mos kërkuar asgjë si shpërblim për bujarinë e saj të vazhdueshme. Ajo është sakrifikuese, duke mos menduar për koston. Ajo nuk është egoiste, duke qenë më tepër e shqetësuar për nevojat e të tjerëve se të vetat. Ajo është e pastër, pa asnjë gjurmë padurimi, lakmie, krenarie, hakmarrje ose mëri.
Dashuria është virtyti më i madh i jetës së krishterë. Pa atë, përpjekjet tona më fisnike janë të kota.