2 nëntor

[no_toc]

2 nëntor

«Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin» (1 e Korintasve 15:58).

Nuk është e rrallë që dikush të dekurajohet në shërbesën e tij për Zotin dhe të ndalojë së shërbyeri. Mendoj se shumica prej nesh janë përballur me këtë tundim në një rast apo në një tjetër. Prandaj në meditimin e sotëm dua të ndaj me ju katër pjesë që kanë qenë një inkurajim i pamasë për mua dhe që më kanë mbrojtur për të mos ndaluar së shërbyeri. Pjesa e parë është Isaia 49:4: «Por unë thosha: “Më kot jam lodhur, për hiç gjë dhe pa dobi e kam harxhuar forcën time, por me siguri e drejta ime është pranë Zotit dhe shpërblimi im pranë Perëndisë tim”». Ka momente, për fat të mirë raste të rralla, kur vite të tëra shërbimi ndaj Zotit duken se avullojnë në hiçgjë. Gjithë puna jonë duket se ka qenë një përpjekje e harxhuar kot. Duket si një rast tjetër i një «mundimi të humbur dashurie».Por nuk është kështu! Vargu na garanton që drejtësia e Perëndisë do të sigurojë që ne të shpërblehemi në mënyrë mbretërore. Asnjë gjë që bëhet për Të nuk është ndonjëherë më kot.

Pjesa e dytë është Isaia 55:10, 11: «Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbij në mënyrë që ai që do të mbjellë të marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë, kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova». Ata që merren me shpërndarjen e Fjalës së gjallë të Perëndisë sigurohen se do të kenë sukses. Rezultatet janë të garantuara. Fjala e Tij është e papërballueshme. Ashtu sikurse ushtritë e botës janë të pafuqishme për të penguar shiun dhe borën që të bien, po kështu gjithë ushtritë e demonëve dhe të njerëzve nuk janë në gjendje të ndalojnë Fjalën e Zotit që të shpallet dhe të shkaktojë kthesa rrënjësore në jetët e njerëzve. Ne jemi në anën fitimtare.

Pastaj kemi inkurajimin e mrekullueshëm te Mateu 10:40: «Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar». A je trajtuar ndonjëherë me mospërfillje për shkak të dëshmisë si i krishterë? A je dëbuar? A je tallur? A je sharë? A ta ka përplasur dikush derën në fytyrë? Dëgjo, atëherë! Mos e merr këtë tepër personale. Duke mos të pranuar ty, njerëzit janë në të vërtetë duke mos pranuar Shpëtimtarin. Mënyra se si njerëzit të trajtojnë ty është mënyra se si ata e trajtojnë Zotin. Sa e mrekullueshme që të jesh kaq afër edhe kaq i lidhur me Birin e Perëndisë!

Dhe, sigurisht, kemi vargun te 1 e Korintasve 15:58 (që e cituam në fillim). Në këtë pjesë Pali shpall të vërtetën e ringjalljes. Nëse kjo jetë do të ishte gjithçka, atëherë mundi ynë do të ishte i kotë. Megjithatë, përtej varrit shtrihet lavdia e përjetshme. Gjithçka që bëhet në Emrin e Zotit do të shpërblehet në atë kohë. Asnjë shërbesë e përzemërt nuk do të jetë e pafrytshme ose e kotë.

Shërbesa e krishterë është thirrja më e lavdishme e të gjitha thirrjeve. Nuk ekziston asnjë arsye e vlefshme për të ndaluar së shërbyeri. Inkurajimet e Fjalës së Perëndisë janë mjaft për të na mbrojtur që të mos kthehemi mbrapa.

[previous][next]