2 qershor

[no_toc]

2 qershor | çdo ditë me radhë

«Tani mjaft, o Zot! Merre jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi» (1 i Mbreterve 19:4b).

Nuk është e pazakontë për njerëzit e Zotit që të vuajnë nga depresioni nervor, ashtu siç ndodhi me Elian. Moisiu dhe Jona gjithashtu dëshiruan që të vdisnin (Eksodi 32:32; Jona 4:3). Zoti nuk u ka premtuar kurrë besimtarëve çlirim nga ky lloj shqetësimi. As nuk tregon medoemos prania e këtij pikëllimi ndonjë mungesë besimi a të qenit frymëror. Kjo mund t’i ndodhë çdonjërit prej nesh.

Kur të godet, është pak a shumë kështu. Ju ndieni se Perëndia ju ka braktisur, edhe pse e dini shumë mirë që Ai nuk i braktis kurrë të vetët. Ju i drejtoheni Fjalës së Perëndisë për ngushëllim dhe pothuaj gjithnjë e hapni te një pjesë që flet për mëkatin e pafalshëm ose gjendjen e pashpresë të një femohuesi. Ju përjetoni mërzitjen e një pikëllimi që nuk mund të hiqet nga një operim dhe nuk mund të kurohet me ilaçe. Miqtë të sugjerojnë që duhet «të shkëputesh nga kjo», por ata nuk të tregojnë kurrë se si ta bësh këtë. Ju luteni dhe dëshironi me të madhe ndonjë mënyrë të shpejtë shërimi, por kuptoni se kur dërrmimi nervor vjen me kile, ai largohet me gramë. Gjithçka që të vjen në mendje është vetja dhe mjerimi yt. Në dëshpërim e sipër ju dëshironi që të vdisni përmes një akti dramatik nga Perëndia.

Një depresion i tillë mund të ketë disa shkaqe të ndryshme. Mund të jetë një problem fizik; anemia, për shembull, mund të bëjë që mendja të luajë me ty [të të mashtrojë]. Mund të jetë një shkak frymëror; mëkati që nuk është rrëfyer ose falur mund ta bëjë këtë. Mund të ketë baza emocionale; këtë mund ta sjellë pabesia e partnerit. Puna e tepërt ose stresi mendor i skajshëm mund të çojë drejt rraskapitjes nervore. Ose kjo mund të shkaktohet nga ndonjë mjekim ndaj të cilit mund të reagojë jo për mirë te një individ i caktuar.

Çfarë mund të bëhet? Së pari, shko te Perëndia në lutje, duke i kërkuar Atij që të shfaqë qëllimet e Tij të mrekullueshme. Rrëfe dhe braktis çdo mëkat të njohur. Fal këdo që mund të të ketë ofenduar [që ka mëkatuar kundër teje]. Më pas bëj një kontroll të plotë mjekësor për të përjashtuar çdo sëmundje fizike si një shkak të mundshëm. Ndërmerr veprime të forta për të eliminuar shkaqet e punës së tepërt, shqetësimit, stresit dhe çdo gjëje tjetër që mund të të shqetësojë. Çlodhje e rregullt, ushqim i mirë dhe punë fizike në ambient të hapur sigurojnë të gjitha një terapi të mirë.

Në vazhdim duhet të mësosh se si të mbash ritmin, të jesh në gjendje të thuash «jo» ndaj kërkesave që mund të të shtyjnë përsëri drejt buzës së rrezikshme.