20 korrik

[no_toc]

20 korrik

«Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik» (Fjalet e Urta 18:24).

Edhe pse të gjitha versionet moderne e përkthejnë këtë varg ndryshe, Versioni i Mbretit Xhejms ruan të vërtetën e vlefshme se miqësitë duhen kultivuar. Ato lulëzojnë nga vëmendja, por vdesin nga lënia pas dore.

Një kryeartikull në «Revista Vendimi» (Decision Magazine) tha: «Miqësitë nuk është se thjesht ndodhin; ato duhet të kultivohen – me pak fjalë, ne duhet të punojmë për ato. Ato nuk ndërtohen vetëm në të marrit, ato ndërtohen në të dhënit. Ato nuk janë vetëm për kohët e mira, ato janë për kohët e këqija gjithashtu. Ne nuk ia fshehim nevojat tona një miku të vërtetë. As nuk kapemi pas një miku vetëm për të patur ndihmën e tij».

I vlen ta mbash një mik të mirë. Ai është përkrah teje kur akuzohesh gabimisht. Ai të lavdëron për çdo gjë të lavdërueshme dhe është i hapur që të nxjerrë në pah fusha që kërkojnë përmirësim. Ai i mban lidhjet me kalimin e viteve, duke qenë pjesë e gëzimeve dhe dhimbjeve.

Kjo është e rëndësishme – të mbash lidhjet. Kjo mund të bëhet përmes letrave, kartolinave, telefonatave, vizitave. Por miqësia është një rrugë me dy kalime. Nëse dështoj vazhdimisht që t’u përgjigjem letrave, unë jam duke thënë se nuk e konsideroj miqësinë të denjë për t’u vazhduar. Unë jam tepër i zënë. Ose nuk mund të shqetësohem. Ose e kam zët të shkruaj letra. Të pakta janë miqësitë që mund të mbijetojnë me lënien pas dore të vazhdueshme.

Refuzimi ynë për të mos komunikuar është shpesh një formë e egoizmit. Ne jemi duke menduar për vetveten, për kohën, përpjekjet dhe koston e përfshirë. Miqësia e vërtetë mendon për të tjerët – se si ne mund të inkurajojmë ose të ngushëllojmë ose të gëzojmë ose të ndihmojmë; se si mund t’u shërbejmë atyre ushqim frymëror.

Sa shumë u detyrohemi miqve që na janë gjendur pranë me një fjalë të dhënë nga Fryma kur kjo ka qenë më se e nevojshme! Ka qenë një kohë në jetën time kur po ndjehesha shumë ulët për një zhgënjim të thellë në shërbesën e krishterë. Një mikeshë që nuk mund ta ketë ditur për zhgënjimin tim shkroi një letër të gëzueshme ku ajo citoi Isaia 49:4 – «Por unë thoja: “Më kot jam lodhur; për hiç gjë dhe pa dobi kam harxhuar forcën time; por me siguri e drejta ime është pranë Zotit dhe shpërblimi im pranë Perëndisë tim”». Ishte pikërisht fjala që më nevojitej për të më ngritur dhe për të më bërë që t’i kthehesha punës.

Çarls Kingsli (Charles Kingsley) shkroi: «Mund të harrojmë një mik,/ mund të harrojmë një fytyrë,/ që na gëzoi deri në fund,/ që na tendosi për garën tonë?/ Për shpirtrat e perëndishëm, sa i thellë është borxhi!/ Ne nuk do, nëse mundemi, ta harrojmë».

Shumica prej nesh kanë vetëm disa miq të ngushtë në jetë. Duke qenë kështu ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundshme për t’i mbajtur këto miqësi të forta dhe të shëndetshme.

[previous][next]