21 maj

[no_toc]

21 maj | çdo ditë me radhë

«Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt!» (Gjoni 12:24).

Një ditë disa grekë shkuan te Filipi me kërkesën fisnike: «Zotëri, duam të shohim Jezusin!» Po përse ata donin që ta shihnin Atë? Ndoshta ata donin që ta merrnin Atë me vete në Athinë si një filozof të ri të famshëm. Ose ndoshta ata donin që ta shpëtonin nga kryqëzimi dhe vdekja, që tani dukej e pashmangshme.

Jezusi iu përgjigj me një nga ligjet e mëdha të korrjes: një kokërr gruri duhet të futet në tokë dhe të vdesë nëse ka për t’u bërë e frytshme. Nëse Ai do ta ruante Veten nga vdekja, Ai do të mbetej i vetëm. Ai do t’i gëzonte i vetëm lavditë e qiellit; atje nuk do të kishte asnjë mëkatar të shpëtuar që do të ishte pjesë e lavdisë së Tij. Por nëse Ai vdiste, Ai do të siguronte një rrugë shpëtimi përmes së cilës shumë [njerëz] do të gëzonin jetë të përjetshme. Ai e konsideroi të domosdoshme që të vdiste me një vdekje sakrifikuese, sesa të jetonte një jetë të rehatshme.

T. G. Regland (Ragland) tha dikur: «Nga të gjitha planet që sigurojnë sukses, më i sigurti është ai i vetë Krishtit, që u bë një kokërr gruri, që ra mbi dhé dhe vdiq. Nëse nuk pranojmë të bëhemi kokrra gruri […] nëse nuk sakrifikojmë perspektiva, nuk rrezikojmë karakterin si dhe pronën dhe shëndetin; nëse, kur thirremi, nuk braktisim shtëpinë dhe nuk shkëputim lidhjet familjare për hirin e Krishtit, atëherë do të banojmë vetëm. Por nëse duam që të jemi të frytshëm, ne duhet të ndjekim vetë Zotin tonë të bekuar, duke u bërë një kokërr gruri dhe duke vdekur, atëherë do të japim shumë fryt».

Vite më parë lexova për një grup misionarësh në Afrikë që kishin punuar pa u lodhur për vite të tëra pa parë ndonjë fryt të qëndrueshëm për Perëndinë. Duke qenë të dëshpëruar ata lajmëruan përfundimisht për një konferencë ku ata do shkonin para Perëndisë me lutje dhe agjërim. Në diskutimin që pasoi, një nga misionarët tha: «Unë nuk besoj që do të shohim ndonjëherë bekim derisa një kokërr gruri bien në tokë dhe vdes». Pas një kohe të shkurtër, po ai misionar u sëmur dhe vdiq. Atëherë filloi korrja – bekimi që ai kishte parathënë.

Samuel Zvemer (Samuel Zwemer) shkroi:

Nuk ka fitim, veçse nga një humbje,
ju s’mund të shpëtoni, veçse nga një kryq;
që kokrra e grurit të ketë shtesë
duhet të bjerë në tokë dhe të vdesë.
Sa herë që sheh fushat e arrira,
duke tundur para Zotit duajt e arta,
sigurohu që ndonjë kokërr gruri të ketë vdekur,
që ndonjë shpirt atje të jetë kryqëzuar–
që dikush është munduar, ka qarë dhe është lutur,
dhe ka luftuar legjionet e ferrit i patundur.

[previous][next]