22 nëntor

[no_toc]

22 nëntor

«Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri…» (1 e Korintasve 13:1).

Pasi një soprano e re bëri debutimin e saj në një skenë opere, një kritik shkroi se interpretimi i shkëlqyer i saj do të kishte qenë më mirë nëse do të kishte dashur ndonjëherë. Ai zbuloi mungesën e dashurisë. Siç duket, këndimi i saj ishte i saktë teknikisht, por i mungonte ngrohtësia.

Edhe ne mund të ecim në këtë jetë, duke bërë gjithçka sipas rregullave. Ne mund të jemi të ndershëm, të besueshëm, të drejtë, bujarë, energjik dhe të përulur. Mirëpo të gjitha këto virtyte nuk mund të kompensojnë mungesën e dashurisë.

Shumë prej nesh e kanë shumë të vështirë të dinë si të japin dhe të marrin dashuri. Lexova kohët e fundit për një personalitet të famshëm «që mund të bënte çdo gjë, përveç të shprehte atë që ndiente për njerëzit që donte».

Xhon Uajti (John White), në librin e tij, «Njerëz në lutje», shkroi: «Për shumë vjet frikësohesha kur më shfaqnin dashuri. Nuk e kisha problem që të shfaqja dashuri (ose çfarë unë mendoja se ishte dashuri), por vihesha në siklet nëse dikush, burrë, grua ose fëmijë, shfaqte tepër dhembshuri për mua. Në familjen tonë nuk kishim mësuar kurrë si ta trajtonim dashurinë. Nuk ishim shumë ekspertë që ta shfaqnim ose pranonim atë. Nuk po them se nuk e donim njëri-tjetrin apo që nuk gjenim mënyra për ta shfaqur atë. Por ne ishim tepër britanikë. Kur mbusha nëntëmbëdhjetë vjeç dhe po e lija shtëpinë për të shkuar në luftë, im atë bëri diçka krejt pa precedent. Ai m’i vuri duart mbi shpatulla dhe më puthi. Ngela i tronditur. Nuk dija çfarë të thosha, as çfarë të bëja. Për mua ishte shumë e sikletshme, ndërsa për tim atë duhet të ketë qenë shumë e trishtueshme».

Një ditë Uajti pati një vegim të Krishtit duke qëndruar para tij, me shenjat e gozhdëve në duart e shtrira drejt tij. Në fillim ai u ndie i paaftë të pranonte dashurinë e Krishtit. Më pas ai i lut: «O Zot, dua që t’i rrok duart e tua. Por nuk mundem».

«Në heshtjen që pasoi erdhi mbi mua një siguri se muri mbrojtës që kisha ngritur rreth vetes do të rrëzohej gradualisht dhe që unë do të mësoja çfarë do të thoshte ta lejoja dashurinë e Krishtit të mblidhej rreth meje dhe të më mbushte».

Nëse kemi ndërtuar mure mbrojtës rreth vetes, duke e penguar rrjedhën e dashurisë drejt nesh dhe prej nesh, ne duhet ta lejojmë Zotin që t’i rrëzojë këto mure dhe të na çlirojë nga frika që na bën të krishterë të ftohtë.

[previous][next]