22 shtator

[no_toc]

22 shtator

«… thuaj “amen”» (1 e Korintasve 14:16).

Fjala «amen» është një fjalë tepër e dobishme që shpreh një miratim të përzemërt për atë që është duke u thënë. Shumë asamble mund ta thonë këtë fjalë më shpesh në shërbesat e tyre.

Kjo fjalë është përmendur rreth 68 herë në Bibël. Tek 1 Korintasve 14:15, 16 është e qartë që ajo përdorej në takimet e kishës së hershme. Kështu që mund të jemi të sigurt që përdorimi i fjalës «amen» është shumë biblik.

Jo vetëm kaq, pasi ajo është urdhëruese. Natyra madhështore e të vërtetave që diskutohen e kërkon këtë shprehje të zgjuar si një vlerësim entuziast. Do të dukej mosmirënjohje të dëgjoje të vërteta të tilla dhe të mos ktheje kurrë një përgjigje gojore.

Gjithnjë është një inkurajim për folësin kur auditori thotë «Amen» në ato pjesë të mesazhit të tij ku ai ka thënë një argument të dobishëm. Kjo i tregon atij që njerëzit janë duke e ndjekur dhe që ata bashkohen me gjallërinë e tij frymërore dhe emocionale.

Kjo i bën mirë edhe personit që thotë amen. Kjo e mban atë të përfshirë si një dëgjues të vëmendshëm. Kjo e ruan atë për të mos qenë apatik, pra, i plogët, kur, në fakt, duhet të mahnitet.
Do të sugjeroja që kjo është e mirë edhe për të jashtmit që mund të jenë të pranishëm. Atyre iu lë përshtypjen që të krishterët janë entuziast, që ata gëzohen me besimin që kanë, që ata me të vërtetë e besojnë atë çka besojnë. Përdorimi i fjalës «amen» pasqyron gjallëri dhe entuziazëm. Mungesa e saj shpreh mërzi e bezdi.

Fjala «amen» është një nga ato tre fjalë të Biblës që janë pothuaj fjalë ndërkombëtare. Në shumicën e gjuhëve këto fjalë janë njëlloj. Kështu që ti mund të shkosh pothuaj kudo dhe të thuash: «Maranatha! Aleluja! Amen! dhe njerëzit do të të kuptojnë që ti po thua: «Zoti po vjen! Lëvdoni Zotin! Kështu qoftë».

Kuptohet që fjala «amen» duhet përdorur me shije. Do të ishte e papërshtatshme që ajo të përdorej për të shprehur entuziazëm për fatkeqësi, tragjedi apo dhimbje.

Është për të ardhur turp që disa kisha lokale e kanë ndaluar përdorimin e fjalës «amen», sepse ajo është shpërdoruar në takimet e besimtarëve që janë tepër të ndjeshëm ndaj emocioneve ekstreme. Si të gjitha gjërat e mira, ajo mund të përdoret siç duhet ose mund të teprohet. Por ne nuk duhet t’ia heqim vetes këtë praktikë biblike vetëm e vetëm sepse disa e kanë përdorur pa shije. Amen?

[previous][next]