23 gusht

[no_toc]

23 gusht

«Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin» (Jer. 2:13).

Nuk është një marrëveshje e mirë të këmbesh burimin për sterna, madje për sterna të prishura. Burimi është një krua me ujë të ftohtë, të pastër dhe freskues që buron nga toka. Sterna është një rezervuar artificial për të grumbulluar ujë. Uji i saj mund të bëhet i ndenjur dhe i pistë. Kur një sternë prishet, uji rrjedh jashtë dhe ndotjet depërtojnë brenda.

Zoti është një Burim uji të gjallë. Populli i Tij mund të gjejë kënaqësi të qëndrueshme në Të. Bota është një sternë, madje një sternë e prishur. Ajo ofron shpresën e kënaqësisë dhe lumturisë, por ata që e kërkojnë kënaqësinë tek ajo, pashmangshmërisht do të zhgënjehen.

Maria u rrit në një shtëpi të krishterë ku Fjala e Perëndisë lexohej dhe mësohej përmendsh. Por ajo ngriti krye kundër mënyrës se si jetonin prindërit e saj dhe u largua nga shtëpia dhe vendosi të bëjë një jetë të shfrenuar. Kërcimi u bë për të pasioni i jetës. Duke dashur që të largonte çdo kujtim të sfondit të saj të krishterë, ajo jetoi duke shkuar nga një kërcim në një tjetër.

Një natë ndërsa po kërcente në sallën e vallëzimit me partnerin e saj, asaj iu kujtua një varg nga Shkrimi që e kishte mësuar kur ishte e vogël: «Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin». Në mes të vallëzimit ajo u bind për mëkatin e saj. Duke kuptuar zbrazëtinë e jetës së saj ajo u kthye te Zoti dhe besoi. Kërkoi ndjesë për të mos vazhduar më kërcimin, la sallën dhe nuk u kthye më kurrë.

Që nga ai moment ajo mund të njësohej me poetin që ka shkuar këto vargje: «Provova sternat e prishura, Zot,/ por ah! Ujërat shteruan!/ Edhe kur ndalova të pi ato ikën./ Dhe më tallën ndërsa vajtoja./ Tani askush s’mund të më japë kënaqësi veç Krishtit,/ s’ka emër tjetër për mua;/ dashuria dhe jeta dhe gëzimi i përhershëm,/ gjenden te Ti, Zoti Jezus».

Maria përjetoi të vërtetën e fjalëve të Shpëtimtarit: «Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje, por kush pi nga uji që do t’i japë unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme» (Gjoni 4:13, 14).

[previous][next]