24 janar | çdo ditë me radhë
«Mos u shqetësoni për asgjë çfarëdo qoftë» (Filipianeve 4:6, Phillips)
Ka shumë raste për të cilat dikush mund të shqetësohet – mundësia e një kanceri, shqetësimet e zemrës apo një mori sëmundjesh të tjera; ushqime që mendohet të jenë të dëmshme, vdekje aksidentale, marrja e pushtetit nga komunistët, luftë bërthamore, inflacion jashtë kontrollit, të ardhme të pasigurt, perspektiva e zymtë e rritjes së fëmijëve në një botë si kjo. Mundësitë janë të panumërta.
Dhe prapë na thuhet në Fjalën e Perëndisë: «Mos u shqetësoni për asgjë çfarëdo qoftë». Perëndia dëshiron që të kemi jetë pa shqetësime. Dhe kjo për arsye të mira!
Shqetësimi është i panevojshëm. Zoti është duke u kujdesur për ne. Ai na mban në pëllëmbët e duarve të Tij. Neve nuk mund të na ndodh asgjë pa vullnetin e Tij lejues. Ne nuk jemi viktima të rastësisë, aksidenteve apo fatit të verbër. Jetët tona janë planifikuar, caktuar, drejtuar.
Shqetësimi është i kotë. Ai nuk e zgjidh kurrë një problem apo të shmang një krizë. Siç ka thënë dikush: «Meraku nuk i heq të nesërmen dhimbjen e saj; ai vetëm sa ia pret fuqitë ditës së sotme».
Shqetësimi është i dëmshëm. Doktorët janë të një mendimi se shumë prej sëmundjeve të pacientëve të tyre shkaktohen nga shqetësimi, tensioni, nervat. Ulcerat radhiten të parat në listën e sëmundjeve që kanë lidhje me shqetësimin.
Shqetësimi është mëkat. «Ai e dyshon urtësinë e Perëndisë; ai nënkupton se Perëndia nuk e di se çfarë po bën. Ai e dyshon dashurinë e Perëndisë; ai thotë se Perëndia nuk kujdeset. Ai e dyshon fuqinë e Perëndisë; ai thotë se Perëndia nuk është në gjendje që të kapërcejë rrethanat që më bëjnë të shqetësohem».
Shumë shpesh ne krenohemi për shqetësimin tonë. Kur një burrë i bëri vërejtje gruas së tij për shqetësime të vazhdueshme, ajo iu përgjigj: «Nëse nuk shqetësohem, do të jenë të pakta punët e çmuara që bëhen këtej rrotull». Ne nuk do të çlirohemi kurrë nga shqetësimi, derisa ta rrëfejmë si mëkat dhe ta dënojmë krejt. Atëherë mund të themi me siguri:
Nuk kam asgjë çfarë të bëj me të nesërmen,
ajo do të kalojë nën kujdesin e Shpëtimtarit tim;
nëse ai e mbush me probleme me dhimbje,
Ai do të më ndihmojë që të vuaj dhe ta duroj.
Nuk kam asgjë çfarë të bëj me të nesërmen;
barrën e saj, pra, pse duhet ta mbaj?
Hirin dhe forcën e saj s’mund ta mbaj;
atëherë pse duhet të marr shqetësimin e saj?