24 korrik
«Sepse dikush e çmon një ditë më shumë se një tjetër, dhe tjetri i çmon të gjitha ditët njëlloj; gjithsecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij» (Rom. 14:5).Fjala «njëlloj» duhet të hiqet nga ky varg; ajo u shtua nga përkthyesit. Vargu duhet lexuar: «dhe tjetri i çmon të gjitha ditët», domethënë, ai e sheh çdo ditë si të shenjtë.
Për judenjtë, që jetonin në ligjin, shabati ose dita e shtatë ishte veçanërisht e shenjtë. Ligji e ndalonte punën në atë ditë dhe e kufizonte udhëtimin. Kërkoheshin edhe oferta shtesë.
Të krishterët, që jetojnë nën hirin, nuk janë urdhëruar kurrë që ta mbajnë shabatin. Për ata të gjitha ditët janë të shenjta, edhe pse ata besojnë se ka një parim në Fjalën për një ditë pushimi në shtatë. Ata nuk mund të dënohen se nuk e mbajnë shabatin (Kol. 2:16).
Dita e parë e javës, pra, Dita e Zotit, spikat në Dhiatën e Re për disa arsye. Zoti Jezus u ringjall në atë ditë (Gjoni 20:1). Mbas ringjalljes Ai u takua me dishepujt e Tij në dy të diela pasuese (Gjoni 20:19, 26). Fryma e Shenjtë u dha në [festën] e Rrëshajave në ditën e parë; Rrëshaja ndodhi shatë të diela mbas festës së frutave të parë (Lev. 23:15, 16; Veprat e Apostujve 2:1), që simbolizon ringjalljen e Krishtit (1 e Korintasve 15:20, 23). Dishepujt e Tij u mblodhën për të thyer bukën ditën e parë të javës (Veprat e Apostujve 20:7). Dhe Pali u tha udhëzime korintasve për të mbledhur një ofertë të veçantë ditën e parë të javës (1 e Korintasve 16:1, 2). Megjithëkëtë, kjo nuk është një ditë detyrimi e veçantë, si shabati, por një ditë privilegji e veçantë. Duke qenë se jemi të lirë nga punësimi normal të dielën, ne jemi në gjendje që t’ia përkushtojmë atë adhurimit dhe shërbimit të Zotit tonë në një mënyrë të tillë që nuk jemi në gjendje t’ia përkushtojmë gjatë ditëve të tjera.
Ndonëse kemi liri që t’i konsiderojmë të gjitha ditët njëlloj të shenjta, ne nuk kemi liri për të bërë diçka të dielën që mund të pengojë të tjerët. Nëse puna rreth shtëpisë, riparimi i makinës apo të luajmë futboll do të pengojë [skandalizojë] një vëlla, atëherë ne duhet të heqim dorë nga ajo që mund ta konsiderojmë një të drejtë të ligjshme. Sikurse tha Pali: «Prandaj të mos e gjykojmë më njeri tjetrin, por më tepër gjykoni këtë: mos i vini gur pengese ose skandal vëllait» (Rom. 14:13).
Judenjtë nën ligjin e kishin ditën e tyre të pushimit në fund të një jave pune. Të krishterët nën hirin e fillojnë javën e tyre me një ditë pushimi, sepse Krishti e ka përfunduar veprën e shpengimit.
C. I. Skofildi (C. I. Scofield) tregoi se karakteri i vërtetë i Ditës së Zotit ilustrohet nga mënyra se si e kaloi atë Zoti ynë: «Ai ngushëlloi një Maria që po qante; eci njëmbëdhjetë kilometra me dy dishepuj të pështjelluar, duke u dhënë një lexim të Biblës gjatë rrugës; u dërgoi mesazhe dishepujve të tjerë; pati një intervistë private me një Pjetër të rënë [të larguar] dhe u dha Frymën e Shenjtë njerëzve në dhomën e sipërme».