25 dhjetor
«Dhe s’ka asnjë dyshim se misteri i perëndishmërisë është i madh: Perëndia u shfaq në mish» (1 Tim. 3:16).Misteri është i madh, jo sepse është tepër i mistershëm, por sepse është kaq shumë befasues. Misteri është e vërteta mahnitëse se Perëndia u shfaq në mish.
Kjo do të thotë, për shembull, se i Amshuari lindi në një botë të kohës. Ai, i Përjetshmi, jetoi në një sferë kalendarësh dhe orësh.
Ai që është i gjithëpranishëm, që ekziston në çdo vend në të njëjtën kohë, e kufizoi Veten në një vend të vetëm – si në Betlehem ose Nazaret, Kapernaum ose Jerusalem.
Është e mrekullueshme të mendosh se Perëndia i Madh, që mbush qiellin dhe tokën, e ngjesh Veten në një trup njerëzor. Ndërsa njerëzit e panë Atë, ata mund të thonin me saktësi: «Në Atë banon banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë».
Misteri na kujton se Krijuesi vizitoi këtë planet të parëndësishëm të quajtur Tokë. Është vetëm një pikël pluhuri kozmik, në krahasim me pjesën tjetër të gjithësisë, megjithatë Ai i kapërceu të gjitha këto për të ardhur këtu. Nga vendi i qiellit në një stallë bagëtish, në një ahur, në një grazhd!
Ai që është i plotfuqishëm u bë një Foshnjë e paaftë. Nuk është ekzagjerim të themi se Ai të cilin Maria e mbante në krahët e saj, mbante Marian, sepse Ai është Mbajtësi sikurse edhe Bërësi.
I gjithëdijshmi është burimi i çdo urtësie dhe njohurie dhe, prapëseprapë, ne lexojmë për Të se, si një Fëmijë, Ai u rrit në urtësi dhe njohuri. Është pothuaj e pabesueshme të mendosh se Zotëruesi i të gjithëve të vijë i paftuar në vetë godinat e Tij. Nuk kishte vend për Të në han. Bota nuk e njohu. Të vetët nuk e pranuan.
Zotëria erdhi në botë si një Shërbëtor. Zoti i lavdisë e fshehu atë lavdi në një trup prej mishi. Zoti i jetës erdhi në botë për të vdekur. I Shenjti erdhi në një xhungël mëkati. I Vetmi që është pafundësisht i lartë u bë ngushtësisht i afërt. Objekti i kënaqësisë së Atit dhe i adhurimit engjëllor pati uri dhe etje, u lodh pranë pusit të Jakobit, fjeti në një varkë në Galile, u end «si një i huaj i pashtëpi në botën që duart e Tij kishin bërë». Ai erdhi nga luksi te varfëria, duke mos patur asnjë vend ku të mbështeste kokën. Ai punoi si një marangoz. Nuk fjeti kurrë mbi një dyshek. Nuk kishte kurrë ujë të ngrohtë e të ftohtë të vazhdueshëm apo edhe lehtësirat e tjera që ne i marrim si të mirëqena.
Dhe kjo ishte e gjitha për mua dhe për ty!
O, ejani, le ta dhurojmë Atë!