25 maj

[no_toc]

25 maj | çdo ditë me radhë

«…shko dhe qortoje vetëm për vetëm» (Mt. 18:15b).

Dikush ka bërë ose ka thënë diçka që të ka ofenduar ose të ka shqetësuar në njëfarë mënyre. Bibla thotë që të shkosh dhe ta qortosh për fajin, por ti nuk dëshiron që ta bësh këtë; është tepër e vështirë.

Dhe kështu ti fillon të bluash në mendje për të. Ti fillon të kalosh në mendje atë që ka bërë, se sa kryekëput ishte në gabim. Kur duhet që të merresh me punën, mendja juaj i rishikon edhe njëherë hollësitë dhe lëngjet gastrike bëhen sulfuror. Kur duhet që të flesh, ti e ringjall incidentin e pakëndshëm dhe presioni në kazan rritet. Bibla thotë që të shkosh dhe ta qortosh, por ti thjesht nuk do që të përballesh me këtë.

Ti e vret mendjen për ndonjë mënyrë se si mund t’ia përcjellësh këtë mesazh në mënyrë anonime. Ose shpreson që të ndodh diçka që do ta turpërojë atë për çfarë ka bërë. Kjo nuk ndodh. Ti e di se çfarë duhet të bësh, por i druhesh traumës së ballafaqimit me të.

Deri këtu kjo provë e rëndë po të lëndon ty më shumë, sesa po e lëndon atë. Njerëzit mund të kuptojnë nga pamja jote e zymtë që diçka po të shqetëson. Kur flasin me ty, mendja jote është diku në një atmosferë tjetër. Puna tënde vuan, sepse je i preokupuar. Në përgjithësi, ti je shumë i shqetësuar për të qenë i efektshëm. Dhe Bibla vazhdon të thotë: «Shko dhe qortoje vetëm për vetëm». Me një shfaqje të pamasë të vullnetit, ti ke arritur të mos flasësh me dikë tjetër për këtë, por më në fund presioni bëhet i padurueshëm. Ti dorëzohesh dhe i tregon dikujt tjetër – sigurisht, vetëm me qëllimin për t’u lutur. Në vend që të të jap simpatinë e pritur, ai të thotë: «Përse nuk shkon dhe nuk flet me atë që të ka ofenduar?»

Kjo të bind! Ti vendos që të përballesh me të. Pasi e ke përsëritur atë që ke për të thënë, ti i bindesh Fjalës duke ia bërë të njohur fajin. Çuditërisht, ai të pret mirë, shpreh keqardhje që kjo ka ndodhur dhe kërkon falje nga ty. Biseda mbyllet me një lutje.

Ndërsa largohesh, një barrë e madhe largohet nga shpatullat e tua. Rrahjet e lëngjeve në stomak ndalojnë dhe metabolizmi të kthehet në normalitet. Ti e urren disi veten që nuk e kishe ndërgjegjësimin për t’iu bindur Shkrimit më me gatishmëri.