26 dhjetor

[no_toc]

26 dhjetor

«Pastaj mbreti i Sodomës i tha Abramit: “Nëm personat dhe merr për vete pasuritë”» (Zanafilla 14:21).

Ushtri pushtuese kishin ardhur në Sodomë dhe e kishin marrë Lotin, familjen e tij dhe sasi të mëdha plaçkash. Sapo Abrami dëgjoi për këtë, ai i armatosi shërbëtorët e tij dhe i ndoqi pushtuesit, duke i arritur përfundimisht afër Damaskut dhe kështu çliroi robërit dhe zotërimet e tyre. Mbreti i Sodomës shkoi të takojë Abramin ndërsa po kthehej dhe i tha: «Nëm personat dhe merr për vete pasuritë». Abrami iu përgjigj që nuk do të merrte as edhe një lidhëse këpucësh nga mbreti, që më vonë ai të mos thoshte se e kishte bërë të pasur Abramin.

Në njëfarë kuptimi Mbreti i Sodomës përfaqëson Satanin, që përpiqet t’i angazhojë besimtarët me gjëra materiale dhe që t’i shpërfillin njerëzit përreth tyre. Abrami i rezistoi këtij tundimi, por shumë që prej asaj kohe nuk kanë qenë të suksesshëm. Ata i kanë dhënë përparësi grumbullimit të zotërimeve dhe nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje të afërmve dhe miqve që po e përballin përjetësinë pa Perëndinë, pa Krishtin dhe pa shpresë.

Njerëzit janë të rëndësishëm; gjërat nuk janë. Një i krishterë i ri hyri në dhomën e pritjes ku mamaja e tij po qepte dhe tha: «Nënë, jam i gëzuar që Perëndia më ka dhënë një dashuri më të madhe për njerëzit sesa për gjërat». Ajo nënë atje ishte gjithashtu e kënaqur.

Duket e papërshtatshme të qash kur dikush të thyen filxhanin anglez prej porcelani, po nuk derdhim asnjë lot për miliona që po humbin. Do të thotë diçka kur kemi një kujtesë të jashtëzakonshme për rezultatin e ndeshjeve të futbollit, por ankohemi që e kemi të vështirë për të kujtuar emrat e njerëzve. Unë nxjerr në pah kuptimin e shtrembëruar të vlerave kur mërzitem më tepër për dëmin që i është bërë makinës sime sesa për personin e lënduar në makinën tjetër. Është e lehtë t’i kemi zët ndërprerjet kur jemi duke punuar për ndonjë projekt të përkëdhelur dhe, prapëseprapë, ndërprerja mund të jetë shumë herë më e rëndësishme se projekti.

Ne jemi shpesh të interesuar më tepër tek ari dhe argjendi sesa te burrat dhe gratë. A. T. Piersoni tha: «Në shtëpitë e krishtera është varrosur aq shumë ar dhe argjend dhe stoli të padobishme, sa mjafton të ndërtosh një flotë me 50.000 anije, t’i ngarkosh balastin me Bibla dhe t’i ngjeshësh me misionarë: të ndërtosh një kishë në çdo katund të varfër dhe të furnizosh çdo shpirt me Ungjillin brenda disa vjetësh». Një profet tjetër i Perëndisë, J. A. Stjuarti, shkroi: «Ne e kemi përdorur pasurinë tonë për t’u llastuar me luks që nuk na nevojitet. Ne kemi “shije hajvari”, ndërsa miliona njerëz në pjesë të tjera të botës janë duke vdekur nga uria e mëkatit. Ne e kemi shitur trashëgiminë tonë frymërore të parëlindur për një tas me supë».

Shpesh zemra ime vret mendjen kur do ta braktisim ne të krishterët përleshjen e çmendur për zotërime materiale dhe të përqendrohemi mbi mirëqenien frymërore të njerëzve. Një shpirt njerëzor vlen më tepër se tërë pasuritë në botë. Gjërat nuk kanë rëndësi. Njerëzit po.

[previous][next]