26 gusht

[no_toc]

26 gusht

«Themelo veprën e duarve tona» (Psa. 90:17).

Shënimi në anë të standardit të ri amerikan të Biblës thotë: «… bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona». Ky po është një mendim që ia vlen të mendosh dhe një kërkesë që ia vlen të lutesh! Ambicia tonë duhet të jetë kjo, pra, që t’i kalojmë jetët tona duke bërë atë që do të zgjatë.

Kjo gjen jehonë në Dhiatën e Re kur Zoti Jezus tha: «Unë ju kam zgjedhur juve, dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm» (Gjoni 15:16).

F. W. Borehami ka thënë që secili prej nesh duhet të jetë duke u marrë me një punë të respektueshme ndërsa trupi i tij shtrihet në varr. Por ne duhet ta çojmë këtë mendim përtej varrit dhe të themi që secili prej nesh duhet të ndërtojë për përjetësinë.

Një pjesë e madhe e aktivitetit të sotëm është e një rëndësie të përkohshme dhe e një vlere të shkurtër. Dje dëgjova për një burrë që ia kishte kushtuar jetën një analize kimike që përbëhej prej pesëdhjetë lëndësh kimie të avullueshme të marra nga lëkura e një dardhe të familjes Bartlett. Madje edhe të krishterët mund të bien në grackën e të ndërtuarit kështjella në ajër, e të shkuarit pas flluskave dhe e të qenit mjeshtër për gjërat pa rëndësi. Ashtu siç ka thënë dikush, ne mund të jemi fajtorë për harxhimin e jetëve tona duke drejtuar portrete në një shtëpi që digjet.

Ka shumë lloje punësh që kanë një rëndësi të përjetshme dhe ne duhet të përqendrohemi mbi to. E para është zhvillimi i karakterit të krishterë. Karakteri ynë është një nga ato pak gjëra që do të marrim në qiell. Ai ka nevojë që të kultivohet tani.

Shpirtrat e fituar për Krishtin kanë një rëndësi të qëndrueshme. Ata do të jenë adhurues të Qengjit të Perëndisë në shekuj të shekujve.

Ata që u mësojnë të tjerëve Fjalën e së Vërtetës, që i dishepullojnë besimtarët e rinj, që i ushqejnë delet e Krishtit janë duke depozituar për jetë që do të zgjatin përgjithmonë.

Ata prindër që i rritin bijtë dhe bijat e tyre për të shërbyer në Mbretëri të jenë të sigurt që vepra e tyre do të qëndrojë.

Ata administratorë besnikë të cilët i investojnë paratë e tyre për Krishtin dhe kauzën e Tij merren me një shërbesë që nuk mund të prishet.

Ata që ia kushtojnë veten veprës së lutjes do të shohin një ditë se si çdo lutje ka patur përgjigje në kohën dhe mënyrën e Perëndisë.

Çdokush që u shërben njerëzve të Zotit merret me një punë që vazhdon përjetë. Shërbëtori më i përulur i Krishtit ka një largpamësi më të lartë se njerëzit më të mençur të botës. Vepra e tij do të vazhdojë ndërsa e tyrja do të digjet në renë e shpërthimit.