26 maj

[no_toc]

26 maj | çdo ditë me radhë

«Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve» (1 Sam. 15:22).

Udhëzimet e Perëndisë për mbretin Saul ishin mjaft të qarta. Vriti amalekitët dhe shkatërro të gjitha zotërimet e tyre. Të gjitha. Mos merr asgjë nga plaçka e luftës. Por Sauli kurseu mbretin Agag dhe pjesën më të zgjedhur të deleve, të lopëve, të kafshëve të majme dhe të qengjave.

Kur Samueli u takua me Saulin në mëngjes në Gilgal, Sauli shpalli i sigurt që kishte bërë pikërisht atë që Zoti e kishte urdhëruar. Por në po atë moment, një korr nga vatha filloi blegërimën e deleve dhe pëllitjen e lopëve. Shumë e sikletshme!

Sigurisht, Samueli donte të dinte se përse po blegëronin delet, nëse Sauli i kishte vrarë që të gjitha. Atëherë mbreti u përpoq që të mbulonte mosbindjen e tij duke e fajësuar popullin dhe duke i shfajësuar ata mbi baza fetare. Ai tha: «Populli kurseu pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve për t’i ofruar si flijime Zotit».

Pas kësaj ai dëgjoi profetin e Perëndisë duke gjëmuar fjalët bindëse: «Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve. Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake».

Bindja është më e rëndësishme se ritualet, sakrificat dhe flijimet. Kam dëgjuar njëherë për një familje që e kishin trajtuar nënën e tyre me mosbindje dhe mospërfillje të ftohtë gjatë jetës së saj. Por kur ajo vdiq, ata e veshën kufomën me një «Dior» origjinal. Një përpjekje e përbuzshme dhe e pavlerë për të kompensuar vitet e rebelimit dhe të panjerëzisë!

Shpesh ne dëgjojmë njerëz që mbrojnë një pozitë jobiblike ose një lidhje jobiblike mbi bazën që në këtë mënyrë ata mund të kenë një ndikim më të gjerë. Por Perëndia nuk mashtrohet nga arsyetime të tilla të çuditshme. Ai kërkon bindjen tonë – është Ai që do të kujdeset për sferën e ndikimit tonë. E vërteta është se kur jemi të pabindur, ndikimi ynë është negativ. Vetëm kur jemi duke ecur në përbashkësi me Zotin mund të shfaqim një ndikim të perëndishëm te të tjerët.

Uilliam Gurnalli (William Gurnall) tha: «Sakrifica [flijimi] pa bindje është sakrilegj». Dhe kjo bëhet akoma më keq kur ne e mbulojmë mosbindjen tonë me ndonjë shfajësim prej fetari a besimtari. Perëndisë nuk i lidhen sytë [nuk mashtrohet].