26 prill | çdo ditë me radhë
«Ti kurrë nuk do të m’i lash këmbët» (Gjoni 13:8).
Zoti Jezus sapo kishte ngjeshur veten me një peshqir dhe mbushi një legen me ujë, para se t’u lante këmbët dishepujve. Kur erdhi te Pjetri, Ai hasi këtë refuzim të theksuar: «Ti kurrë nuk do të m’i lash këmbët».
Përse? Përse nuk donte Pjetri që t’i nënshtrohej kësaj shërbese të hirshme nga Zoti? Nga njëra anë, mund të ketë patur një ndjenjë padenjësie; ai nuk e konsideroi veten të denjë që Zoti t’i shërbente. Por ekziston edhe mundësia reale se qëndrimi i Pjetrit ishte një qëndrim krenarie dhe pavarësie. Ai nuk donte që të ishte në anën marrëse. Ai nuk donte që të varej te të tjerët për ndihmë.
Po ky qëndrim i mban larg shpëtimit shumë njerëz. Ata duan që ta fitojnë shpëtimin ose ta meritojnë atë, por është poshtë dinjitetit të tyre që ta pranojnë atë si një dhuratë falas të hirit. Ata nuk duan që të ndihen borxhli karshi Perëndisë. Por «askush që është tepër krenar sa të mos jetë pafundësisht borxhli, nuk do të bëhet ndonjëherë një i krishterë» (James S. Steward).
Këtu kemi edhe një mësim për ata që tashmë janë të krishterë. Ne të gjithë takuar besimtarë që e kanë zakon të japin. Ata janë gjithmonë duke bërë për të tjerët. Jetët e tyre janë derdhur si shërbim për të afërmit dhe komshinjtë e tyre. Bujaria e tyre është për t’u lavdëruar. Por kemi një mizë brenda parfumit! Ata nuk duan kurrë që të jenë në anën marrëse. Ata nuk duan asnjëherë që dikush të bëjë diçka për ta. Ata kanë mësuar se si të japin bujarisht, por nuk kanë mësuar kurrë se si të marrin bujarisht. Ata e gëzojnë bekimin [që vjen kur] u shërbejmë të tjerëve, por ua mohojnë të tjerëve të njëjtin bekim.
Pali tregoi se ishte një marrës shpirtmirë i dhuratave nga filipianët. Duke i falënderuar ata, ai tha: «Jo se unë po kërkoj dhurata, por kërkoj fryt që tepron për dobinë tuaj» (Filipianeve 4:17). Ai mendoi më shumë për shpërblimin e tyre sesa për nevojën e tij.
«Thuhet për peshkop Uestkotin (Westcott) se në fund të jetës së tij ai tha se kishte bërë një gabim të madh, sepse, ndonëse kishte qenë gjithnjë i gatshëm që të bënte për të tjerët deri në limitin e aftësive të tij, ai nuk kishte qenë kurrë i gatshëm që t’i lejonte të tjerët të bënin për të dhe si rrjedhim mungonin disa elemente të ëmbëlsisë dhe plotësisë» (J. O. Sanders).
Një poet i panjohur e përmblodhi bukur kur shkroi:
E quaj të madh atë që, për hir të dashurisë,
mund të jap bujarisht e sinqerisht me dëshirë;
por atë që merr për hir të së ëmblës dashuri,
mendoj se e quaj akoma më bujar.