27 gusht

[no_toc]

27 gusht

«O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë? […] Ai që edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij nuk tërhiqet» (Psa. 15:1, 4).

Në Psalmin 15 Davidi përshkruan njeriun që është i kualifikuar për të qenë një mik i Perëndisë së Madh. Një nga aspektet e karakterit të këtij njeriu është që ai e mban fjalën, edhe pse kjo mund t’i kushtojë shumë. Nëse bën një premtim a një zotim, ai e mban fjalën.

Le të marrim, për shembull, një të krishterë i cili e ka nxjerrë shtëpinë në shitje. Një blerës vjen dhe pranon të paguajë çmimin e kërkuar. Shitësi e pranon ujdinë. Përpara se të jetë firmosur ndonjë dokument, dikush tjetër i ofron 5.000 $ më tepër për shtëpinë. Ndoshta ligjërisht shitësi mund ta hedh poshtë ofertën e parë dhe kështu të fitojë 5.000 $ më shumë në këtë ujdi. Por moralisht ai është i detyruar që të mos dalë nga fjala. Dëshmia e tij si një i krishterë i besueshëm është në rrezik.

Ose le të marrim një besimtar të cilit i është infektuar një nga dhëmballët e pjekurisë. Dentisti e drejton të shkojë te një mjek për gojën, i cili e mjekon dhëmballën me antibiotik dhe pastaj lë takim për ta hequr. Pasi i ka dëshmuar mjekut, i krishteri largohet nga klinika. Rrugës për në shtëpi ai takon një shok që i tregon një vend ku mund ta heq dhëmballën për gjysmën e çmimit. Sigurisht që ai do ta paguajë mjekun për punën e bërë deri këtu dhe pastaj të shkojë te dentisti tjetër. Apo mos vallë…?

Suela sapo kishte pranuar një ftesë për darkë nga një çift të moshuarish. Por në atë kohë bie zilja e telefonit dhe asaj i bëhet një ftesë për të shkuar në një darkë të rinjsh të moshës së saj. Ajo është para dy alternativave të vështira. Ajo nuk do që të zhgënjejë çiftin e moshuar, por në të njëjtën kohë dëshiron të jetë bashkë me të rinjtë.

Shpesh vendimi është akoma më i vështirë kur bëhej fjalë për shuma të mëdha parash. Por asnjë sasi lekësh nuk duhet të na josh që të thyejmë një premtim, që të ndryshojmë mendjen për një zotim, që të diskreditojmë dëshminë tonë si të krishterë dhe që të turpërojmë Emrin e Zotit. Cilido qoftë çmimi, ne duhet të përgënjeshtrojmë vërejtjen mashtruese të Volterit që «kur vjen puna për para, të gjithë njerëzit i përkasin të njëjtës fe».

Njeriu i Perëndisë «bën gjithmonë atë që premton, pavarësisht se sa do të kushtojë» (TEV); ai «e mban premtimin edhe nëse kjo e fundos atë» (LB).

[previous][next]