27 qershor

[no_toc]

27 qershor | çdo ditë me radhë

«Megjithatë ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë…» (1 Tim. 2:15).

Për disa nga kufizimet që Pali vendos mbi shërbesën e gruas në kishë, mund të duket se ajo reduktohet në diçka pa rëndësi. Për shembull, asaj nuk i lejohet që të mësojë ose të uzurpojë autoritet mbi burrin, por duhet të jetë në heshtje (v. 12). Disa mund të arrijnë në përfundimin se asaj i është caktuar një vend inferior [i ulët] në besimin e krishterë.

Por vargu 15 qartëson çdo mendim të tillë të gabuar. «Ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë…». Është e qartë se kjo nuk i referohet shpëtimit të shpirtit të saj, por shpëtimit të pozitës së saj në kishë. Asaj i është dhënë privilegji tepër i rëndësishëm që të rritë bij dhe bija për Perëndinë.

Uilliam Ros Uollis (William Ross Wallace) tha: «Dora që tund djepin, është dora që sundon botën». Mbrapa pothuaj çdo udhëheqësi të madh është një nënë e madhe.

Është e dyshimtë nëse Suzana Uesli të ketë shërbyer ndonjëherë nga një katedër, por shërbesa e saj në shtëpi ka patur një ndikim botëror përmes dy bijve të saj, Xhon dhe Çarls.

Në shoqërinë tonë është e modës për shumë gra që të braktisin shtëpinë për të ndërtuar karriera më magjepsëse në botën profesionale ose në atë të biznesit. Për ato puna në shtëpi është e zymtë dhe rritja e një familjeje konsiderohet një detyrë e panevojshme.

Gjatë një dreke të disa grave të krishtera, biseda mori drejtimin e temës së karrierave. Secila prej tyre po tregonte me entuziazëm pozitën dhe pagën e saj. Pa dyshim atje kishte një frymë rivaliteti! Përfundimisht, njëra iu kthye një amvise që kishte tre djem të fuqishëm dhe e pyeti: «Dhe cila është karriera jote, Sharlote?» Sharlotja u përgjigj me përulësi: «Unë rrit burra për Perëndinë».

Vajza e faraonit i tha nënës së Moisiut: «Merre me vete këtë fëmijë, mënde për mua, dhe unë do të të jap pagën tënde» (Eksodi 2:9). Ndoshta një nga surprizat më të mëdha në Gjyqin e Krishtit do të jenë rrogat e mëdha që Zoti do t’ua japë atyre grave që ia kanë përkushtuar veten rritjes së djemve dhe vajzave për Atë dhe për përjetësinë.

Po, «ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë…». Vendi i gruas në kishë nuk është ai i një shërbese publike, por ndoshta shërbesa e rritjes së perëndishme të fëmijëve është e një rëndësie shumë herë më të madhe në sytë e Perëndisë.