28 prill | çdo ditë me radhë
«Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni» (Fjalet e Urta 4:1).
Në katër vargjet e para të Fjalëve të Urta 4, Salomoni përshkruan se si këshilla e mirë mund të kalohet dhe duhet të kalohet nga njëri brez në tjetrin. Ai tregon se si i ati e kishte mësuar, më pas i bën thirrje birit të tij, nga ana tjetër, që t’i kushtojë vëmendje doktrinës së mirë dhe mësimeve të shëndosha.
Është e arsyeshme që të rinjtë të mësojnë sa më shumë që të jetë e mundur nga prindërit e tyre tokësore për sa i përket çështjeve praktike të jetës. Por është gjithashtu e vërtetë se, në sferën frymërore, çdo i krishterë i ri duhet të ketë një këshilltar frymëror – dikë tek i cili mund të shkojë me pyetjet që ka, dikë tek i cili mund t’i besojë, dikë që do të ndajë nga një depo e pasur përvoje dhe dikë që do të jetë i sinqertë për ta ndihmuar në rast nevoje. Nëse një prind mund ta plotësojë këtë rol, shumë herë më mirë. Por nëse jo, duhet të kërkohet dikush tjetër.
Besimtarë të perëndishëm, të pjekur kanë grumbulluar një sasi të gjerë të njohurisë praktike. Pa dyshim ata kanë përjetuar disfata, por kanë nxjerrë mësime të vlefshme nga këto dhe kanë mësuar se si t’i shmangin herën tjetër. Të krishterët më të vjetër mund të shohin shpesh aspekte të një problemi që të rinjtë mund të mos i vënë re. Dhe ata kanë mësuar si të jenë të matur dhe të shmangin ekstreme të paarsyeshme.
Një Timote i ri dhe i zgjuar do të kultivojë një Pal, duke u përpjekur të marrë nga urtësia dhe aftësia e tij praktike. Ai do ta ruajë veten nga poshtërimet dhe proçkat duke folur më parë me dikë që e ka përjetuar këtë gjë para tij. Në vend që ta trajtojë moshën e vjetër me mospërfillje, ai do t’i nderojë ata që kanë marrë pjesë në konflikt dhe që kanë ruajtur një të kaluar të mirë.
Në përgjithësi, shenjtorët më të vjetër nuk do t’ju bëjnë presion të rinjve. Ata e dinë se asnjë këshillë nuk është e paftuar sa këshilla e pakërkuar. Por, kur i kërkohet, ata janë gjithnjë të gatshëm që të ndajmë mprehtësi që kanë qenë një ndihmë për ta gjatë rrugës.
Prandaj nëse një i ri po përleshet me epshin [lakminë], apo dëshiron të dijë se si të gjejë udhëheqjen e Perëndisë ose kërkon të ngrejë një familje për Zotin ose vret mendjen nëse Perëndia e ka thirrur në fushën e misionit ose kërkon ndihmë për të administruar financat ose dëshiron të ketë një jetë lutjeje më të efektshme – ai do të tregohet i zgjuar që të kërkojë ndihmën e një udhëheqësi frymëror që mund të nxjerrë dritën e Shkrimit për të ndriçuar një problem specifik. Poshtë atyre thinjave kemi shpesh një fond të urtësisë që duhet të derdhet. Përse të mësosh përmes rrugës së vështirë kur mund të përfitosh nga mprehtësia dhe përvoja e kaluar e të tjerëve?