3 gusht
«Ai […] nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut» (Psalmi 147:10).Çfarë mendimi interesant! Perëndia i madh, i jashtëzakonshëm nuk kënaqet në këmbët e një njeriu!
Këtë mund ta mendojnë në lidhje me botën e atletikës. Vrapuesi i zhdërvjellët dhe i shpejtë, që e kalon vijën e finishit me duart e ngritura lart me fitore. Lojtari i basketbollit, që vrapon me të madhe në fushë për të hedhur koshin e fitores. Heroi i futbollit amerikan, muskulor dhe i fortë, që turret me hov drejt vijës.
Turma tërbohet. Ata kërcejnë, bërtasin, brohorasin (ose njëri pas tjetrit duke lëshuar pasthirrma dhe duke fishkëllyer). Ata janë tifozë fanatikë, të përfshirë emocionalisht në çdo lojë. Ju mund të thoni që ata gjejnë kënaqësi në këmbët e një njeriu – domethënë, në aftësitë e tij për të luajtur lojën.
Vargu ynë nuk ka si qëllim të ndalojë interesimin për atletikën. Bibla gjetiu flet mirë për vlerën e ushtrimit trupor. Por çinteresimi i Perëndisë për këmbët e një njeriu duhet të na kujtojë që t’i mbajmë prioritetet në balancë.
Është e lehtë për një besimtar të ri që të zhytet aq thellë në ndonjë sport, që ai bëhet pasioni i jetës së tij. Tërë përpjekjet e tij më të mira synojnë të arrijnë përsosmëri [epërsi]. Ai disiplinon kohën, ushqimin, konsumin, gjumin. Ai praktikon pa pushim, duke i përkryer aftësitë në çdo lojë të përfytyrueshme. Ai ruan një regjim ushtrimesh, që kanë si qëllim për ta mbajtur në gjendjen fizike më të mirë. Ai mendon dhe flet për këtë sport sikur të ishte jeta e tij. Ndoshta është kështu.
Ndonjëherë një i krishterë i ri si ky bllokohet kur kupton se Perëndia nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e një njeriu. Nëse dëshiron që të ecë në përbashkësi me Perëndinë, ai duhet të adoptojë perspektivën e Perëndisë.
Atëherë, në çfarë gjen gëzim Perëndia? Vargu i njëmbëdhjetë i Psalmit 147 na thotë: «Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij». Me fjalë të tjera, Perëndia është më i interesuar në aspektin frymëror sesa në atë fizik. Apostulli Pal pasqyron po këtë sistem vlerash kur thotë se «ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë» (1 Tim. 4:8).
Njëqind vjet në të ardhmen, kur brohoritjet të jenë mekur, kur stadiumi të jetë bosh dhe kur rezultati të jetë harruar, gjëja që vërtet do të ketë vlerë është një jetë që ka kërkuar para së gjithash mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij.