3 maj

[no_toc]

3 maj | çdo ditë me radhë

«Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje» (Gal. 6:8).

Askush nuk mund të mëkatojë dhe të dalë pa u lagur. Pasojat e mëkatit janë jo vetëm të pashmangshme, por edhe tepër të hidhura. Mëkati mund të duket si një mace e parrezikshme, por, përfundimisht, ai të përpin si një luan i pamëshirshëm.

Magjepsjes së supozuar të mëkatit i jepet një trajtim i gjerë. Rrallë e dëgjojmë anën tjetër. Të paktë janë ata që lënë mbrapa një përshkrim të shkatërrimit të tyre si edhe mjerimit pasues.

Një nga autorët më të shndritshëm të Irlandës e bëri. Ky njeri filloi të merrej me vese anormale. Një gjë çoi në një tjetër derisa ai u ngatërrua me gjyqe dhe përfundimisht përfundoi në burg, ku shkroi këtë që vijon:

«Perënditë më kishin dhënë pothuaj gjithçka. Kisha aftësi gjeniale, një emër të shquar, pozitë të lartë sociale, madhështi, guxim intelektual: e bëra artin një filozofi dhe filozofinë një art: ndryshova mendjet e njerëzve dhe ngjyrën e gjërave: nuk kishte asgjë që thashë apo bëra, që nuk i bëri njerëzit të vrisnin mendjen […] e trajtova Artin si realitetin suprem dhe jetën thjesht si një formë letërsie artistike: zgjova imagjinatën e shekullit tim, aq sa ajo krijoi rreth meje mit dhe legjendë: i mblodha të gjitha sistemet në një frazë dhe çdo ekzistencë në një epigram.

«Bashkë me këto gjëra, kisha gjëra që ishin ndryshe. E lejova veten që të joshej nga magjitë e gjata të shkujdesjes sensuale dhe të pandjenjë. E argëtova veten me të qenit një sehirxhi, një pispilluq, një njeri i modës. E rrethova veten me natyrat më të vogla dhe mendjet më të ulëta. U bëra prishaniku i vetë aftësive të mia gjeniale dhe harxhimi i një rinie të përjetshme më dha një gëzim kureshtar. Duke u lodhur së qeni në lartësitë, shkova qëllimisht në thellësitë në kërkim për ndjenja të reja. Çfarë ishte paradoksi për mua në sferën e mendimit, çoroditja u bë për mua në sferën e pasionit. Dëshira, në fund, ishte një sëmundje ose një çmenduri ose të dyja. U bëra i pakujdesshëm për jetët e të tjerëve. Gjeja kënaqësi atje ku më pëlqente dhe vazhdoja. Harrova se çdo veprim i vogël i një dite të zakonshme e formon ose e prish karakterin dhe, si rrjedhim, atë që dikush e ka bërë në dhomën sekrete do t’i duhet ta shpallë me zë të lartë mbi çati […] pësova një turp të tmerrshëm».

Eseja ku ai shkroi rrëfimin e mësipërm mban titullin e përshtatshëm, «De Profoundis» – nga thellësitë.