3 mars

[no_toc]

3 mars | çdo ditë me radhë

«Fryti i Frymës është […] gëzimi» (Gal. 5:22).

Njeriu nuk gjen gëzim të vërtetë derisa gjen Zotin. Më pas ai hyn në atë që Pjetri e quan «hare e patregueshme dhe e lavdishme» (1 Pjetrit 1:8).

Kushdo mund të gëzohet kur rrethanat janë të favorshme, por gëzimi që është fryti i Frymës nuk është rezultat i rrethanave tokësore. Ai buron nga marrëdhënia tonë me Zotin dhe nga premtimet e çmuara që Ai na ka dhënë. Krishtit do t’i duhet të hiqet nga froni, përpara se Kishës t’i hiqet përfundimisht gëzimi i saj.

Gëzimi i krishterë mund të bashkëjetojë me vuajtjet. Pali i bashkon të dyja kur flet për «çdo ngulm e durim, me gëzim» (Kolosianeve 1:11). Shenjtorët në Thesaloniki e kishin pranuar fjalën «në mes të një pikëllimi të madh, me gëzimin e Frymës së Shenjtë» (1 Thes. 1:6). Shenjtorë të pikëlluar gjatë shekujve kanë dëshmuar se si Zoti u ka dhënë këngë gjatë natës.

Gëzimi mund të bashkëjetojë me dhimbjet. Besimtari mund të qëndrojë pranë varrit të një të dashuri, të derdhë lot dhimbjeje për humbjen dhe në të njëjtën kohë të gëzohet duke ditur që njeriu i dashur është në praninë e Zotit.

Por gëzimi nuk mund të bashkëjetojë me mëkatin. Sa herë që një i krishterë mëkaton, ai e humbet këngën e tij. Vetëm pasi të jetë rrëfyer dhe braktisur mëkati, atij mund t’i kthehet gëzimi i shpëtimit të tij.

Zoti Jezus u tha dishepujve të Tij që të gëzoheshin kur të shaheshin, të përndiqeshin dhe të akuzoheshin në mënyrë të gabuar (Mt. 5:11, 12). Dhe ata vepruan kështu! Jo shumë vjet më vonë ne lexojmë për ata duke u larguar nga salla e gjyqit «duke u gëzuar, sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit» (Veprat e Apostujve 5:41).

Gëzimi ynë rritet ndërsa ne rritemi në njohjen e Zotit. Ndoshta në fillim ne mund të gëzohemi me ngacmimet e lehta, me sëmundjet kronike dhe shqetësimet e vogla. Por Fryma e Perëndisë dëshiron që të na sjellë në gjendjen ku ne mund të shohim Perëndinë kur rrethanat të jenë në gjendjen më të keqe të tyre dhe ne të gëzohemi me faktin që rrugët e Tij janë të përsosura. Ne jemi të pjekur frymërisht kur themi bashkë me Habakukun: «Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në vatha, unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim» (Hab. 3:17, 18).

[previous][next]