30 prill

[no_toc]

30 prill | çdo ditë me radhë

«Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia» (Gjoni 14:15).

Urdhërime? Në Dhiatën e Re? Sa herë që njerëzit dëgjojnë fjalën urdhërime, ata mendojnë menjëherë për legalizëm. Por këto dy fjalë nuk janë sinonime. Askush nuk foli më shumë për urdhërime se Zoti Jezus, por askush nuk ishte më pak legalist se Ai.

Çfarë do të thotë legalizëm? Edhe pse kjo fjalë nuk gjendet në Dhiatën e Re, ajo përshkruan përpjekjet e pareshtura të njeriut për të fituar ose merituar favorin e Perëndisë. Në parim ajo tregon përpjekjet për të fituar shfajësimin ose shenjtërimin përmes zbatimit të ligjit. Kjo është domethënia reale.

Por sot kjo fjalë përdoret në një kuptim më të gjerë për të përshkruar ato që konsiderohen rregulla morale të ashpra. Çdo përpjekje për të klasifikuar disa praktika si tabu konsiderohet «legaliste». Në fakt, fjala «legalizëm» përdoret tani si një kopaçe e volitshme për të goditur çdo kufizim mbi sjelljen e krishterë ose çdo ndalim [mohim].

Atëherë si duhet të mendojë një i krishterë për të shmangur rrezikun që ka të bëjë me «legalizmin»?

Së pari, është e vërtetë se një i krishterë është i lirë nga ligji, por është e rëndësishme që të shtojmë menjëherë se ai nuk është pa ligje. Ai është nën ligjin e Krishtit. Ai nuk duhet të bëjë siç i pëlqen atij, por siç i pëlqen Krishtit.

Së dyti, duhet të kujtojmë se Dhiata e Re është e mbushur me urdhërime, duke përfshirë një numër të konsiderueshëm mohimesh [ndalimesh]. Ndryshimi është se këto urdhërime nuk janë dhënë si ligj, që të kenë të bashkëngjitur një dënim. Ato janë dhënë si udhëzime me drejtësi për popullin e Perëndisë.

Një gjë tjetër është se gjërat mund të jenë të ligjshme për një të krishterë, por mund të mos jenë të dobishme. Ato mund të jenë të ligjshme, por mund të jenë edhe skllavëruese (1 e Korintasve 6:12, NASB).

Është e mundur që një besimtar të ketë lirinë për të bërë diçka dhe prapëseprapë mund të pengojë dikë tjetër duke vepruar kështu. Në këtë rast ai nuk duhet ta bëjë këtë gjë.

Thjesht për shkak se dikush e pagëzon një ndalim si «legalist», nuk do të thotë që kjo gjë është e keqe. Njerëzit përdorin edhe fjalën «puritan» për të dënuar disa kode të sjelljes, por sjellja e puritanëve e nderonte më shumë Krishtin se ajo e shumë prej atyre që i kritikojnë ata.

Shumë shpesh kur të krishterët i dënojnë modelet e pranuara të sjelljes së perëndishme si «legalizëm», kjo mund të jetë një shenjë që ata vetë po bëhen më lejues [tolerantë] dhe po rrëshqasin nga spirancat e tyre morale. Ata mendojnë në mënyrë naive se duke hedhur baltë mbi të ashtuquajturit legalistë ose puritanë, ata vetë do të duken më mirë.

Siguria jonë gjendet në qëndrimin sa më afër mësimeve të Shkrimit që të jetë e mundur, jo duke u përpjekur që të shohim se sa afër mund të shkojmë pranë buzës së greminës.

[previous][next]