30 tetor

[no_toc]

30 tetor

«Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën» (3 Gjonit 1:4).

Sigurisht që apostulli Pal e njihte gëzimin që të jep fitimi personal i shpirtrave për Krishtin. Të drejtosh një mëkatar te Zoti Jezus është një kënaqësi frymërore shumë e madhe. Por për Gjonin, një gëzim më i madh – në fakt, gëzimi më i madh – ishte t’i shihte bijtë e tij duke ecur të palëkundur në besimin e Zotit.

Dr. M. R. DeHaan shkroi: «Ka qenë një kohë gjatë shërbesës sime që shpesh thosha: “Gëzimi më i madh për një të krishterë është të drejtojë shpirtra te Krishtit”. Ndërsa vitet kaluan, ndryshova mendim…. Kaq shumë prej tyre, për të cilët u gëzuam kur rrëfyen Krishtin, shpejt ranë gjatë rrugës dhe shpejt gëzimi ynë u kthye në hidhërim dhe brengë. Por të kthehesh përsëri në një vend pas disa vitesh dhe të shohësh “të kthyerit në besim” që rriten në hirin e Zotit, që ecin në të vërtetën – ky është gëzimi më i madh».

Kur LeRoy Elims u pyet se çfarë ishte gjëja që i sillte më tepër gëzim se çdo gjë tjetër në jetë, tha: «Kur personi që ke drejtuar te Krishti rritet dhe formohet në një dishepull të përkushtuar, të frytshëm dhe të pjekur, i cili më pas shkon dhe i drejton të tjerët të Krishti dhe i ndihmon edhe ata gjithashtu».

Nuk është për t’u çuditur që kjo duhet të sjellë gëzimin më të madh. Frymërorja ka paralelen e saj në natyroren. Ka gëzim të madh kur një foshnjë lind, por gjithmonë vjen pyetja shqetësuese. «Si do të përfundojë?» Sa të kënaqur janë prindërit kur fëmija piqet dhe tregon se është një burrë me një karakter të shkëlqyer dhe me arritje! Prandaj ne lexojmë te Fjalet e Urta 23:15, 16: «Biri im, nëse zemra jote është e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllojë; zemra ime do të ngazëllojë, kur buzët e tua do të thonë gjëra të drejta».

Një mësim praktik që del nga e gjithë kjo është që ne nuk duhet të kënaqemi me ato metoda të sipërfaqshme ungjillëzimi dhe dishepullimi. Nëse duam fëmijë frymërorë që do të ecin në të vërtetën, ne duhet të përgatitemi që t’i zbrazim jetët tona për ta, një proces ky që kushton dhe që kërkon lutje, porosi, inkurajim, këshillim dhe ndreqje.

[previous][next]