31 mars

[no_toc]

31 mars | çdo ditë me radhë

«Të mos jetë i posakthyer në besim, që të mos i rritet mendja dhe të bjerë në gabimet e djallit» (1 Tim. 3:6).

Duke renditur kualifikimet e një plaku, apostulli Pal paralajmëron kundër marrjes së kësaj pune nga dikush që është i ri në besim. Mbikëqyrja kërkon urtësi dhe gjykim të shëndoshë që vijnë vetëm përmes pjekurisë frymërore dhe përvojës së perëndishme. Por sa shpesh shkelet ky parim! Një tregtar i ri i suksesshëm, politikan ose profesionist vjen në përbashkësinë e kishës lokale. Ne ndiejmë se nëse nuk e përfshijmë menjëherë, ai mund të largohet dhe të shkojë gjetiu, kështu që e futim në një vend kryesimi. Do të vepronim më mirë të ndiqnim thënien e Palit për dhjakët: «…edhe këta le të vihen më parë në provë».

Një shkelje më e dukshme e këtij parimi frymëror shihet në mënyrën se si yjet e posakthyer në besim publikohen dhe reklamohen në qiellin ungjillor. Mund të jetë një hero futbolli që sapo ka besuar në Krishtin. Një promotor fetar e mbërthen dhe e afishon gjatë gjithë rrugës nga Dani në Bersheba. Sapo ka dalë fjala që një aktore hollivudi ka lindur përsëri, ajo zë vend të parë në titujt e gazetave. Kërkohen mendimet e saj për çdo gjë që nga dënimi me vdekje te seksi paramartesor – sikur konvertimi t’i kishte dhënë asaj urtësi të menjëhershme mbi të gjitha temat. Ose kemi një ish-kriminel që ka njohur Zotin. Dikush ia ka frikën atij ndërsa ai ndiqet nga agjentë që janë gati për një sulm të shpejtë.

Dr. Paul Van Gorder thotë: «Nuk më ka pëlqyer kurrë që ta ngremë një mëkatar nga gjunjët dhe ta nxjerrim para një turme. Kauza e Krishtit ka pësuar dëm të pandreqshëm nga ekspozimi i figurave të shquara të kinemasë, sportit dhe botës politike në platformën ungjillore përpara se të kalonte kohë e mjaftueshme për të treguar nëse Fara e Perëndisë ka hyrë dhe ka zënë me të vërtetë rrënjë apo jo».

Ndoshta disa të krishterëve gjejnë njëfarë shtytje për egon e tyre fetare kur një narkoman ose një politikan përshëndetet si shtimi i fundit që i bëhet besimit [të krishterë]. Ndoshta ata vuajnë nga ndjenja pasigurie ose inferioriteti dhe çdo personalitet i konvertuar ndihmon që të ngrejë besimin në vetvete.

Por këta heronj dhe heroina të shfrytëzuar bëhen shpesh pata pa krahë për të shtënat kuturu të djallit. Duke mos qenë në dijeni të mënyrave të tij mashtruese, ata bien në mëkat dhe i sjellin një turp shumë të madh dëshmisë së Zotit Jezus.

Ne jemi mirënjohës për këdo që vërtet shpëtohet, qoftë i famshëm apo jo. Por gabohemi nëse mendojmë se mund ta përparojmë më mirë kauzën e Krishtit duke nxjerrë fillestarë në katedër ose para kamerës televizive.