4 dhjetor

[no_toc]

4 dhjetor

«E mbusha me Frymën e Perëndisë […] dhe çdo shkathtësi» (Eksodi 31:3).

Teksti i sotëm i referohet Betsaleelit, i cili ishte i pajisur nga Fryma e Shenjtë për të mbikëqyrur ndërtimin e tabernakullit. Ai ishte i aftë për të punuar arin, argjendin dhe bronzin dhe për të gdhendur gurë për t’u ngallmuar dhe për të punuar drurin. Fryma e Perëndisë e bëri atë një esnaf për të bërë këto lloj punësh praktike.

Kalendari «Kallinj gruri të zgjedhur» citon E. Trempi (E. Tramp) duke thënë: «Në përgjithësi ne e kalojmë anash këtë fazë të shërbesës së Frymës. Qoftë në fushën e fabrikës, në zyrë a në shtëpi, besimtari mund të ketë ndihmën e Frymës në punën e përditshme. Një burrë që e njoh ka bërë një altar në stolin e fabrikës së tij. Një Marta në mesin tonë e ka kthyer tavolinën e kuzhinës në një tryezë përbashkësie. Akoma një tjetër e ka shndërruar tavolinën e punës në një katedër, nga ku mund të flas dhe shkruajë, duke i shndërruar çështjet e rëndomta në punë të Mbretit».

Në Nazaret, Izrael, është një spital i krishterë që u shërben kryesisht arabëve. Në tokën e spitalit është një kishë e vogël. Por kur një predikues ngrihet për të folur, ai nuk qëndron mbrapa një katedre. Në vend të kësaj ai qëndron mbrapa një banke të lëmuar marangozi me një morsë druri në njërin fund. Kjo është një kujtim i bukur dhe i nevojshëm që Zoti ynë punoi si një marangoz në Nazaret dhe që katedra e Tij ishte një bankë pune.

Një doktor synon të shërojë shpirtrat e njerëzve sikurse edhe trupat e tyre. Ndonjëherë pasi kishte folur me dikë në klinikë dhe i kishte bërë një ekzaminim të hollësishëm, ai do të dyshonte se problemi ishte më tepër frymëror sesa fizik. Atë natë ai do të shkonte në shtëpinë e pacientit dhe i binte ziles. Në fillim pacienti do të çuditej kur e shihte doktorin. Por më pas doktori i dashur do t’i thoshte diçka të tillë: «Nuk kam ardhur të të takoj si një doktor, por të të vizitoj si një mik. Kam diçka për të cilën do të doja të flisja me ju. A mund të hyj?» Sigurisht, personi nuk kishte asnjë kundërshtim, kështu doktori do të hynte brenda dhe do t’i fliste për nevojën e tij frymërore. Më pas ai do të shpjegonte se si Zoti Jezus është përgjigjja për atë nevojë. Shumë nga pacientët ia kushtuan jetën e tyre Zotit dhe vazhduan t’i shërbejnë Atij gjithashtu. Shumë do të jenë gjithnjë mirënjohës për shërbesën e doktorit të dashur që kujdesej për shpirtrat e tyre sikurse edhe për trupat e tyre.

Zoti ka shumë katedra jo tradicionale në botë sot. Siç tha Trempi, shumë kanë mësuar si t’i shndërrojnë çështjet e rëndomta në punë të Mbretit.

[previous][next]