4 nëntor
«Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia, dhe i tillë nuk është as ai që nuk e do vëllanë e vet» (1 Gjonit 3:10).
Vite më parë pothuaj çdo familje kishte një album të madh familjar në dhomën e pritjes. Ai kishte një kapak prej lëkure të zbukuruar me ar. Një shirit meshini me tokëz kalonte nga cepi i djathtë i kapakut mbrapa e vazhdonte deri në anën e djathtë të pjesës së përparme të kapakut ku tokëza kapej mirë në vendin e saj. Faqet ishin prej kartoni të ngjeshur dhe me shkëlqim, të dekoruara me forma lulesh dhe anë të praruara. Në secilën anë të faqes ndodheshin pjesë të prera ku futeshin fotografitë. Kur vizitorët i hidhnin një sy albumit, ata shpesh do të komentonin që «Beni duket tamam si gjyshi» ose që «Sara me siguri ka trashëguar ngjashmërinë familjare».
Letra e parë e Gjonit më kujton atë album të vjetër familjar, pasi ajo përshkruan ata që janë anëtarë të familjes së Perëndisë dhe që mbartin ngjashmërinë familjare. Megjithëkëtë, këtu bëhet fjalë për një ngjasim frymëror e moral dhe jo fizik.
Kemi të paktën tetë mënyra ku të krishterët janë «kopje» frymërore. E para është se ata të gjithë thonë të njëjtën gjë rreth Jezusit. Ata rrëfejnë se Ai është Krishti, domethënë, Mesia ose i Vajosuri (1 Gjonit 4:2; 5:1). Jezusi dhe Krishti janë për ata i njëjti Person.
Të gjithë të krishterët e duan Perëndinë (5:2). Edhe pse kjo dashuri mund të jetë shpesh e dobët dhe e lëkundur, asnjëherë nuk vjen një kohë kur besimtari nuk mund të vështrojë fytyrën e Perëndisë dhe të thotë: «Ti e di se unë të dua».
Të gjithë të krishterët i duan vëllezërit (2:10; 3:10, 14; 4:7, 12). Kjo është shenja dalluese e të gjithë atyre që kanë kaluar nga vdekja në jetë. Duke qenë se duan Perëndinë, ata i duan edhe ata që janë lindur nga Perëndia.
Ata që e duan Perëndinë i zbatojnë në mënyrë karakteristike urdhërimet e Tij (3:24). Bindja e tyre motivohet, jo nga frika e ndëshkimit, por nga dashuria për Atë që dha gjithçka të Tijën.
Të krishterët nuk e praktikojnë mëkatin (3:6, 9; 5:18). Vërtet, ata kryejnë akte të mëkatit, por mëkati nuk është forca mbizotëruese në jetën e tyre. Ata nuk janë të pamëkatë, por mëkatojnë më pak.
Anëtarët e familjes së Perëndisë praktikojnë drejtësinë (2:29; 3:7). Nuk është çështja se ata thjesht nuk mëkatojnë zakonisht – kjo mund të jetë negative dhe pasive. Ata i ndikojnë të tjerët me vepra të drejtësisë – kjo është pozitive dhe aktive.
Karakteristika e shtatë e anëtarëve të familjes së Perëndisë është se ata nuk e duan botën (2:15). Ata e kuptojnë se bota është një sistem që njeriun e ka ngritur në kundërshtim me Perëndinë dhe se të jesh një mik i botës do të thotë të jesh armik i Perëndisë.
Së fundi, të krishterët e mundin botën nëpërmjet besimit (5:4). Ata shohin përtej mashtrimit të gjërave kalimtare drejt atyre gjërave që janë të përjetshme. Ata jetojnë për ato gjëra që nuk duken.