4 shkurt | çdo ditë me radhë
«Sikur të kisha thënë: “Do të flas edhe unë kështu”, ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu» (Psa. 73:15).
Psalmisti po kalonte një periudhë të vështirë. Ai pa që i ligu begatohej në botë, ndërsa jeta e tij ishte një ankth i mundimshëm dhe i përvuajtur. Ai filloi të kishte dyshime rreth drejtësisë së Perëndisë, dashurisë së Perëndisë dhe urtësisë së Perëndisë. Dukej sikur Zoti e shpërblente ligësinë dhe ndëshkonte drejtësinë.
Por Asafi mori një vendim fisnik. Ai vendosi që të mos i ekspozonte dyshimet e tij që të mos pengonte ndonjë nga fëmijët e Perëndisë.
Ndoshta shumica prej nesh kanë dyshime dhe pyetje ndonjëherë. Veçanërisht kur kemi arritur në fund të durimit, kur gjithçka duket se është gati për t’u shembur në ne, është e lehtë që të dyshojmë providencën (kujdesin largpamës) e Perëndisë. Çfarë duhet të bëjmë?
Si një rregull i përgjithshëm, ne «nuk duhet të dyshojmë në errësirë atë që na është zbuluar në dritë». Ne nuk duhet ta interpretojmë Fjalën e Perëndisë nga rrethanat, pavarësisht se sa të vetmuara na duken ato. Madje ne duhet t’i interpretojmë rrethanat tona me Shkrimin dhe të kuptojmë që asgjë nuk mund të pengojë qëllimet e Perëndisë apo të anulojë premtimet e Tij.
Por mbi të gjitha, ne nuk duhet të shkojmë andej-këtej duke ekspozuar dyshimet tona. Ekziston rreziku i tmerrshëm i pengimit të të vegjëlve të Krishtit, për të cilët Ai tha: «Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t’i varet në qafë një gur mulliri dhe të zhytet në thellësi të detit» (Mt. 18:6).
Siguritë tona janë të panumërta; dyshimet tona, nëse kemi, janë të pakta. Le të ndajmë siguritë tona. Siç tha Gëte: «Më jep dobinë e bindjeve të tua, nëse keni ndonjë, por dyshimet mbaji për vete, pasi kam mjaft të miat».