5 janar | çdo ditë me radhë
«Për mua njerëzia që është me ty është tepër e madhe…» (Gjyqtaret 7:2).
Gjithkush prej nesh ka një dëshirë të fshehtë për numra dhe një prirje për ta gjykuar suksesin me statistika. Ekziston njëfarë turpi për grupet e vogla, ndërsa grupet e mëdha fitojnë vëmendjen dhe respekt. Cili duhet të jetë qëndrimi ynë në këtë fushë?
Numrat e mëdha nuk duhet të përçmohen nëse janë fryti i punës së Frymës së Shenjtë. Ky ishte rasti në ditën e Rrëshajave kur rreth 3.000 shpirtra u futën në mbretërinë e Perëndisë.
Ne duhet të gëzohemi me numrat e shumtë kur ato përçojnë lavdi për Perëndinë dhe bekim për njerëzimin. Është gjithmonë e përshtatshme për ne të gëzohemi kur i shohim turmat që i ngrenë zemrat dhe zërat e tyre në lavdërim për Perëndinë dhe që e ndikojnë botën me mesazhin e shpengimit.
Nga ana tjetër, numrat e shumtë janë keq kur të çojnë në krenari. Perëndisë iu desh ta reduktonte ushtrinë e Gedeonit që Izraeli të mos thoshte: «Është dora ime që më ka shpëtuar» (Gjyqtaret 7:2). E. Stenli Xhounsi tha dikur se ndiente neveri për «përleshjen [tonë bashkëkohore] për numra, që çojnë, siç edhe ndodh, në ego kolektive».
Numrat e shumtë janë keq nëse çojnë në varësi ndaj fuqisë njerëzore dhe jo ndaj Zotit. Ka mundësi ky ishte problemi me regjistrimin e popullsisë nga Davidi (2 Sam. 24:2-4). Joabi kuptoi se motivet e mbretit nuk ishin të pastra dhe ai protestoi – por më kot.
Numrat e shumtë janë të padëshirueshme nëse, për t’i arritur ato, ne i ulim standardet, komprometojmë parimet biblike, e sheqerosim mesazhin ose dështojmë për të ushtruar disiplinë të perëndishme. Ekziston gjithmonë rreziku ta bëjmë këtë nëse mendja tonë përqendrohet mbi turmat në vend që të jetë mbi Zotin.
Numrat e shumtë janë më pak se ideale nëse ato rezultojnë në humbje të përbashkësisë së ngushtë. Kur individët humbasin në turmë, kur ata mund të mungojnë dhe të mos vihen re, kur askush nuk ndan gëzimet dhe hidhërimet e tij, atëherë i tërë koncepti i jetës së trupit është braktisur.
Numrat e shumë janë keq nëse e ndrydhin zhvillimin e dhuntisë në trupin [e kishës lokale]. Nuk është pa domethënie që Jezusi zgjodhi 12 dishepuj. Një turmë e madhe do të kishte qenë e ngathët.
Rregulli i përgjithshëm i Perëndisë ka qenë të punojë përmes një mbetje dëshmitarësh. Ai nuk tërhiqet nga turmat e mëdha, as nuk zmbrapset nga turmat e vogla. Ne nuk duhet të mburremi me shifra të shumtë, por as nuk duhet të jemi të kënaqur me numra të paktë nëse këto janë rezultat i vetë plogështisë dhe indiferencës sonë.