5 maj

[no_toc]

5 maj | çdo ditë me radhë

«Esau […] për një gjellë shiti të drejtën e parëbirnisë» (Heb. 12:6).

Është shpesh e mundur që t’i shkëmbesh vlerat më të mira të jetës për një kënaqësi të çastit për oreks fizik.

Kjo është ajo çfarë bëri Esau. Ai u kthye nga fusha i lodhur dhe i uritur. Në atë çast Jakobi po gatuante një supë të kuqe me thjerrëza. Kur Esau i kërkoi një tas nga kjo «gjë e kuqe», Jakobi i tha, në fakt: «Sigurisht, do të të jap pak nëse si shkëmbim ma shet të drejtën e parëbirnisë».

Parëbirnia ishte një privilegj me vlerë që i takonte djalit më të madh të familjes. Ajo ishte me vlerë, sepse i jepte atij vendin e kryesimit përfundimtar në familje apo fis dhe i jepte një pjesë të dyfishtë të trashëgimisë.

Por në atë çast, Esau e konsideroi parëbirninë të pavlerë. Çfarë të mirë ka parëbirnia, mendoi ai, për një njeri kaq të uritur sa unë? Uria iu duk kaq e shfrenuar, që ai ishte i gatshëm për të dhënë pothuaj gjithçka që ta kënaqte atë [urinë]. Për të qetësuar një oreks të çastit, ai ishte i gatshëm që të dorëzonte diçka që kishte një vlerë të gjatë. Dhe kështu ai bëri pazarin e tmerrshëm!

Një dramë e ngjashme po ribëhet pothuaj çdo ditë. Ja ku kemi një njeri që ka ruajtur një dëshmi të mirë për vite të tëra. Ai ka dashurinë e një familjeje të mirë dhe respektin e përbashkësisë së krishterë. Kur ai flet, fjalët e tij mbartin autoritet frymëror dhe shërbesa e tij gëzon bekimin e Perëndisë. Ai është një besimtar model.

Por më pas vjen çasti i pasionit të fortë. Duket sikur ai po konsumohet nga zjarri i tundimit seksual. Papritur asgjë nuk duket aq e rëndësishme sa plotësimi i kësaj shtyse fizike. Ai e braktis fuqinë e mendimit të arsyeshëm. Ai është i gatshëm që të sakrifikojë gjithçka për këtë lidhje të palejueshme.

Dhe kështu ai merr vendimin e çmendur! Për atë çast pasioni, ai e shkëmben nderin e Perëndisë, të dëshmisë së tij, vlerësimin e familjes së tij, respektin e miqve të tij dhe fuqinë e një karakteri të krishterë të pastër. Ose si ka thënë Aleksandër MekLareni: «Ai e harron dëshirën për drejtësi; i flak gëzimet për përbashkësi hyjnore; e errëson shpirtin; i jep fund begatisë; sjell mbi kokën e vet për gjithë vitet që i kanë ngelur një katarakt fatkeqësish; dhe e bën emrin dhe fenë e tij një shënjestër për sarkazmat me gjemba të çdo brezi pasues të tallësve».

Me fjalët klasike të Shkrimit, ai e shet parëbirninë e tij për pak supë.