5 nëntor

[no_toc]

5 nëntor

«Duke pasur besim dhe ndërgjegje të mirë» (1 Tim. 1:19).

Ndërgjegjja është një mekanizëm vëzhgues që Perëndia ia ka dhënë njeriut për të aprovuar sjelljen e drejtë dhe për të protestuar kundër asaj që është e gabuar. Kur Adami dhe Eva mëkatuan u dënuan nga ndërgjegjja e tyre dhe ata e dinin se ishin lakuriq.

Si të gjitha pjesët e tjera të natyrës së njeriut, edhe ndërgjegjja u prek nga hyrja e mëkatit, prandaj nuk është gjithnjë e besueshme plotësisht. Parimi i lashtë: «Lëre ndërgjegjen të të udhëheqë» nuk është një rregull i pandryshueshëm. Megjithëkëtë, edhe në gjendjen më të shthurur, ndërgjegjja vazhdon të jap sinjalet e saj të kuqe dhe jeshile.

Në kohën e kthimit në besim ndërgjegjja e personit u pastrua nga veprat e vdekura përmes gjakut të Krishtit (Heb. 9:14). Kjo do të thotë që ai nuk mbështetet më në veprat e veta për të patur një qëndrim të favorshëm para Perëndisë. Zemra e tij është larë prej ndërgjegjes së ligë (Heb. 10:22), pasi e di se çështja e mëkatit është zgjidhur një herë e përgjithmonë nga vepra e Krishtit. Ndërgjegjja nuk e dënon më atë për sa i përket fajit dhe dënimit të mëkatit.

Paskëtaj besimtari dëshiron të ketë një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve (Veprat e Apostujve 24:16). Ai dëshiron të ketë një ndërgjegje të mirë (1 Tim. 1:5, 19; Heb. 13:18 dhe 1 Pjetrit 3:16). Dhe ai dëshiron të ketë një ndërgjegje të pastër (1 Tim. 3:9).

Ndërgjegjja e besimtarit ka nevojë të edukohet nga Fryma e Perëndisë përmes Fjalës së Perëndisë. Në këtë mënyrë ai zhvillon një ndjeshmëri gjithnjë e në rritje ndaj fushave të diskutueshme të sjelljes së krishterë.

Ata besimtarë që janë tejet të ndërgjegjshëm për çështje që nuk janë të drejta apo të gabuara në vetvete kanë një ndërgjegje të dobët. Nëse vazhdojnë dhe bëjnë diçka që dënohet nga ndërgjegjja e tyre, ata mëkatojnë (Rom. 14:23) dhe e ndotin ndërgjegjen e tyre (1 e Korintasve 8:7).

Ndërgjegjja është diçka e ngjashme me një shirit elastik. Sa më shumë që tendoset, aq më shumë e humbet elasticitetin. Edhe ndërgjegjja mund të ndrydhet. Njeriu mund ta justifikojë aq shumë një sjellje të gabuar të tijën, sa mund ta bëjë ndërgjegjen të thotë gjithçka që dëshiron të thotë.

Jobesimtarët mund të kenë një ndërgjegje të damkosur (1 Tim. 4:2), si të djegur me një hekur të nxehtë. Përmes refuzimit të vazhdueshëm që mund t’i bëhet zërit të ndërgjegjes, ata arrijnë përfundimisht në fazën kur bëhen të pandjeshëm. Nuk u bën asnjë përshtypje që të mëkatojnë (Efesianeve 4:19).

Perëndia i konsideron njerëzit përgjegjës për çfarë bëjnë me ndërgjegjen e tyre. Asnjë aftësi e dhënë nga Perëndia nuk mund të shpërdoret pa u ndëshkuar.

[previous][next]