5 tetor

[no_toc]

5 tetor

«Unë ju kam dhënë çdo vend që tabani i këmbës suaj ka për të shkelur, siç i thashë Moisiut» (Jozueu 1:3).

Perëndia ia kishte dhënë vendin e Kanaanit popullit të Izraelit. Ai i përkiste atyre nëpërmjet një premtimi hyjnor. Por atyre u duhej ende ta bënin atë të tyrin. Atyre u duhej ta pushtonin atë. Rregulli i zotërimit ishte: «Unë ju ka dhënë çdo vend që tabani i këmbës suaj ka për të shkelur».

Perëndia na ka dhënë shumë premtime të mëdha e të vyera. Bibla është plot me premtime të tilla. Por ne duhet t’i përvetësojmë ato me anë të besimit. Vetëm pas kësaj ato janë me të vërtetë tonat.

Le të marrim, për shembull, premtimin rreth shpëtimit. Në mënyrë të përsëritur Zoti premton që do t’ju japë jetën e përjetshme atyre që pendohen nga mëkatet e tyre dhe e pranojnë Jezu Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar. Mirëpo ky premtim nuk na bën asnjë të mirë, derisa ta kërkojmë duke i besuar Shpëtimtarit të mëkatarëve.

Le të ecim një hap më tutje! Një person mund të besojë me të vërtetë në Zotin Jezu Krisht dhe në të njëjtën kohë të mos e gëzojë sigurinë e shpëtimit. Për shembull, ai mund të mendojë se është thjesht supozim të thuash se je i shpëtuar. Dhe kështu ai mund të vazhdojë në dyshim dhe errësirë. Fjala e Perëndisë premton se ata që besojnë në Emrin e Birit të Perëndisë kanë jetë të përjetshme (1 Gjonit 5:13), por kjo duhet të përvetësohet me anë të besimit që të gëzohet.

Perëndia dëshiron që ne t’i besojmë Atij. Ai kënaqet kur ne i zëmë besë Fjalës së Tij. Ai nderohet kur ne pranojmë premtimet më të pamundshme dhe i marrim ato si të përmbushura.

Një ditë kur Napoleoni po inspektonte skuadronin e tij, kali u turr aq dhunshëm që perandori ishte në rrezik për të rënë. Një ushtar i thjeshtë hovi drejt tij, mbërtheu frerët dhe e qetësoi kalin.

Duke qenë plotësisht në dijeni se ai që e ndihmoi ishte një ushtar i thjeshtë, Napoleoni tha: «Faleminderit shumë, kapiten». Duke i besuar fjalëve të tij, ushtari i thjeshtë iu përgjigj: «I kujt regjimenti, zotëri?»

Më vonë, kur ish-ushtari i thjeshtë ua tregoi incidentin shokëve të tij, ata u tallën për vetëbesimin e tij duke menduar se tani ai ishte bërë kapiten. Por ishte e vërtetë! Perandori kishte thënë kështu dhe ai e kishte pranuar gradimin në vend.

Situata e besimtarit është disi e ngjashme. Ai mund të bëhet një kapiten ose mund të qëndrojë një ushtar i thjeshtë. Ai mund të gëzojë pasuritë në Krishtin Jezus që janë të tijat ose të jetojë në varfëri të vërtetë. «Ne mund të kemi aq shumë nga Zoti sa të duam. Krishti i lë çelësat e dhomës së thesarit në duart tona dhe na ofron të marrim gjithçka që duam. Nëse dikush lejohet të hyjë brenda depos së arit në një bankë dhe i thuhet që të ndihmojë veten, mirëpo ai del me një qindarkë, i kujt është faji që është i varfër? Faji i kujt është që, në përgjithësi, njerëzit e krishterë kanë sasi aq shumë të pakta nga pasuritë falas të Perëndisë» (McLaren).

[previous][next]