6 korrik

[no_toc]

6 korrik

«Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit» (Efesianeve 4:30).

Ashtu siç është e mundur që të shuajmë Frymën në takimet e kishës, po kështu është e mundur që ta trishtojmë Atë në jetët tona private.

Ekziston njëfarë butësie për fjalën «trishtoj». Ne mund të trishtojmë vetëm dikë që na do. Fëmijët e përkëdhelur të komshiut nuk na trishtojnë, por fëmijët tanë edhe pse të pabindur e bëjnë këtë.

Ne kemi një afri dhe dashuri të veçantë me Frymën e Shenjtë. Ai na do. Ai na ka vulosur për ditën e shpengimit. Ai mund të trishtohet nga ne.

Por çfarë e trishton Atë? Çdo formë e mëkatit i sjell hidhërim zemrës së Tij. Nuk është rastësi që Pali e quan Atë këtu “Frymën e Shenjtë”. Çdo gjë që është profane e mbush Atë me hidhërim.

Nxitja «mos e trishtoni» gjendet në mes të një serie mëkatesh kundër të cilave paralajmërohemi. Kjo listë nuk ka për qëllim të jetë shteruese, por thjesht për të të kujtuar.

Gënjeshtra e trishton Frymën (v. 25) – gënjeshtra të bardha, gënjeshtra të zeza, gënjeshtrat «e padëmshme», zmadhimet, gjysmë të vërtetat dhe të vërtetat dyshuese. Perëndia nuk mund të gënjejë dhe as nuk mund t’ia japë këtë privilegj popullit të Tij.

Zemërimi që teptis në mëkat e trishton Frymën (v. 26). I vetmi rast kur zemërimi do të mund të justifikohej është kur është për kauzën e Krishtit. Çdo zemërim tjetër i jep djallit një pozitë strategjike (v. 27).

Vjedhja është e trishtueshme për Frymën e Shenjtë (v. 28), qoftë kjo nga çanta e mamit apo nga koha, veglat apo pajisjet e zyrës së punëdhënësit.

Të folurit jo të shëndoshë e trishton Frymën e Shenjtë (v. 29). Kjo përfshin spektrin që nga shakatë e pista dhe të pahijshme e deri te fjalët e kota. Të folurit tonë duhet të jetë ndërtues, i përshtatshëm dhe i sjellshëm.

Hidhërimi, zemërimi, inati, trazira dhe shpifja e plotësojnë listën e kapitullit 4.

Një nga shërbesat e preferuara të Frymës së Shenjtë është që të drejtojë vëmendjen tonë mbi Zotin Jezus Krisht. Por kur mëkatojmë, Atij i duhet të largohet nga kjo shërbesë për të na kthyer në përbashkësi të duhur me Zotin.

Por edhe në këto raste Ai kurrë nuk largohet. Ai nuk ka lë kurrë. Ne jemi vulosur nga Ai për ditën e shpengimit. Sidoqoftë, kjo nuk duhet përdorur si një justifikim për moskokëçarje por duhet të jetë një nga motivet më të mëdha për shenjtëri.