6 maj

[no_toc]

6 maj | çdo ditë me radhë

«Deri kur do të mbash zi për Saulin, duke parë që unë e kam hedhur poshtë që të mos mbretërojë mbi Izrael» (1 Sam. 16:1, AV).

Vjen një kohë në jetë kur duhet të ndalojmë vajtimin e së kaluarës dhe t’i futemi punës të së tashmes.

Perëndia e kishe hedhur poshtë Saulin si mbret. Ky veprim ishte përfundimtar, i pakthyeshëm. Por Samueli e kishte të vështirë që ta pranonte këtë. Ai kishte qenë shumë i lidhur me Saulin dhe tani qante kur shihte zhgënjimin e shpresave të tij. Ai vazhdoi të vajtonte një humbje që nuk do të rikthehej kurrë. Perëndia i tha, në fakt: «Jepi fund vajtimit. Shko dhe vajos pasuesin e Saulit. Programi im nuk ka dështuar. Unë kam një njeri më të mirë se Sauli për të hyrë në skenën e historisë së Izraelit».

Ne do të donim të mendonim se jo vetëm Samueli e mësoi këtë mësim për veten e vet, por edhe që e pasoi atë te Davidi, i cili zuri vendin e Saulit si mbret. Në çdo rast, Davidi e tregoi që e kishte mësuar mirë këtë mësim. Kur fëmija i tij ishte duke vdekur, ai agjëroi dhe vajtoi, duke shpresuar që Perëndia do ta kursente fëmijën. Por kur foshnja vdiq, ai u la, ndërroi rrobat, shkoi në tabernakull për të adhuruar, pastaj hëngri. Atyre që e vunë në dyshim realizmin e tij, ai iu tha: «Tani ai ka vdekur. Pse duhet të agjëroj? Vallë, a kam mundësi ta kthej? Unë do të shkoj tek ai, por ai nuk do të kthehet tek unë!» (2 Sam. 12:22-23).

Kjo mbart një zë për ne në jetën dhe shërbesën e krishterë. Ndonjëherë mund të ndodh që një shërbesë të na hiqet dhe t’i jepet dikujt tjetër. Ne vajtojmë për vdekjen e një rruge shërbimi.

Mund të ndodh që një miqësi ose bashkëpjesëmarrje të prishet dhe, si rrjedhim, jeta duket bosh dhe monotone. Ose që mund të jemi zhgënjyer egërsisht nga dikush që ishte shumë i dashur për ne. Ne vajtojmë vdekjen e një marrëdhënie të çmuar.

Ose mund të ndodh që ndonjë ëndërr e jetës të copëtohet ose ndonjë ambicie të dështojë. Ne vajtojmë vdekjen e një aspirate apo vizioni fisnik.

Nuk ka asgjë të gabuar rreth vajtimit, por kjo nuk duhet të zgjatë deri atje që të gjymtojë rendimentin tonë në përballjet me sfidat e momentit. E. Stenli Xhounsi tha se i vuri vetes qëllim që «ta rimerrte veten brenda një ore» nga pikëllimet dhe humbjet e jetës. Një orë mund të mos mjaftojë për shumicën prej nesh, por ne nuk duhet të jemi përgjithmonë të pangushëllueshëm për rrethana që nuk mund të ndryshohen.