6 shkurt

[no_toc]

6 shkurt | çdo ditë me radhë

«Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten» (Jakobi 1:22).

Ekziston një mashtrim delikat që pjesëmarrja në takime, në konferenca dhe seminare është bërja e veprës së Perëndisë. Ne dëgjojmë mesazhe dhe flasim për ato që e dimë se duhet t’i bëjmë dhe mbi ne vjen mashtrimi se jemi duke kryer vullnetin e tij. Ajo që po bëjmë, në fakt, është se po rritim përgjegjësinë tonë dhe po mashtrojmë vetveten. Ne e gënjejmë veten se jemi frymërorë kur, në fakt, mund të jemi krejt të mishit. Ne e gënjejmë veten se po rritemi kur e vërteta është se ne jemi duke fjetur. Ne e gënjejmë veten se jemi të mençur kur, në mënyrë patetike, jemi të marrë.

Jezusi tha se njeriu i mençur është ai që i dëgjon fjalët e Tij dhe i zbaton ato. Edhe njeriu i pamend i dëgjon fjalët e Tij, por ai nuk bën asgjë me ato.

Nuk mjafton që të dëgjojmë një predikim dhe të largohemi duke thënë: «Çfarë mesazhi i mrekullueshëm». Prova e vërtetë është kur largohemi duke thënë: «Do të bëj diçka rreth asaj që dëgjova». Dikush ka thënë që një predikim i mirë jo vetëm që e tendos mendjen, e ngroh zemrën dhe i nxin të fshehtat, por edhe e nxit vullnetin për veprim.

Një herë një predikues, në mes të predikimit, e pyeti auditorin për titullin e himnit të parë që kishin kënduar. Asnjë nuk e dinte. Ai pyeti për tekstin e Shkrimit që kishin lexuar. Asnjë nuk e dinte. Ai pyeti se çfarë lajmërimesh ishin bërë. Askujt nuk i kujtohej. Njerëzit ishin duke luajtur me kisha.

Përpara çdo takimi, bëjmë mirë ta pyesim veten: Përse erdha? A jam i gatshëm që Perëndia të më flasë mua personalisht? A do t’i bindem nëse Ai më flet?

Deti i Vdekur e mori me të drejtë këtë emër për shkak të thithjes së vazhdueshme pa derdhje shoqëruese. Në jetët tona, mësim pa zbatim çon në amullim. Në mendjet tona vjen pyetja ngulmuese e Shpëtimtarit: «Përse më thirrni, “Zot, Zot” dhe nuk bëni atë që ju them?».