7 dhjetor
«Më e madhja nga këto është dashuria» (1 e Korintasve 13:13).Dashuria është fuqia pushtuese në një botë të urrejtjes, grindjes dhe egoizmit. Ajo mund të bëjë atë që virtytet e tjera nuk mund të bëjnë dhe, në këtë kuptim, ajo është mbretëresha e hireve. Dashuria ia kthen abuzimit me mirësi. Ajo kërkon mëshirë për ekzekutuesit e saj. Ajo vepron me altruizëm kur të gjithë përreth bërtasin për të drejtat e tyre. Ajo jep derisa të mos ketë asgjë për të dhënë.
Një indian po drejtonte elefantin e tij përgjatë rrugës, duke e shtyrë vazhdimisht me hosten për të rritur shpejtësinë. Papritur hosteni prej çeliku i rrëshqiti nga dora, duke rënë me kërcitje të mëdha mbi rrugë. Elefanti u kthye, e mori hostenin me feçkë dhe e mbajti për t’ia dhënë të zotit. Dashuria është kështu.
Një një nga fabulat e Ezopit bëhej një garë midis diellit dhe erës se kush mund ta bënte një burrë ta hiqte xhaketën. Era fryu furishëm, por sa më shumë që frynte, aq më shumë ai e shtrëngonte xhaketën rreth vetes. Pastaj dielli shkëlqeu mbi të dhe ai e hoqi xhaketën. Ai [dielli] e ndryshoi atë nëpërmjet të ngrohtit. Dashuria është kështu.
Sër Uolter Skoti (Walter Scott) e goditi dikur një qen të arrakatur me aq fuqi dhe saktësi, sa ia theu këmbën qenit. Ndërsa Skoti po rrinte atje me keqardhje, qeni çaloi drejt tij dhe i lëpiu dorën që kishte hedhur gurin. Dashuria është kështu.
Stentëni (Stanton) i lëshoi Linkolnit sharje të hidhura, duke e quajtur një «klloun dinak i ulët» dhe «gorilla origjinale». Ai tha se kushdo do të ishte i pamend të shkonte në Afrikë për një gorilla kur kishte një të tillë në Springfilld. Linkolni i ktheu faqen tjetër. Në fakt, më vonë ai e caktoi Stentënin si Ministër të Luftës, duke këmbëngulur se ai ishte njeriu më i kualifikuar për këtë detyrë. Kur Linkolni u qëllua, Stentëni qëndroi para trupit të tij të pajetë, qau haptas dhe tha: «Atje shtrihet sunduesi më i madh i njerëzve që ka parë ndonjëherë bota». Linkolni kishte pushtuar duke kthyer faqen tjetër. Dashuria është kështu.
E. Stenli Xhounsi shkroi: «Duke kthyer faqen tjetër e çarmatos armikun tënd. Ai të godet në faqe dhe ti, me anë të guximit moral, e godet atë në zemër duke i kthyer faqen tjetër. Armiqësia zhduket. Armiku largohet. Ti çlirohesh nga armiku duke hequr qafe armiqësinë tënde […] Bota është në këmbët e Atij Njeriu i cili kishte fuqinë të kundërpërgjigjej, por i cili kishte fuqinë të mos kundërpërgjigjej. Kjo është fuqi – fuqia më e madhe».
Ndonjëherë mund të duket se më shumë mund të arrihet duke folur një fjalë të vrazhdë, duke ia kthyer me të njëjtën monedhë dhe duke përkrahur të drejtat e tua. Këto metoda kanë vërtet një sasi të caktuar fuqie. Por balanca e fuqisë është në anën e dashurisë, sepse, në vend që ta thellojë armiqësinë, dashuria i shndërron armiqtë në miq.