7 nëntor
«Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të mëdha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty» (Mk. 5:19).
Kur shpëtohemi, ne mendojmë në fillim se është kaq e thjeshtë, kaq e mrekullueshme, saqë të gjithë të afërmit tanë do të duan që t’i besojnë Shpëtimtarit kur u tregojmë. Në vend të kësaj shohim në disa raste që ata janë të mëritur, dyshues dhe armiqësorë. Ata sillen sikur i kemi tradhtuar. Të gjendur në një atmosferë të tillë ne reagojmë shpesh në mënyra që, në fakt, e pengojnë vendosjen e besimit të tyre në Krishtin. Ndonjëherë u kundërpërgjigjemi, më pas bëhemi të largët, me humor të rëndë dhe të mbyllur. Ose i kritikojmë për jetesën jo të krishterë, duke harruar se ata nuk e kanë fuqinë hyjnore të nevojshme për të plotësuar standardet e krishtera. Është e lehtë që në rrethana të tilla t’u japim atyre përshtypjen se ne e konsiderojmë veten si më lart se ata. Duke qenë se ka shumë gjasa që ata të na akuzojnë për një qëndrim «më i shenjtë se ty», ne duhet të shmangim me kujdes që të mos u japim atyre rast për të vepruar kështu.
Një gabim tjetër që bëjmë shpesh është t’ua futim me zor Ungjillin në mendjet e tyre. Nga dashuria për ta dhe nga zelli për shpirtrat e tyre, ne i largojmë ata me ungjillëzimin tonë sulmues.
Një gjë çon në një tjetër. Ne dështojmë që t’u tregojmë prindërve tanë nënshtrim të përzemërt, sikur besimi ynë i krishterë të na çlironte nga çdo detyrim për t’iu nënshtruar atyre. Më pas ne mungojmë gjithnjë e më shumë nga shtëpia, duke e kaluar kohën në shërbesat e kishës dhe me të krishterë. Kjo, nga ana tjetër, e rrit fyerjen e tyre kundër kishës dhe të krishterëve. Kur Jezusi e shëroi të demonizuarin, Legjionin, Ai i tha atij të shkonte në shtëpi dhe t’u tregonte miqve se çfarë gjërash të mëdha kishte bërë Zoti për të. Kjo është gjëja e parë që duhet të bëjmë – të japim një dëshmi të thjeshtë, të përulur dhe të dashur të kthimit tonë në besim.
Më pas kjo duhet të bashkohet me një jetë të ndryshuar. Ne duhet ta lejojmë dritën tonë të ndriçojë para tyre që ata të shohin veprat tona të mira dhe të lavdërojnë Atin tonë në qiell (Mt. 5:16).
Kjo do të thotë të tregojmë nderim, nënshtrim, dashuri dhe respekt të ri për prindërit tanë, duke e pranuar këshillën e tyre, veçse nëse ajo bie ndesh me Shkrimin. Ne duhet të jemi më tepër ndihmues në shtëpi, sesa kemi qenë ndonjëherë më parë – duke pastruar dhomën tonë, duke larë enët, duke hedhur mbeturinat – dhe e gjithë kjo pa na e kërkuar.
Kjo do të thotë ta pranojnë kritikën me durim dhe pa u hakmarrë. Ata do të mahniten me kënaqësi nga fryma jonë e thyer dhe e përulur, sidomos nëse nuk e kanë parë kurrë më parë këtë. Mirësitë e vogla ndihmojnë në ndalimin e kundërshtimit – letra vlerësimi, kartolina, telefonata dhe dhurata. Në vend që shkëputemi nga prindërit tanë, ne duhet të kalojmë kohë me ata me qëllimin për t’i forcuar marrëdhëniet. Më pas do të jetë më e mundshme nga ata që ta pranojnë ftesën për të frekuentuar kishën me ne – dhe përfundimisht që t’ia përkushtojnë veten Zotit Jezus Krisht.