7 shtator
«Prandaj “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj, dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm» (2 Kor. 6:17, 18).
Çfarë duhet të bëjë një i krishterë nëse gjendet në një kishë që është bërë gjithnjë e më shumë liberale dhe moderniste? Kjo kishë ishte themeluar nga njerëz që besonin në pagabueshmërinë e Biblës si dhe në të gjitha doktrinat e tjera themelore të besimit. Ajo ka patur një të kaluar të lavdishme ungjillëzimi të zjarrtë si dhe përpjekje misionare. Shumë prej shërbyesve të saj kanë qenë shkollarë të mirënjohur dhe predikues besnik të Fjalës së Zotit. Por seminaret e grupeve të ndryshme të besimit kanë marrë pushtetin duke sjellë diçka të re dhe kështu tani shërbyesit që dalin prej këtyre seminareve predikojnë një ungjill social. Ata vazhdojnë të përdorin frazeologji biblike, por me këtë ata nënkuptojnë diçka krejt tjetër. Ata i minojnë doktrinat kryesore të Biblës, japin shpjegime të natyrshme dhe i përqeshin virtytet biblike. Ata janë të parët në radhë kur vjen puna për të mbrojtur politikat radikale dhe kauzat kryengritëse. Ata flasin me përbuzje për ata që mbrojnë interpretimin e fjalëpërfjalshëm të Shkrimeve.
Çfarë duhet të bëjë një i krishterë? Ndoshta familja e tij ka qenë e lidhur me këtë kishë për breza të tërë. Ai vetë mund të ketë kontribuar shumë gjatë viteve. Shokët e ngushtë i ka në këtë kishë. Ai pyet veten se çfarë do t’ju ndodhë të rinjve apo atyre të takimit të fëmijëve nëse largohet. A duhet që ai të qëndrojë në këtë kishë dhe të jetë një zë për Perëndinë sa më gjatë të jetë e mundur?
Argumentet që jep i duken bindëse, e megjithatë shpirti i tij i drejtë është i trazuar ndërsa sheh njerëzit që vijnë javë pas jave në kishë për bukë frymërore dhe dalin duke mos marrë tjetër gjë veçse një gur. Ai i vlerëson lidhjet që ka atje dhe në të njëjtën kohë hidhërohet ndërsa dëgjon që Shpëtimtari i tij dënohet me lavdërim të vakët.
Nuk ka asnjë dyshim se çfarë duhet të bëjë. Ai duhet të largohet nga kjo kishë. Ky është urdhërimi i qartë i Fjalës së Perëndisë. Nëse ai e largon veten nga kjo zgjedhë jo e duhur, Perëndia do të kujdeset për të gjitha pasojat. Perëndia do ta marrë përgjegjësinë për të rinjtë a për takimin e fëmijëve. Perëndia do të sigurojë miqësi të reja. Në fakt, vetë Perëndia premton se do të jetë si një Atë për të në një lidhje aq të ngushtë miqësore që mund të njihet vetëm nga ata që i binden pa bërë pyetje. «Bekimi i ndarjes së vërtetë nuk është gjë tjetër veçse shoqëria e lavdishme e vetë të madhit Perëndi».